E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grup ekspertësh për ekspertizën e vdekjes së nënës 23-vjeçare

Një grup ekspertësh do të hetojnë për shkaqet e vdekjes të 23-vjeçares Enkelejda Osmani, pas akuzave të familjarëve të saj për neglizhencë, ndaj mjekëve. Nëna e tre fëmijëve humbi jetën ditën e djeshme, vetëm një javë pas lindjes së kryer me operacion në Sarandë. Për familjarët rrethanat e humbjes së jetës mbeten ende të paqarta. Ata janë mbledhur të revoltuar përpara maternitetit të Sarandës dhe kanë akuzuar mjekët për neglizhencë. Është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjendjen. Sipas familjarëve të indinjuar, vajza duhej të dërgohej urgjent në spital.

Ndërkohë, vetë mjekët japin si arsye të vdekjes së 23-vjeçares, problemet në shëndetin e saj. Ndërkohë, vetë mjekët kanë vendosur që trupit të 23-vjeçares t’i bëhet autopsia, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga familjarët.

Ndaj akuzave të familjarëve për mostrajtim të së resë në kohë, mjekët kanë sqaruar se gruas i është dhënë e gjithë ndihma e nevojshme.

Mësohet se gruaja para 20 ditësh ka pësuar frakturë në këmbë, thyerje të këmbës dhe qysh prej asaj dite, është shtruar në maternitet, në pritje të lindjes së fëmijës, pasi ishte në muajin e 9-të të shtatzënisë. Mjekët deklarojnë se ajo është mbajtur nën kontroll deri kur po bëhej gati të dilte nga spitali.

Problemet për 23-vjeçaren janë shfaqur në momentin që ajo po bëhej gati të dilte nga spitali. Osmani pëson një goditje dhe kalon në gjendje shoku të menjëhershëm. Thirren mjekët dhe organizohet konsultë me ekip mjekësor. Por me gjithë ndërhyrjen, edhe pas goditjeve kardiake, ajo nuk ka mundur të shpëtojë dhe ka ndërruar jetë. Gruaja ka lindur me këmbë në allçi, për shkak të thyerjes që kishte pësuar dhe sipas mjekëve, ajo ka ndërruar jetë si pasojë e një tromboze.

Kjo mund të jetë shkaktuar për shkak të lëvizjes së menjëhershme të saj ose nga operacioni, ose nga vendi i thyerjes.

Por për familjarët shkaku i vdekjes është neglizhenca në mjekim. 23-vjeçarja sipas tyre, duhet të ishte dërguar për në spital pas operacionit, si pasojë e këtij problemi. Ata të irrituar janë mbledhur përpara maternitetit dhe është dashur ndërhyrja e forcave të policisë për të shmangur konfliktin me mjekët. Duket se do të jetë një grup ekspertësh i nisur nga Tirana për në drejtim të Sarandës ditën e djeshme që do të zbardhë të vërtetën, pas ekspertizës së bërë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›