E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga tre të rinjve në Durrës, vidhnin bizhuteri

Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona, të cilët akuzohen për vjedhje. Sipas uniformave blu, ata vepronin në zonën e Plazhit të Durrësit dhe kryesisht merreshin me grabitjen e bizhuterive. Agjentët kishin disa kohë që po i hetonin tre të rinjtë dhe ditën e djeshme organizuan operacionin e koduar “Iliria”. Sipas burimeve nga policia, fillimisht është ndaluar një i dyshuar dhe më pas janë vënë në pranga dy pjesëtarët e tjerë të grupit.

I ndaluari është 22-vjeçari Stilian Hyseni. Pas gjurmimit të shokëve të tij me të cilët rrinte vazhdimisht dhe marrjes së një denoncimi për vjedhjen e një banese, policia e sektorit të Plazhit në lagjen nr. 13 ka arrestuar edhe 2 miqtë e tij, Ervis Xhafanin, 27-vjeçar, si dhe 21-vjeçarin Enver Thaçi. Pas ndalimit dhe kontrollit personal që u është bërë, nga hetuesit u nxor edhe vlera e bizhuterive të vjedhura, e cila kalonte shifrën e 150. 000 lekëve. Tre të arrestuarit janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, ku pritet të dalin përpara drejtësisë.

Arrestimet

Policia e sektorit të Plazhit në lagjen 13 para disa ditësh kishte arrestuar 22-vjeçarin Stilian Hyseni. Pasi kanë bërë kontrollin ndaj tij, është gjetur një sasi bizhuterish, të cilat i arrestuari i mbante të fshehura në xhep. Pas hetimeve të kryera nga uniformat blu, u organizua operacioni “Iliria”, ku u krye edhe arrestimi i dy të dyshuarve të tjerë. Në prangat e policisë ranë Ervis Xhafani, 27-vjeçar nga Plazhi si dhe 21-vjeçari Enver Thaçi, lindur në Kavajë e banues në Plazhin e Durrësit. Pas ndalimit dhe kontrollit personal që u është bërë, në tavolinën e punonjësve të policisë është grumbulluar një numër i madh i bizhuterive të vjedhura, si unaza, byzylykë, vëthë e varëse.

Hetimi

Sipas burimeve të policisë, hetimet për grupin e grabitësve kanë filluar pas arrestimit të 22-vjeçarit Hyseni. Gjatë kontrollit të kryer, në momentin që ai është vënë në pranga është gjetur një sasi bizhuterish. Agjentët e kanë pyetur se ku i kishte gjetur, po Hyseni nuk u kishte dhënë përgjigje, duke bërë që ata të dyshonin për vjedhje. Menjëherë kanë filluar hetimet për bashkëpunëtorë të tjerë me 22-vjeçarin. Pas gjurmimit të telefonit të personave me të cilët ai rrinte dhe marrjes së denoncimit për një banesë të vjedhur në zonën e Plazhit, janë arritur që të identifikohen edhe dy persona të tjerë, të cilët bashkëpunonin me 22-vjeçarin në grabitjen e banesave. Grupi i përbërë prej të njëjtës treshe dyshohet se kishte kryer edhe rreth 4 vjedhje në banesa të ndryshme, që kishin mbetur të pazbardhura. Pas ndalimit të tyre dhe ushtrimit të kontrolleve në banesa, u gjend edhe një objekt i vjedhur në një supermarket të Plazhit. Sendet e kapura janë bllokuar në cilësinë e provës materiale.

Tre të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “vjedhjes” dhe pritet të dalin përpara gjykatës së rrethit të Durrësit për të marrë masën e arrestit në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›