Aksidenti, i përplas makina, rëndë dy të rinj
Dy të rinj janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Elbasan. Ngjarja ndodhi shumë pranë vendit të quajtur “Varrezat Publike” të qytetit. Sipas burimeve të policisë, mjeti me targa të huaja BE 242KV me drejtues shtetasin me iniciale B. A., ka aksidentuar rëndë shtetasit Amarildo Karai 18 vjeç dhe Gersi Karamuça 12 vjeç nga qyteti i Elbasanit. Ndaj dy të rinjve është dhënë ndihma e parë, duke i transportuar ata për në spitalin e qytetit. Sipas burimeve nga spitali kirurgjik, përplasja ndaj tyre ka qenë e fortë dhe plagët e marra janë të rënda. Në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka ngritur një grup pune për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti. Mendohet se shkak ka qenë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit.