E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset ish-administratori i VEFA-s

Kapet në kryeqytet ish-administratori i fajdeve i dënuar me një vit e gjysmë burg në mungesë për zhdukjen e 239 milionë lekëve nga llogaria e ish-piramidës VEFA.

Fatos Mahmutaj

 Në një njoftim zyrtar policia e Tiranës pohon se, efektivët e komisariatit numër katër kanë vënë në pranga 52-vjeçarin kryeqytetas Arben Abazi në bazë të vendimit të gjykatës. Sipas vendimit, Abazi është gjetur fajtor për shpërdorim të detyrës në bashkëpunim dhe është dënuar në mungesë me 18 muaj burg në qershor të vitit të kaluar. Tashmë ai i është dorëzuar burgjeve për të vuajtur dënimin. Grupi prej pesë administratorëve të fajdeve, Arben Abazi, Nasip Ahmeti, Sabah Duçkollari, Vjollca Gjylahmeti dhe Merita Çeliku (Kollozi), u mor në përgjegjësi penale në vitin 2004 nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit në Prokurori nga kreu i atëhershëm i Përmbarimit Detar, Hysi. Një vit më vonë dosja në ngarkim të administratorëve të fajdeve mbërriti në gjykatë ku u gjetën fajtorë për heqjen e emrave të disa debitorëve të piramidës VEFA, duke i shkaktuar 239 milionë lekë të vjetra dëm arkës së kreditorëve të kësaj piramide. Në përfundim të procesit gjykata e kryeqytetit dënoi me nga një vit e gjysmë burg Abazin dhe Ahmetin, ndërsa Duçkollarin Gjylahmetin dhe Çelikun i dënoi me nga 9 muaj burg, por ua pezulloi këtë dënim duke i vënë në një kohë prove prej dy vjetësh, gjatë së cilës atyre u duhet të mos kryejnë asnjë vepër penale të njëllojtë apo më të rëndë se kjo për të cilën u dënuan. Ndërsa për dy të dënuarit me burg, Abazi dhe Ahmeti gjykata është shprehur në vendim se këta duhet të vuajnë në një burg të sigurisë së mesme. Po kaq ishte dhe pretenca e Prokurorisë për këta të pandehur, ndërsa avokatët dhe vetë të akuzuarit e pranishëm kërkuan pafajësi. Gjykata ka argumentuar se mjaft qytetarë që kanë tërhequr kredi në shuma të konsiderueshme nga ish-piramida VEFA, ndërsa emrat e tyre ishin hequr nga listat. Gjykata ka pohuar në vendim se, nëpërmjet veprimeve të të pandehurve, emrat e debitorëve ishin hequr nga lista, duke i përjashtuar këta nga detyrimi për t'i kthyer paratë e marra në arkën e piramidës. E gjithë kjo procedura, është kryer nëpërmjet akteve noteriale dhe dëshmive të personave që kanë punuar para vitit 1997 në ish-piramidën VEFA. Gjykata citon se, administratorët janë emëruar me vendim të qeverie në vitet 1999 dhe 2000 për të pasur përgjegjësi për kontrollin financiar të VEFA-s. Sipas ligjeve, në përfundim të procesit të identifikimit administratorët kanë shpallur debitorë 941 persona për vlera të ndryshme financiare e pasurore që ata duhet të kthenin në llogarinë e shoqërisë huamarrëse, për shlyerjen e kreditoreve. Në rastin kur debitorët, nuk e ekzekutojnë vullnetarisht detyrimin, administratori i paraqet Përmbarimit kërkesën për kthimin e detyrueshëm të shumave. Në këtë moment kanë abuzuar pesë administratorët e dënuar nga Gjykata e Tiranës, pasi në shpërdorim të detyrës kanë abuzuar me ligjin, duke hequr nga lista e debitorëve disa emra nëpërmjet vendimeve të tyre.

Abuzimi me paratë e VEFA-s

Sipas gjykatës, të dënuarit kanë nxjerrë vendime duke liruar nga detyrimi debitorë të VEFA-s. Bazë për këtë është keqinterpretimi i ligjit, sipas të cilit, janë debitorë ata persona që pas 23 janarit 1998 kanë mbyllur kontratat e huasë dhe vlerat e këtyre kontratave janë mbi 100 000 lekë ose 10 000 USD, duke shfrytëzuar akte noteriale të njëanshme apo ndarje të kontratave mes personave që nuk kanë pasur kontrata me shoqërinë, me qëllim që vlera e detyrimit për debitorin të ulej nën minimumin e mësipërm dhe ata të mos konsideroheshin të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›