E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranohet kërkesa e të pandehurve, Gjykata ndan dosjen e Gërdecit

Vetëm ish-ministri Fatmir Mediu do të gjykohet nga Gjykata e Lartë. Të pandehurit e tjerë dhe shoqëria “Albademil” do të gjykohen nga Shkalla e Parë

Laureta Rryçi

Tiranë - Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të gjykohet i ndarë nga të pandehurit e tjerë të akuzuar nga Prokuroria shqiptare si persona që janë përgjegjës apo që kanë pasur lidhje me tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec të Vorës. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi të pranonte kërkesën e të pandehurve të këtij procesi për veçimin e gjykimit. “Kërkesa e avokatëve është e bazuar në ligj”. Ky ishte një nga argumentet e kolegjit penal, duke hedhur kështu poshtë Akuzën, e cila kërkoi mospranimin e saj. Në bazë të këtij vendimi dosja në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, do të gjykohet në Gjykatën e Lartë, ndërsa dosja e 28 të pandehurve të tjerë do të gjykohet nga Gjykata e Tiranës.
Vendimi
Për shkak të juridiksionit dhe për të mos i mohuar të drejtën për t’u ankimuar, kolegji penal vendosi dje në favor të të pandehurve. Gjykata e Lartë gjithashtu nuk pranoi as kërkesën e avokates mbrojtëse të familjeve të viktimave për të ngritur padi civile për dëmshpërblim. Sipas kolegjit penal të kësaj gjykate, shqyrtimi i kësaj kërkese është kompetencë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Avokatja mbrojtëse kundërshtoi vendimin dhe deklaroi se do të ndiqte më tej procedurat ligjore për të kundërshtuar vendimin. Po kështu, Gjykata e Lartë nuk pranoi edhe kërkesën e Avokatit të Shtetit duke e konsideruar si padi civile për të cilën nuk ka kompetencë për ta gjykuar. Kolegji penal, në vendimin e djeshëm, arsyetonte se si padia e Avokatit të Shtetit, ashtu edhe ajo e familjarëve, nuk duheshin gjykuar në një dosje me padinë penale. Sipas tyre, kjo do të vështirësonte gjykimin e drejtë të padisë penale duke qenë se në padi civile procedurat janë të ndryshme.
Kërkesat
Me vendimin e djeshëm Gjykata e Lartë rrëzoi për herë të dytë kërkesat e grupit të prokurorëve që kanë hetuar për tragjedinë e Gërdecit. Në një seancë të mëparshme një tjetër kolegj i Gjykatës së Lartë rrëzoi kërkesën e grupit të prokurorëve, të kryesuar nga Sokol Stojani, për përjashtimin e tre gjyqtarëve, përfshi këtu edhe kreun e trupit gjykues, Besnik Ymeraj. Prokuroria gjykoi se tre gjyqtarët nuk mund ta shqyrtojnë dot dosjen pasi, sipas saj, këta kanë konflikt interesi me të pandehurit. Të gjitha këto pretendime nuk u pranuan dhe i njëjti kolegj penal u njoh me kërkesat paraprake duke vijuar edhe me vendimin e djeshëm. Përfaqësuesit e prokurorisë i kërkuan këtij kolegji që të mos e veçonte dosjen duke e paralajmëruar se gjykimi do të përfshihej në kaos nëse do të gjykonin njëherësh dy gjykata. Ndërsa avokatët mbrojtës të 19 të pandehurve, nga 29 që janë gjithsej, kërkuan veçimin e dosjes për klientët e tyre. Sipas përfaqësuesve ligjorë, klientët që ata përfaqësojnë nuk kanë imunitet dhe për pasojë nuk është kompetencë e Gjykatës së Lartë gjykimi i tyre, por është Gjykata e Tiranës.

Reagimi
Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, të parët që kanë reaguar ishin familjarët e viktimave të Gërdecit. Të pranishëm në çdo seancë që është zhvilluar deri tani, pas këtij vendimi ata e cilësuan Gjykatën e Lartë jo të drejtë dhe absurde në verdiktin e dhënë. Sipas banorëve, gjyqtarët duket se kanë harruar se ata kanë humbur 26 të afërm të tyre dhe për këtë arsye nuk duhet t’u krijojnë lehtësira asnjërit prej tyre.

Dosja e bujshme që po shpërbëhet

Dosja “Gërdeci”, për të cilën Prokuroria ngriti akuzë për 29 persona, ndodhet për gjykim në Gjykatën e Lartë, pasi njëri nga të pandehurit është ish-ministri i Mbrojtjes, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili ishte me imunitet. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i ish-ministrit Mediu, seancën e kaluar u shpreh se për këtë vendim ia linte në çmim të Gjykatës, duke mos u shprehur kështu më konkretisht në lidhje me këtë kërkesë. Nga 29 të pandehur, të cilët Prokuroria i ka ulur në bankën e të akuzuarve si përgjegjës për shpërthimin e fabrikës së demontimin “Albademil”, vetëm 4 janë të arrestuar. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, administratori i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, ish-drejtori Teknik të fabrikës, Dritan Minxolli, si dhe ish-punonjësi i “MEICO”-s, Sokol Gjeçi. Të pandehur që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha, zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Sokol Gjeçi, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi.

Të dhëna zyrtare pas tragjedisë, të cilat janë në dosjen për gjykim

26
është numri i viktimave
27
persona u plagosën rëndë
109
persona u plagosën lehtë
67
persona me dëmtime të tjera të lehta
61
persona të tjerë të trajtuar në spitale
5829
personave u është shkaktuar dëm material
2 141 343 616
lekë është vlera e dëmit të shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi etj.
13
ferma bujqësore dhe blegtorale janë dëmtuar
102 500 000
lekë është vlera e dëmit shkaktuar shtetit
1 323 600 354
lekë është vlera e dëmit material nga shpërdorimi i detyrës

Të pandehurit e procesit të Gërdecit

Fatmir MEDIU

Ylli Pinari
Sokol Gjeçi
Mihal Delijorgji
Dritan Minxolli
Ardian Mullahi
Shkëlzen Madani
Dashnor Çaushi
Armand Tartari
Luan Hoxha
Agim Lala
Hilmi Laçaj
Ndue Marku
Shpëtim Spahiu
Zihja Bahja
Agim Babameto
Rezart Tërshana
Besnik Dauti
Fatbardh Kuçi
Gëzim Oshafi
Jorgo Mino
Denis Hajdari
Fari Toska
Zenun Fero
Hysni Çoçka
Adriatik Mema
Juliana Margariti
Lavdi Shatro
Fiqiret Mato
Personi juridik, shoqëria “Albademil” sh.p.k.

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›