E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja në art

Një libër i shkurtër, prej 70 faqesh, interesant për tu lexuar, pavarësisht temës së rëndë. “Komshinjtë e vdekjes”, ky është libri i fundit i shkrimtarit Mark Simoni. Këtë herë Simoni i largohet krjimit të mirëfilltë dhe merret me hulumtim. I ka tërhequr vëmendjen e tema e vdekjes, e pashmangshme në jetën e gjithkujt, ashtu edhe në art. Libri ka tre linja, vdekjen si një ngjarje e zymtë dhe e trishtë, që ka qënë temë e shumë shkrimtarëve dhe veprave të tyre. Këtu ai përmend shkrimtarë të huaj e shqiptarë, që i janë qasur kësaj teme, nisur edhe nga tragjedi personale, si në rastin e shkrimtarit Zija Çela, për të vazhduar me Çajupin, Hilë Mosin, Zef Skiroin, Zef Seremben, Ndoc Gjetjen, Izabel Alienden, etj. Për të parë vdekjen e trajtuar në piktura të epokave të ndryshme, si tek Van Gogu, Mynch, okultistikë dhe dije të errëta, mistikë, muzika moderne e ndikuar nga tema dhe ngjarje që kanë lidhje me vdekjen. Si është parë vdekja nga filozofët më të rëndësishëm, si është trajtuar në kultura e në popuj të ndryshëm si një pjesë e etnologjise, e plot fakte e detaje të tjerë kulturologjike. Linja e dytë është figura e korbit, këndvështrime të ndryshme mbi këtë shpend që thuhet se ka atributin e parashikimit të vdekjes. Korbi në letërsi të ndryshme, në kultura të vjetra e të reja, misticizmi i tij, e plot fakte të tjera (rreth 80 raste të përmendjes së këtij shpendi interesant në të gjitha fushat e arti, kulturës e krijimit). Figura e korbit haset që në mitologjinë shqiptare, haset në folklor (“Përtej urës së Qabesë”), por edhe tek poetët modernë, si Martin Camaj. Linja e tretë mbështetet tek veprat e disa shkrimtarëve që kanë shkruar për fëmijët e tyre që kanë ikur nga kjo jetë, si Sabato, Aliende, Still, Karduçi, Ungareti, Eric Clapton, Podrimja, Çela, etj. Këto linja ndërthuren në libër, pasi çdonjëra plotëson tjetrën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›