E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni “Tabula Rasa”, pranga “mbretit të prostitucionit”



ITALI – Superaksioni i Policisë italiane, në të cilin morën pjesë rreth 350 forca policie, është finalizuar me arrestimin e të ashtuquajturit “mbreti i prostitucionit”, shqiptarit Indrid Deda, si dhe prangosjen e disa personave të tjerë ku pjesa më e madhe ishin shqiptarë.
Operacioni
Operacioni "Tabula Rasa" filloi me vrasjen e një prostitute rumune në 2008-n, një fakt që ndonëse jo direkt i lidhur me arrestimet, u ka dhënë dritën jeshile hetimeve të karabinierëve. Kjo pasi, menjëherë pas vrasjes së prostitutës, Indrid Deda, i cili ishte një punëtor i thjeshtë dhe me një jetë shumë modeste, u kthye në “mbretin e prostitucionit”. Ai ishte kthyer në një lloj "diktatori", i cili nuk kishte asnjë problem dhe përdorte grushtin e hekurt nëse ishte e nevojshme. Për ta ndihmuar atë ishte edhe gruaja e tij, Fiorentina Gorge, e cila u arrestua gjithashtu. Akuzat për Dedën nisin që nga prostitucioni, grabitjet dhe posedim të paligjshëm të armëve (në banesën e tij është gjetur një kallashnikov). Sipas hetimeve të kryera nga Policia italiane, Deda kishte nën varësinë e tij dhe shfrytëzonte një numër të madh prostitutash, kryesisht rumune, por edhe nga vende të tjera të Lindjes. “Deda kishte ndërtuar një mekanizëm dhune, ku vajzat ishin të detyruara t’i bindeshin atij, në të kundërt, keqtrajtoheshin prej tij”, – thotë Policia italiane. Gjatë këtij aksioni u arrestua dhe vëllai i tij, Helion Deda, të cilit iu gjetën 2 pistoleta në shtëpi, si dhe shqiptarët Emilian Gjergji, Artan Demiri, Eduard Biba, Genti Troka, Erdit Bolla dhe Adriatik Buci, të cilët ishin të përfshirë në këtë grup. Bashkë me shqiptarët, në pranga u vunë dhe Michele Monteforte, Vincent Woods, Ogert Lecina, Leonard Lecina, Costel Dega dhe Hana Artugel.
Marrja në pyetje
I mbiquajturi “mbreti i prostitucionit” nga mediat dhe Policia italiane, Indrid Deda, ka vendosur të heshtë përpara pyetjeve të prokurorëve italianë duke mos iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Të njëjtën gjë ka bërë edhe bashkëshortja e tij, Fiorentina George, e cila ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesit të Savonës.
Ai që ka folur ka qenë vëllai, Helion Deda, mbi të cilin rëndon akuza e “armëmbajtjes pa leje”, ka deklaruar se dy pistoletat që iu gjetën në shtëpi nuk ishin të tijat. Në këtë moment mësohet të ketë ndërhyrë vëllai i tij, Indrid Deda, i cili ka marrë përsipër pronësinë e armëve duke deklaruar se kishte qenë ai që i kishte fshehur ato shtëpinë e të vëllait.
Artan Demiri, shqiptari tjetër i arrestuar, u ka paraqitur hetuesve të Savonës alibinë e tij duke i hedhur poshtë akuzat e ngritura për “shfrytëzim prostitucioni”. Sipas tij, ai e pranon se e ka shoqëruar të dashurën e tij, ende minorene, në rrugë, por pas kërkesës që ajo i kishte bërë atij duke hedhur poshtë në këtë mënyrë akuzën e ngritur për “shfrytëzim”.
Gjithashtu, akuza është mohuar edhe nga Emilian Gjergji, i cili ishte një zejtar në Savona. Sipas avokatit të tij, ai ishte një njeri i rregullt dhe i pastër dhe se gjykata duhet ta lironte menjëherë atë. Emri i tij doli në skenë pas përgjimeve telefonike, kur ky i fundit ishte duke biseduar me njërën prej prostitutave. Ai deklaroi gjithashtu se nuk njihte asnjë nga të arrestuarit.
Rrugën e heshtjes zgjodhi dhe shqiptari tjetër Erdit Bolla, ndërsa Gjykata e Savonës dëgjoi dhe pretendimet e dy shqiptarëve të tjerë, Eduart Biba dhe Adriatik Buci, të cilët gjithashtu hodhën poshtë akuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë së Savonës.
Sipas mediave vendore, pritet që ditën e sotme të merren në pyetje pjesa tjetër e të arrestuarve, ku ndër ta është dhe shqiptari Genti Troka.

