E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllon veten me plumb në kokë, aksidentohet rrugës për në spital



LIBRAZHD – Një 24-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke qëlluar veten me plumb në kokë, por kur ka dështuar plani i tij, ka marrë motorin për të shkuar në spital. Aventura e tij nuk ka mbaruar këtu. Teksa ecte me shpejtësi, ai është aksidentuar rëndë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi Xh. B., banues në fshatin Funares të komunës Orenjë, është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Teksa po merrte ndihmën e parë, mjekët janë çuditur kur kanë identifikuar një plumb që ndodhej në kokën e të aksidentuarit. Vetëm hetimet policore zbardhën ngjarjen, pasi në banesën ku strehohej i aksidentuari gjetën armën me të cilën ishte kryer tentativa e vetëvrasjes.

Ngjarja
Pasditen e së shtunës Xh. B. ka vendosur të kryejë vetëvrasjen teksa ndodhej në banesën e një të afërmi të tij. Ai ka marrë pistoletën tip “Zastava” dhe me një plumb ka qëlluar në kokën e tij. Kur ka parë se nuk është realizuar akti vetëflijues, ka marrë një motoçikletë tip “Papaq” dhe është nisur nga fshati Funares në drejtim të spitalit, në Librazhd. Burimet policore sqarojnë se në rrugën rurale të fshatit Funares ai ka humbur kontrollin dhe, për pasojë, është dëmtuar. Persona të pranishëm në vendngjarje kanë njoftuar policinë, e cila ka marrë të aksidentuarin duke e transportuar me urgjencë në spital. Mjekët kanë vendosur transferimin e tij në Tiranë, pasi i lënduari kishte nevojë për trajtim të specializuar. Në një njoftim zyrtar të Policisë së qarkut të Elbasanit bëhet e ditur se 24-vjeçari Xh. B. i është nënshtruar një skaneri në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Mjekët kanë zbuluar se në kokën e të aksidentuarit gjendej një plumb pistolete. Burimet spitalore sqarojnë se është kryer ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e plumbit, ndonëse gjendja e pacientit është shumë e rëndë.

Hetimet
Menjëherë sapo është marrë informacioni se shtetasi Xh. B. kishte plumb në kokë, nisën hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Një ekip i policisë shkoi në vendin e ngjarjes, në fshatin Funares. Sipas burimeve policore, në banesën ku strehohej i aksidentuari është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë. Kontrollet kanë vijuar edhe në shtëpinë e shtetasit R. Sh., i cili është kushëriri i personit të aksidentuar, banor në të njëjtin fshat. Zëdhënësja Valbona Begu pohon se në shtëpinë e tij është gjendur një armë zjarri, pistoletë “Zastava”, e cila dyshohet se është arma me të cilën 24-vjeçari ka kryer tentativën e vetëvrasjes. “Nga hetimet paraprake dhe deklarimet e të pranishmeve rezulton se armën e ka pasur me vete i dëmtuari Xh. B., i cili mendohet se ka qëlluar veten e tij”, - thotë Begu. Sipas saj, po punohet për të përcaktuar shkaqet dhe motivet e kësaj ngjarjeje, ndërsa materialet i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Elbasanit.

Depresioni, vetëhelmohet 23-vjeçarja

LIBRAZHD – Një vajzë 23-vjeçare për pak sa ka humbur jetën pasi në gjendje depresive ka pirë një substancë helmuese për t’i dhënë fund jetës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi tri ditë më parë në fshatin Librazhd Kadund të komunës Qendër. Sipas tyre, shtetasja G. K., teksa ndodhej në banesën e saj, ka konsumuar një sasi fostoksine. “E vetëhelmuara është dërguar menjëherë në Spitalin e Librazhdit, ku aktualisht është në gjendje të rëndë shëndetësore”, - thonë burimet policore.

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›