Policia të më mbrojë djalin nga ish-gruaja
TIRANE Babai i një 9-vjeçari ka denoncuar ish-bashkëshorten në polici, duke kërkuar mbrojtjen e të birit nga e ëma, që sipas tij, e dhunon sistematikisht. Denoncimi është kryer në Komisariatin Nr. 1 të Policisë së Tiranës, ku Eduard T., 47 vjeç, ka kallëzuar ish-gruan e tij, Silvana T., duke kërkuar nisjen e procedurave për lëshimin e një urdhri mbrojtjeje nga gjykata. Në kallëzimin e tij ai tregon se djali i mitur i ankohet vazhdimisht për të ëmën, sa herë që e takon, pasi ai është nën kujdestarinë e saj që pas divorcit. Madje ai shpjegon se në disa raste ka parë edhe shenja të dukshme dhune në trupin e të birit dhe për këtë arsye kërkon një ekspertim mjeko-ligjor. Oficerët e policisë kanë plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për procedurat e marrjes në mbrojtje, edhe pse burimet sqaruan se denoncimi i Eduard T., nga njëra anë shikohet edhe si i dyshimtë, pasi ai mund të përdorë këtë mënyrë për të fituar kujdestarinë e të birit. Por mësohet se njëkohësisht me kallëzimin e tij, që pritet të depozitohet në gjykatë, policia ka kërkuar edhe kryerjen e një kontrolli në Mjekësinë Ligjore të 9-vjeçarit E. T., në mënyrë që pjesë e dosjes hetimore të jetë edhe një raport, në rast se mund të konstatohen shenja dhune.