Çfarë ka në kufi me Kosovën...
Sipas rezultateve të sondazheve, serbët janë 70% pro anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por në kutitë e votimit, gjysma zgjodhi partitë nacionaliste, skeptike ndaj Evropës. Një arsye për këtë është mbështetja e Perëndimit për pavarësinë e Kosovës, tjetra populizmi i nacionalistëve. Këta duan të kthejnë mbrapa transformimin demokratik të vitit 2000. Përkrahjen nacionalistët e gjejnë tek ajo shtresë, e cila nuk ka përfituar nga hovi në ekonomi. Këtë e mbështet edhe ish-ministri i Jashtëm serb, Goran Svilanoviq. "Këta njerëz duan një rritje të shpejtë ekonomike. Janë të pakënaqur me standardin e tyre jetësor, dhe me rrogat. Politika neoliberale gjithashtu i bën të pakënaqur, por në thelb shumica e këtyre njerëzve nuk janë kundërshtarë të Bashkimit Evropian".
Prodhimi i Përgjithshëm Bruto i Serbisë për individ është 5.500 dollarë. Në vitin 2007 sasia e të gjitha mallrave të prodhuar dhe shërbimeve u rrit me më shumë se 7% krahasuar me vitin 2006. Krahasuar me dhjetëvjeçarin e shkuar të luftërave dhe embargos ekonomike, gjendja e serbëve është përmirësuar dukshëm. Megjithatë ata janë tepër larg nivelit evropian të jetesës. Në të vërtetë rrogat u rritën në rreth 580 Euro mesatarisht, inflacioni dyshifror veçse ka bërë që çmimet të jenë kaq të larta saqë shumica e artikujve ushqimorë janë vetëm 25% më lirë sesa në Gjermani. Ketë vit, shkëputja e Kosovës pritet ta paralizon ekonominë serbe. Qeveria e dorëhequr nuk mund të zbatojë paketën miliardëshe të zhvillimit ekonomik për shkak të konfliktit me BE-në.
Pasi shumica e partnerëve tregtarë kanë njohur shtetin e Kosovës, atmosfera antiperëndimore në Serbi frenon ardhjen e investitorëve të mundshëm. Në Serbi e sundojnë tregun financiar bankat austriake, greke, italiane. Pas më shumë se një dhjetëvjeçari në varfëri, serbëve u del tashmë të blejnë mobilje të reja, por për këtë ata duhet të paguajnë një çmim të lartë. Bankat japin me zor kreditë për ndërmarrjet e biznesit. Punëdhënësit me të mëdhenj mbeten ndërmarrjet shtetërore dhe monopolistët e pakët të tregtisë. Ekonomisti serb Djogoviq paralajmëron: “Nuk mund të pritet që Serbia të eksportojë produkte të gatshme në BE. Ne vazhdojmë të jemi si edhe më parë një burim resursesh për vendet e industrializuara, duhet veçse të importojmë nga këto shtete teknologjinë me qëllim që të forcojmë aftësinë tonë konkurruese. Për fat të keq, ne marrim vetëm mallra shumice. Për këtë arsye, bilanci ynë tregtar edhe në të ardhmen do të jetë negativ. Por Serbia mund të hapë tregje të reja, ose t’u kthehet në tregjeve tradicionale afrikano-veriore, gati të harruara”.
*Autori është korrespodent i shtypit gjerman nga Beogradi