E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga tre personave, u kapën me 7 kg heroinë

Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me atë të Elbasanit, kanë mundur të zbulojnë një punishte heroine në një fshat të Rrethit të Librazhdit dhe të vënë në pranga tre persona. Aksioni i sektorit të luftës kundër lëndëve narkotike është kurorëzuar në mesditën e djeshme, por hetimi rreth kësaj dukurie mësohet se ka filluar prej dy muajsh. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mësohet se në fshatin Kutërman, rreth 12 kilometra në veriperëndim të qytetit të Librazhdit, të paktën janë identifikuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shtatë kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë. Operacioni sekret për identifikimin e kësaj vatre prodhimi dhe ambalazhimi, i koduar me emrin "Oktapodi" mësohet të ketë nisur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, për të përfunduar rreth orës 16:00 të po kësaj dite. Tre persona të një familje mësohet të jenë arrestuar në flagrancë, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi kanë mundur të çajnë "rrethimin" e agjentëve të policisë, falë edhe terrenit të pyllëzuar të këtij fshati mes një zone dushkore. Sipas policisë, në pranga kanë përfunduar Oltion, Ermal dhe Enver Gjura. Të njëjtat burime policore bëjnë të ditur se në banesën ku u sekuestrua sasia e drogës është gjetur edhe një presë që përdorej për përpunimin e lëndës narkotike, si dhe qese plastmasi relativisht të trasha me ngjyrë të verdhë. Ndërkohë, pasi i tërë fshati është "krehur" nga kontrollet e policisë, nuk i kanë shpëtuar këtij kontrolli edhe ish-godina e frigoriferit në Librazhd dhe dy lokale në periferi të këtij qyteti. Droga u kap në Librazhd, ndërkohë që mësohet se vinte nga Maqedonia dhe kishte si destinacion final tregun grek. Policia bën të ditur se ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilët dyshohen si të implikuar në rrjetin e trafikut. Sipas informacioneve policore, dyshohet se poseduesit e kësaj lënde mund të jenë ose ish-emigrantë, ose emigrantë që punojnë në shtetin grek. Nuk është hera e parë që në këtë zonë kapen sasi droge, e cila vjen nga Maqedonia, kalon transit përmes Shqipërisë, për të përfunduar në Greqi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›