Të arrestuarit

Indrid Deda
Helion Deda
Emilian Gjergji
Artan Demiri
Eduard Biba
Genti Troka
Erdit Bolla
Adriatik Buci

Aksidenti në Gramsh, gjendet trupi i katërt

GRAMSH – Gjendet pas ditë të tëra kërkimesh trupi i Elis Soganit, viktimës së fundit të aksidentit të ndodhur gati një javë më parë në Gramsh. Kufoma u gjet dje në vendin e quajtur Kodovjat, rreth 15 kilometra nga vendi ku ndodhi aksidenti, pasi ishte lëvizur nga uji. Mësohet se trupi i shoferit të furgonit ka qenë i dëmtuar dhe është gjetur nga banorët e zonës, ndërsa është nxjerrë nga palombarët. Deri në këto momente nuk ka asnjë gjurmë të makinës për shkak të reshjeve dhe prurjeve nga malet, ujërat e shumta të lumit e kanë vështirësuar tej mase kërkimin e trupit të tij, ndërkohë që vështirësi ka pasur edhe për nxjerrjen e trupave të tjerë. Nga hetimet dyshohet që shkak i aksidentit të rëndë të ketë qenë shpejtësia dhe humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit. Nuk përjashtohet dhe ndikimi i alkoolit që ata kanë konsumuar para nisjes për udhë.
Pak ditë më parë, palombarët arritën të gjenin dhe të nxirrnin trupat e tre viktimave të tjera Petrit Ahmetit, Behar Senkollarit dhe Dritan Ballës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të ditës së diel, në vendin e quajtur Mollë-Gra-bollë, 45 km larg nga qyteti i Gramshit, pjesë e rrugës nacionale Gramsh-Korçë. Automjeti furgon me targë KO 1893 B, që drejtohej nga Elis Sogani, ka devijuar nga aksi i rrugës duke u rrokullisur në humnerë e duke përfunduar në dallgët e lumit të Grabovës së bashku me katër personat që ishin në të.

Reagon imami i dëbuar nga Kosova: “Veprimtaria ime, humanitare”

ELBASAN – Pas dëbimit të tij nga Kosova për shkelje të legjislacionit të atij shteti, imami Kastriot Xhemal Duka ka reaguar me një konferencë për shtyp. Duka deklaroi se i gjithë aktiviteti i xhamisë së tij ka qenë humanitar, për të ndihmuar në përmirësimin e jetës së banorëve të këtij fshati. “Aktiviteti im ka qenë humanitar në fshatin Marinë të Komunës Skënderaj. Kemi sponsorizuar për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë, në ndërtimin e shkollës si dhe çdo muaj sponsorizonim 400 jetimë duke u dhënë shumën 20 euro në muaj”, – deklaroi ai.
Imami Duka pranon se nuk kishte leje për të qenë zyrtarisht Imam në Kosovë, por tregon se aktiviteti i tij ka qenë humanitar dhe fondet ai i siguronte nga një shoqatë me bazë në Angli, vërtetësia e së cilës mund të vërtetohej. Po kështu, çdo veprim financiar që bënte ai si imam dhe xhamia e tij ishte i verifikueshëm. Në fund të fjalës së tij Duka u shpreh se akuzat ndaj tij kishin nisur gati një vit më parë dhe akuzon myftiun e komunës Skënderaj, Nexhmudin Maksudin, si përgjegjës për sulmin, pasi kërkonte të vendoste imamin e vet. “Më akuzuan në fillim jo si grek, jo si i lidhur me Al- Kaedën, jo për veprimtari të dyshimtë, jo për çështje nderi, më pas po qarkullon shumë para. Aktiviteti im ka qenë humanitar”, – mbylli deklaratën Imami Kastriot Xhemal Duka.

5 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›