E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rifillon puna për zbulimin e mozaikut

ELBASAN- Rifilluan punimet për zbulimin e mozaikut në qendër të qytetit të Elbasanit, i cili mendohet t’i përkasë një bazilike të vjetër. Specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës mbërritën në Elbasan për të konfirmuar rifillimin e punimeve, për të zbuluar në total mozaikun që mendohet të jetë rreth 15 metra i gjatë. Në të paraqiten pamje nga kopshti i Edenit. Nxjerrja në dritë e mozaikut me ngjyra disa muaj më parë, gjatë gërmimeve të bazuara në një dokument të konservuar nga Muzeu Etnografik, ka çuar në zbulimin e elementëve shumë të rëndësishëm arkeologjikë. Zbulimi i këtij mozaiku e ka kthyer Elbasanin në qendër të vëmëndjes për punimet dhe të rejat arkeologjike, që hedhin dritë edhe mbi të dhëna të reja historike të këtij qyteti. Mozaiku është kthyer në një vend pelegrinazhi për të gjithë vizitorët e bashkisë së Elbasanit. Të enjten në mesditë specialistët deklaruan planin e gërmimeve të kreut të bashkisë Qazim Sejdini, i cili po ndjek me interes zbulimin e këtyre objekteve historike si një mundësi për të tërhequr vëmendjen e turistëve ndaj Elbasanit. Punimet do të vazhdojnë deri në zbulimin e plotë të mozaikut. Po kështu pritet të ketë punime edhe për zbulimin e një tempulli, i cili mendohet të jetë nën tokë, shumë afër bustit të Aqif Pashës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›