E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti ndëshkues: “Shqiptarët nuk përfitojnë lehtësim lëvizjeje në vitin 2010”

Iniciativa Europiane për Stabilitetin publikon raportin para vendimit të BE-së. Rendi, siguria, kufijtë dhe emigrimi marrin notat negative nga Brukseli

Albert Gjoka

Shqipëria ngel në klasë në testin për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian. Vetëm dy ditë para marrjes së vendimit nga Komisioni Europian, Iniciativa për Stabilitet Europian ka publikuar një raport ku dilet në konkluzionin se qeveria shqiptare nuk ka realizuar të gjitha reformat e kërkuara për lehtësim lëvizjeje. Ky raport është bazuar në vlerësimet e ekspertëve të BE-së, që realizuan misionet monitoruese në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Reformat e ndërmarra nga Tirana zyrtare janë vlerësuar me notën 3, niveli më i ulëti në rajon. Garantimi i rendit dhe i sigurisë, vonesa në shpërndarjen e pasaportave biometrike dhe niveli i menaxhimit të kufijve dhe emigracionit janë ndër pikat më të kritikueshme të ekspertëve të BE-së. Kjo notë përkon me mospërputhjen e standardeve. Pra, ashtu siç është paralajmëruar edhe më parë, më 25 maj, por edhe në mbledhjen e radhës së Këshillit të BE-së, që mbahet në kryesimin e presidencës çeke më 29 qershor, shqiptarëve nuk do t’u hapet drita jeshile për të lëvizur lirshëm në zonën e Shengenit.
Raporti
Iniciativa për Stabilitet Europian (ESI – European Stability Initiative), një institut politikash me qendër në Bruksel, Berlin e Stamboll, që merret me analiza komplekse të çështjeve të ndryshme, ka publikuar dje një dokument krahasues vlerësimi me standardet që kanë plotësuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të përfituar nga regjimi i liberalizimit të vizave. Dokumenti i publikuar është bazuar te vizitat e ekspertëve të misionit vlerësues të situatës dhe të Vlerësimit të Komisionit Europian të implementimit të udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave nga ana e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Vlerësimi i Komisionit Europian do të diskutohet nga vendet anëtare të BE-së më 25 maj 2009. Në bazë të këtyre vlerësimeve, Bashkimi Europian do të vendosë se cili prej vendeve do të përfitojë lëvizjen e lirë për qytetarët e vet, duke filluar nga viti 2010.
Vlerësimi
Komisioni Europian, në vlerësimin e tij për përmbushjen ose jo të standardeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, ka përdorur 6 shprehje të ndryshme, të cilat variojnë nga “plotëson standardet” deri te “nuk plotëson standardet”. Sipas metodologjisë së vlerësimit, nota 1 përkon me “përmbushjen e standardeve”, nota 2 përkon me “përmbushjen e shumicës së standardeve” dhe nota 3 përkon me “mospërmbushjen e standardeve”.
Shqipëria renditet e fundit, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, duke marrë notën 3 në të katër blloqet e udhërrëfyesit, ndërkohë që Maqedonia ka marrë notën 1, duke qenë se i ka plotësuar të gjitha standardet. Mali i Zi dhe Serbia kanë marrë notën mesatare 1,75 dhe presin vendimin e BE-së në lidhje me heqjen e regjimit të vizave “Shengen” për qytetarët e tyre. Shqipëria ka marrë vlerësimin më negativ në të katër blloqet e kritereve të udhërrëfyesit, ndërkohë që Maqedonia ka marrë vlerësimin maksimal.
Standardet
Shqipëria ka mbetur në dy prej katër standardeve të përcaktuara në udhëzuesin e Komisionit Europian (roadmap). Dalja me vonesë e pasaportave biometrike ka bërë që të mos përfshihet në vlerësimin e ekspertëve të BE-së çështja e sigurisë së dokumenteve të identitetit. Pika e dytë kritike ka të bëjë me menaxhimin e kufijve dhe emigrimin. Raporti thotë se Shqipëria është në rrugën e duhur përsa i përket Kapitullit Nr. 4, që ka të bëjnë me liritë themelore dhe marrëdhëniet e jashtme, por kërkohet që të bëhen përpjekje shtesë për respektimin e minoriteteve dhe luftën kundër diskriminimit. Po ashtu, puna e bërë nga strukturat e Ministrisë së Brendshme për garantimin e rendit dhe sigurinë nuk i ka bindur sa duhet ekspertët e Brukselit. (Për më shumë, shih tabelën e standardeve.)

Përgatitja
Raportet e misioneve të vëzhgimit, duke u kombinuar edhe me informacionin që është dërguar nga vetë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë shërbyer si bazë për përgatitjen e raporteve më të fundit të vlerësimit të Komisionit për secilin vend. Sipas Alexandra Stiglmayer, analiste pranë Iniciativës për Stabilitet Europian, “javën tjetër, më 25 maj 2009, Komisioni Europian do të diskutojë mbi këto rezultate me zyrtarët e vendeve anëtare dhe më pas do të sugjerojë heqjen e regjimit të vizave ‘Shengen’ për Maqedoninë, ndërkohë që për momentin do ta refuzojë këtë për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Mali i Zi dhe Serbia do të duhet të tregojnë se progresi impresiv i kohëve të fundit, i realizuar nga qeveritë e këtyre vendeve, do të vazhdojë edhe më tej, në mënyrë që të përfitojnë regjim pa viza me BE-në. Në rast të një vendimi negativ për to, një opsion i tretë vetëm për këto dy vende (Mali i Zi dhe Serbia) është një vlerësim i ri final nga ana e Komisionit Europian rreth fundit të muajit korrik 2009”.

