E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm për Parisin

Në galerinë e arteve pranë pallatit të kulturës “Lasgush Poradeci “ Piktori i Merituar “ Anastas Kostandini hapi ekspozitën e tij më të fundit “Parisi”. Quhet kështu sepse të gjitha punët e tij rreth 50, i kushtohen këtij qyteti magjik. Sapo shkel në ekspozitën e hapur në kuadrin e ditëve të frankofonisë “Pranvera franceze”, ndeshesh me bukuritë befasuese të Parisit, të cilin autori e ka vizituar dy vjet më parë. Gjatë qëndrimit u dashurua aq shumë me qytetin, saqë nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të hidhte në tablo gjithë mrekullitë e tij. Në një tablo të madhe, natën nën një prush dritash shquhet kulla Eifel. Me tone të ngrohta hasi njëri pas tjetrit simbolet e Parisit, Bulevardin Champs Elise dhe në mes, Harku i Triumfit i sjellë nga autori me të gjithë madhështinë e tij. Autori ruan formën masive dhe tepër hijerëndë të monumentit, ndërtuar sipas stilit roman. Kombinimi i ngjyrave dhe ruajtja e simboleve dekorative mbi këtë hark e sjellin në madhështinë reale. Papritur të shfaqet një tablo tjetër me katedralen e famshme të Notre Dame. Kjo vepër mjeshtërore e cila ka zgjatur plot 167 vjet për tu ndërtuar. Autori ruan befasinë që të krijon katedralja gjigante. Tablotë ndjekin njëra- tjetrën. Parku i Luksemburgut, Pallati i Versajës, sheshi Konkord, Sheshi Etual, restoranti i vjetër “Fuke”, i frekuentuar nga artistët e mëdhenj, Ura e Almës, ku humbi jetën princesha Djana, lagjia La Defance e ndërtuar në vitin 1980, francezët xhelozë për centrën e Nju Jorkut. Kostandini dhe në këtë tablo e ruan masën e ngjyrave duke na i dhënë luksin e kësaj lagjie sa më reale, me një plasticitet të veçantë, duke ruajtur kombinimin e ngjyrave duke na dhënë në sfond edhe shumë peizazhe të lodhura nga qetësia me tufat e reve të bardha, të cilat duken sikur prekin katedralet dhe kullat e larta. Një vend të veçantë në ekspozitë zë dhe lumi Sena me qetësi perëndie që nanurit i qetë nën peshën e tragetëve dhe vizitorëve të shumtë që e vizitojnë Parisin. Urate bukura dekorative, krijojnë një atmosferë të veçantë. Një tablo Kostandini i ka kushtuar edhe muzeut të Luvrit. Piramida e xhamtë me 600 rombet e saj dhe masivet e gurta të ndërtesave rrotull, që të çojnë në pavionet e tij janë pasqyruar në lëvizje, duke na dhënë radhën e gjatë të vizitorëve në oborrin e muzeut. Padyshim vendosja në sfond e “Xhokondës”, tregon pasuritë që ka brenda ky muze. Duke ndjekur në pavion ekspozitën e Piktorit të Merituar Anastas Kostandini të duket sikur ke lëkundur një kaleidoskop që në çdo lëvizje të nxjerr një mozaik të veçantë shumëngjyrësh nga tablotë e Kostandinit për bukuritë e Parisit të cilat janë sjellë nga autori në mënyrë mjeshtërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›