Tiranë, gjimnazistja denoncon në polici rrëmbimin e përdhunimin
TIRANE - Një gjimnaziste e vitit të katërt të shkollës Hoteleri-Turizëm në kryeqytet, ka denoncuar në polici dy djem, të cilët pretendon se e kanë futur me forcë në makinë duke i mbuluar kokën dhe më pas e kanë përdhunuar në një vend që ajo nuk e di se ku ndodhet. Ngjarja pretendohet se ka ndodhur mëngjesin e ditës së premte të javës që kaloi, kur 18-vjeçarja Armanda L., nga Vaqarri po shkonte në shkollë dhe është rrëmbyer kur ndodhej përpara portës kryesore të shkollës "Teknologjike". Sipas saj, në kohën që ajo po hynte në rrethimin e shkollës, dy djem, të cilët vajza thotë se nuk i ka parë, por vetëm u ka dëgjuar zërat, e kanë futur me forcë në makinën tip "BMW" me targa të huaja, pasi i kanë mbuluar fillimisht kokën me një çantë të zezë. Burime nga policia shpjeguan se vajza e vënë në presion psikologjik për atë çka i kishte ndodhur, nuk është drejtuar menjëherë në polici, por dy ditë pasi ka ndodhur ngjarja. Burime nga policia thanë se, duke u nisur nga deklarimet e gjimnazistes, autorët e ngjarjes kanë qenë dy meshkuj që e kanë rrëmbyer dhe më pas dyshohet se e kanë përdhunuar. Adoleshentja ka treguar për oficerët e policisë së mëngjesin e datës 12 shkurt 2010, persona të panjohur i kanë mbyllur gojën, duke i vënë më pas edhe një çantë në kokë, që ajo të mos shikonte dhe më pas e kanë futur një makinë. Duke e mbajtur gjatë gjithë kohës me sy të mbyllur, 18-vjeçarja Armanda L., pretendon se ka udhëtuar me makinën në fjalë, duke dëgjuar zërat e dy meshkujve që bisedonin me njëri-tjetrin, përreth gjysmë ore, pa ditur asgjë për drejtimin e lëvizjes. Sipas vajzës, makina ka ndaluar dhe në një vend që ajo nuk ka arritur ta njohë, personat e panjohur pasi e kanë goditur, e kanë shtrirë në tokë dhe e kanë përdhunuar. Vajza ka thënë se ka dëgjuar dy zëra të ndryshëm, çka e bën të dyshojë se personat kanë qenë të paktën dy. Në momentin e zbritjes vajza ka thënë se ka parë makinën që ishte tip "BMW", me targa të huaja, por jo autorët e ngjarjes. Mjekët ligjorë, në një raport paraprak, kanë vërtetuar se ajo ka kryer marrëdhënie seksuale. e.d