Aksidenti në Llogora, shkak prishja e frenave
Aksidenti i orëve të vona në Llogora mendohet të jetë shkaktuar nga moskomandimi i frenave. Të paktën ky është versioni i dhënë nga drejtuesi i automjetit i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy prej shokëve të tij humbën jetën e tre të tjerë u plagosën. Siç bëhet me dije, si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit, ka dalë nga rruga një autovinç IFF, me targa Fieri, FR 3157 B, i cili po kthehej nga Dhërmiu. Me automjetin e rëndë po udhëtonin 6 persona, të cilët çdo ditë udhëtonin në drejtim të zonës së bregut, ku punonin. Mjeti ka zënë poshtë të gjashtë personat që kanë qenë në kabinën e kamionit.
Si pasojë dy kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa katër kanë marrë plagë të rënda. Në vendngjarje kanë mbërritur efektivë policie rrugor, të rendit dhe FNSH-së, zjarrfikësja, ambulanca, të cilët kanë kryer operacionin e shpëtimit në ndihmë të katër personave që ishin në kabinën e kamionit. Lëvizja e hekurishteve të kamionit u bë e mundur me një vinç, pasi efektivët e policisë dhe të tjerë e kishin të pamundur të lëviznin trupat poshtë automjetit. Dy viktimat u çuan në morgun e spitalit të Vlorës.
Ata janë Asqeri Alanjaku, nga fshati Plug i Fierit dhe Kastriot Hoxha, nga fshati Krops, të cilët punonin si punëtorë ndërtimi. Burime nga spitali i Vlorës bëjnë me dije se nga të mbijetuarit janë dy persona në gjendje të rëndë, që vijojnë të jenë ende në reanimacion, kurse dy të tjerët kanë dalë nga rreziku për jetën. Drejtuesi i automjetit, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ka shpjeguar se gjithçka ka qenë nga moskomandimi i frenave. Mosfunksionimi i mekanizmit sipas tij ka bërë që mjeti të dalë nga rruga e më pas të përfundojë shumë metra poshtë, çka solli dhe pasoja tragjike për punëtorët.