Tiranë, kërcënoi nënën, arrestohet 34-vjeçari
TIRANE- Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia për kanosjen e nënës së tij, duke thyer Urdhrin e Mbrojtjes vendosur nga gjykata. Daut Laze është arrestuar pas dhjetëra shoqërimesh për dhunë në familje, por dy ditë më parë nuk ka mundur t'u shpëtojë më prangave, pasi ka kërcënuar nënën e tij. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, nëpërmjet avokatit të tij, Laze kallëzoi penalisht të atin, Hasan Laze, me pretendimin se e kishte mbyllur padrejtësisht në Psikiatri, vetëm sepse kishte nisur të besonte në fenë islame. Madje Laze denonconte edhe një mjek të spitalit dhe një oficerë të policisë, që sipas tij kishin bashkëpunuar me babain e tij për ta shtruar në spitalin Psikiatrik. Ndërsa së fundmi, Gjykata e Tiranës kishte vendosur që ai të zbatonte me përpikmëri një urdhër mbrojtje, të kërkuar nga bashkëshortja e tij, Elona Laze, e cila ka nisur procedurat e divorcit, pasi është detyruar të jetojë tek prindërit e saj bashkë me dy fëmijët. Në kohën që ai nuk duhej të kishte më asnjë lloj kontakti me të shoqen, deri në një vendim tjetër të gjykatës, është akuzuar nga e nëna e tij, Bukurie Laze, e cila e ka denoncuar në Komisariatin nr.6, se ai e ka kërcënuar me jetë. e.d