Prania e Presidentit
Gjëma e Gërdecit, ndonëse mbushi javën e ndodhisë, vazhdon të rrezatojë ankth e dhembje, revoltë dhe tension, akuza e polemika, kureshtje e pasiguri, kërkesa për dorëheqje e arrestime. Pak kanë analizuar megjithatë faktin se i takoi Topit, presidentit me moshë më të re të Shqipërisë demokratike, për ta përballuar këtë situatë frikshëm të rënduar. Si po ndjehet prania e tij gjatë këtyre ditëve? E para gjë që bie në sy është se Presidenti e ka gjetur për fat të mirë, mënyrën për të qëndruar larg manive ekzibicioniste para kamerave e mikrofonave, të zakonshme për klasën tonë politike.
Edhe fjala në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtarë, se “Tragjedia e Gërdecit nuk mund të mbetet jetime. Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra”, janë shpresë e rigjetur, se autorët “kushdo qofshin ata”(!), nuk do ta kapërcejnë edhe këtë radhë lumin pa u lagur. Mbi debatet dhe polemikat e ashpra të politikanëve, mbi shkresat e shkresurinat e burokratëve, mbi dialogët e regjistruar, përmes mëdyshjeve, thirrjeve, qirinjve të ndezur, opinioneve, analizave, këto fjalë janë një siguri më shumë, se më në fund, ligji mund të jetë i barabartë për të gjithë, se drejtësia do të bëhet. Vetëm kjo Drejtësi është homazhi i duhur pranë trupave të shkrumbuar të viktimave dhe një qetësim për dhimbjen e të afërmve të tyre.
Një gjë mund të thuhet me saktësi: Valët dhe krismat shkatërruese të shpërthimit të para një jave, nuk janë shuar e nuk do të shuhen lehtë, ato vazhdojnë të përfshijnë tashmë sfera të larta të shoqërisë sonë: pushtetarë, politikanë, qeveritarë. Akuzat dhe kundërakuzat, përgojimet, sulmet që po fryjnë egër këto ditë nga të gjitha anët e politikës shqiptare, madje dhe përtej saj, vetëm një drejtim nuk kanë: atë drejt Presidencës. Kjo nuk është e rastësishme, por lidhet me performancën e deritanishme të këtij institucioni. Në këtë xhungël shqiptare, ku korrupsioni i ka zgjatur metastazat egërsisht në të gjitha qelizat e shoqërisë dhe shtetit tonë, kur mafia ulet këmbëkryq edhe në karrige e frone të larta, me ligjet e saj që sfidojnë hapur ligjet e shtetit, na nevojitet një President i guximshëm. Burimi i këtij guximi vjen tek korrektesa para ligjit, tek përgjegjësia e kryerjes së detyrës më të lartë, siç është ajo e Presidentit. Le të shpresojmë për mirë. Vlerësimet nuk kanë munguar. Qytetarët kanë nevojë dhe e mbështesin këtë zë. Por edhe partnerët jashtë Shqipërisë (bie në sy qëndrimi dhe vlerësimi i Presidentit të SHBA në telegramin e ngushëllimit pas Gërdecit).
Në këtë humbellë dhembjeje ku kemi rënë, njerëzit kanë nevojë të ndjejnë se kur flet Presidenti, nuk bëhet fjalë thjesht për një deklaratë shtypi. Retorika e tij na bën të besojmë se z.Topi e di këtë: “Duhet të marrë fund, njëherë e mirë, puna e zezë në vend... Nuk mund të ketë më tolerancë ndaj atyre që duan të pasurohen në kurriz të fëmijëve”.
Le të besojmë se organet e drejtësisë këtë herë do të jenë në lartësinë e detyrës dhe vetë Presidenti do ta ndjekë me përgjegjësinë më të lartë këtë proces. Shqiptarët kanë nevojë të ndjehen të sigurt në atdheun e tyre. Një kthjelltësi veprimi e qëndrimi, një shembull i devotshmërisë ndaj popullit të vet, përballë së keqes së madhe që ka përfshirë shoqërinë tonë, janë të domosdoshme për të na ridhënë shpresën se kjo Shqipëri mund të bëhet e do të bëhet.
*Autori është ish-kryetar i PD, Kukës