E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri, emigranti shqiptar gjendet i vdekur në kanal në ishullin grek

MIKENA/GREQI - Vdes në mënyrë të paqartë një shqiptar në Greqi.

 Lajmin e pohojnë mediat greke, që i referohen policisë lokale, sipas të cilës ngjarja ka ndodhur në ishullin Mikena dhe viktima quhet Besnik Çela 40 vjeç. Sipas policisë lokale 40-vjeçari shqiptar është aksidentuar nga një motoçikletë, kurse trupi i tij u gjet në një kanal anësor të rrugës. Kjo ka bërë që të bien hije dyshimi për shkaqet e aksidentit dhe autorin e tij. Burime të lajmit pohojnë se, Çela prej kohësh jetonte vetëm në ishull, ndërsa pasi është gjetur trupi i tij është përcjellë në morgun e spitalit në ishull. Pas kësaj autoritetet policore helene i janë drejtuar ambasadës shqiptare në Athinë për të gjetur të afërmit e viktimës, të cilët mendohet se jetojnë në shtetin grek. Po të njëjtin apel, për gjetjen e të afërmve dhe familjarëve të të ndjerit kanë dhënë edhe ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët kanë këqyrur viktimën dhe kanë kryer procedurat e duhura ligjore. Ndërkaq policia e ishullit Mikena ka nisur hetim për vdekjen e shqiptarit, pasi vetë provat e grumbulluara nga këqyrja e vendngjarjes dhe mënyra e gjetjes së kufomës, i kanë çuar në përfundimin se aksidenti mund të ishte i qëllimshëm. Po kështu mendohet se aksidentuesit në përpjekje për të fshehur krimin mund të kenë hedhur kufomën në kanal. Policia thotë se po hetohet mbi veprimtarinë e viktimës dhe ndonjë konflikt të mundshëm mes tij dhe ndonjë personi tjetër. Paraprakisht mësohet se ai jetonte i vetëm në ishull dhe njihej nga banorët e zonës, bashkatdhetarët e tij dhe policia e zonës si njeri pa probleme.                             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›