Vizat, premtimi kryesor i qeverisë “Berisha” në këto zgjedhje

Kur kanë mbetur më pak se 40 ditë për t’u zhvilluar zgjedhjet, një ndër pikat më të forta të maxhorancës është premtimi për liberalizimin e vizave të shqiptarëve me Bashkimin Europian. Vetë kryeministri Berisha ka deklaruar se në fillimin e vitit 2010 shtetasit e këtij vendi mund të lëvizin lirshëm në zonën e Shengenit. Ai e ka deklaruar në shumicën dërrmuese të takimeve elektorale të kohëve të fundit. Kjo kartë vazhdon të mbetet një ndër pikat më të forta për Partinë Demokratike, e cila hyn në këto zgjedhje duke vënë afate konkrete për qarkullimin pa viza të shqiptarëve. Pak kohë më parë ishte në Tiranë komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, Zhak Barrot, njëherësh edhe zëvendëspresident i Komisionit Europian. Ai bëri të ditur 6 kushtet e kërkuara nga BE-ja në këmbim të lehtësimit të regjimit të vizave. Në marrëveshjen e firmosur nga vendi ynë me Brukselin, më 1 janar 2008 janë përcaktuar 5 standarde, të ndara në 42 pika. Edhe në takimin e Këshillit të Stabilizim – Asocimit, mbajtur disa ditë më parë, kërkohej nga Shqipëria që të realizoheshin të gjitha pikat e shtruara në këtë marrëveshje. Reformat në Drejtësi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, menaxhimi i integruar i kufijve, shpërndarja e dokumenteve të reja të identitetit, respektimi i të drejtave të njeriut, janë disa ndër kërkesat e parashtruara nga Brukseli.

Standardet për viza, Shqipëria e fundit në rajon

Vetëm Shqipëria dhe Bosnja nuk kanë realizuar kërkesat e përcaktuara nga Bashkimi Europian për të përfituar një regjim të lehtësuar vizash. Sipas raportit të Iniciativës Europiane për Stabilitet, këto dy vende janë vlerësuar me notën 3. Ndërsa i vetmi vend që ka realizuar të gjitha kushtet e kërkuara është Maqedonia, e cila ka marrë notën 1. Kjo do të thotë se qeveria e Shkupit i ka zbatuar kushtet e përcaktuara për lehtësimin e lëvizjes për shtetasit e saj. Ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë realizuar shumicën e kushteve. Ato kanë marrë të njëjtin vlerësim në sistemin e pikëzimit; reformat e tyre janë përkthyer me 1.75 pikë. Ndërsa Kosova nuk është përfshirë edhe në procesin e monitorimit në kuadrin e politikave të liberalizimit të lëvizjes.

SISTEMI i VLERËSIMIT

Maqedonia realizon kushtet 1 pikë
Mali i Zi realizon shumicën e kushteve 1.75 pikë
Serbia realizon shumicën e kushteve 1.75 pikë
Shqipëria nuk realizon kushtet 3 pikë
Bosnja nuk realizon kushtet 3 pikë
Kosova nuk është e përfshirë në monitorim -

Shqipëria Bosnje Hercegovina Maqedonia Mali i Zi Serbia
Siguria e dokumenteve te identitetit 3 3 1 1 1
Migrimi illegal, përfshirë, riatdhesimin 3 3 1 2 2
Rendi publik dhe siguria 3 3 1 2 2
Marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore 3 3 1 2 2

VLERËSIMI PËR STANDARDET

Standardet Vlerësimi
Siguria e dokumenteve te identitetit Shqipëria nuk ka realizuar plotësisht të gjitha kërkesat e specifikuara në kapitullin e parë të Udhëzimit (roadmap) Garancia e paraportave biometrike nën një procedurë të personalizuar nuk mund të vlerësohet gjatë periudhës që përfshin përgatitjen e raportit vlerësues (sepse janë shpërndarë vetëm pak pasaporta
Migrimi illegal, përfshirë, riatdhesimin Duket se Shqipëria nuk ka realizuar të gjitha kushtet e specifikuara në kapitullin e dytë të udhëzimit. Duhet të bëhet më tepër progres në sektorët e menaxhimi të kufijve dhe migrimit
Rendi publik dhe siguria Shqipëria ka bërë disa përparime në fushën e rendit publik dhe sigurisë, por duket se nuk ka realizuar të gjitha kushtet e përfshira në kapitullin e tretë
Marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore Shqipëria duket se është në rrugën e drejtë në realizimin e kushteve të përcaktuara në këtë kapitull. Përpjekjet duhet që të përqendrohen më shumë në mbrojtjen e minoriteteve dhe luftën kundër diskriminimit

23 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›