E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen 5 kg heroinë, pranga 27-vjeçarit

Droga e fshehur në pjesën anësore të makinës në krahun e pasagjerit. Policia: Dyshojmë për të tjerë të përfshirë

Policia ka kapur 5 kilogramë heroinë në vendin e quajtur “Plepat” në hyrje të Durrësit, ndërsa i ka vënë prangat një 27-vjeçari. Duket se bëhet fjalë për një operacion të iniciuar nga Fieri, ndërsa është kryer në bashkëpunim nga policitë e dy qyteteve.

Ndalimi

Burime nga blutë e Durrësit thanë se arrestimi ishte kryer pasdite, në kohën kur mjeti Golf, në të cilin udhëtonte Ludmir Kuqi, ka kaluar pranë një postblloku të policisë në zonën e Plepave. Forcat e rendit që duket se kishin informacion se ai transportonte drogë, i kanë kërkuar të ndalonte. Pas kësaj kanë kontrolluar makinën e tij me targa AA 3008 AP, ku edhe është gjetur heroina e fshehur. Sipas policisë, droga ishte e ndarë në 8 pako, secila prej të cilave kishte më pak se 1 kg. Po ashtu duket se policisë i është dashur të hapë dyert e makinës, pasi sipas saj droga ishte fshehur në krahun e pasagjerit në pjesën anësore të makinës. Menjëherë pas kapjes së narkotikut policia ka ndaluar personin që drejtonte mjetin.

Hetimet

Burime nga policia thonë se, edhe pse dihej që droga ishte nisur nga Fieri, për ta nuk është ende i qartë destinacioni i saj. Policia dyshon se droga mund të ishte planifikuar të trafikohej për në Itali, por ndërkohë nuk është hedhur poshtë as mundësia e përdorimit të saj për t’iu dorëzuar shpërndarësve në Durrës ose Tiranë. Burime nga policia thonë se vazhdojnë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorë të mundshëm të Kuqit dhe për të zbardhur gjithë rrugën që ka bërë heroina dhe destinacionin e fundit të saj. Policia prej fillimit të nëntorit është përfshirë në një valë operacionesh antidrogë që kanë çuar në bllokimin e rreth 1 ton marijuanë, por ky është rasti i parë këtë muaj që kapet heroinë në një sasi të tillë. Ndërkohë për kundër rasteve të hashashit që kryesisht është ndaluar ndërsa tentohej të trafikohej në drejtim të Greqisë, heroina po transportohej nga Jugu për në qendër të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›