Prangoset autori i krimit të dyfishtë, vrau djalin dhe plagosi të atin për një fjalë
SHKODËR – Prangoset autori i atentatit të dyfishtë që ndodhi në Shkodër, ku mbeti i vdekur një djalë 24-vjeçar dhe u plagos babai i viktimës për një fjalë goje. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë arrestuar ditën e hënë pasdite shtetasin Mirash Pjetri, 17 vjeç, lindur dhe banues në komunën e Shalës në zonën e Dukagjinit. Adoleshenti është shpallur në kërkim të dielën në mbrëmje, pasi dyshohej se është autori i vrasjes së shtetasve Zek Tonaj dhe plagosjes së Ndue Tonajt. Ndalimi i vrasësit është bërë në fshatin Micaj në Dukagjin. Zëdhënësja e Policisë së qarkut Shkodër bën të ditur se konflikti mes palëve ka lindur për një sherr të çastit në vendin e quajtur “Breglumi”, në komunën e Shalës, pikërisht tek “Ura e Re”. Dy ditë më parë, menjëherë pas krimit, ku mbeti i vdekur 24-vjeçari Zek Tonaj dhe u plagos babai i tij, policia e Shkodrës identifikoi si autor të krimit adoleshentin Mirash Pjetri. Ai ka tentuar që të largohet nga vendi i lindjes së tij me planin për t’u arratisur në Kosovë, por policia arriti të marrë informacione dhe dje, rreth orës 14:40 bëri të mundur prangosjen e atentatorit. Gjatë momentit të arrestimit policia gjeti edhe armën e krimit.
6 Prill 2010