E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera e brishtë e Moskës

Putin ka grumbulluar pushtet të jashtëzakonshme në duart e tij, policët po bëhen gjithnjë e më të korruptuar dhe pasuria e vendit po përqendrohet gjithnjë e më shumë në duart e një grushti njerëzish. Ndërkaq rusët kanë nisur të zgjohen pas një letargjie shumë të gjatë

A e dini se përse policët rusë nuk shkojnë kurrë për të marrë rrogën? Sepse nuk dinë se ku t’i venë monedhat e vogla. Kjo është një barsoletë e vjetër që qarkullonte në periudhën sovjetike në Rusi. Në atë kohë qarkullonte nën zë dhe me frikë, sepse regjimi nuk të falte. Si për ironi të fatit kjo barsoletë ka nisur që të qarkullojë edhe sot, vetëm se tani e gjen në faqet e para të gazetave të përditshme, me germa të mëdha, apo në blogjet e shumta të internetit.

Për Rusinë, kjo është një pranverë e brishtë revolte, që shkon përtej një barsolete dhe që godet zemrën e një sistemi të tërë pushteti që ka shumë pak gjasa të ndryshojë edhe për 6 ose 12 vjet të tjerë me shkëmbimin e stafetës mes Medvedev dhe Putin. Por gjithsesi, është një sistem që po shton gjithnjë e më shumë indinjatën e popullit që ka nisur të organizohet në protesta si ato të së shtunës së kaluar në Vladivastok dhe Kaliningrad. Njerëzit më në fund dhe pak nga pak po ngrenë zërin, të denoncojnë njerëzit, punët dhe veprat e padrejta. Opozitës përditë i ofrohen nga njerëz të zakonshëm fakte dhe prova të reja të shkeljeve, dhunimeve, padrejtësive të njerëzve që janë në pushtet. Njerëzit e thjeshtë janë vazhdimisht nën një presion të mekanizmave shtetërorë. Të gjithë e dinë që një polic është i plotfuqishëm në rrugë dhe nëse të ndalon kur je duke ecur me makinë nuk ke shanse të shpëtosh pa u dënuar me gjoba të majme, sepse edhe sikur të kesh gjithçka në rregull, njeriu me uniformë do të gjejë gjithmonë një sebep për të të penalizuar, sepse është i plotfuqishëm. Ai mund të ta kursejë gjobën vetëm nëse nën dorë do t’i fusësh ndonjë kartëmonedhë. Dhe ky është vetëm një detaj i një sistemi të kalbur korruptiv që ka përfshirë gjithë Rusinë. Por ka edhe më keq. Në shumë raste vetë policët janë në borderonë e grupeve kriminale që i paguajnë rregullisht për të mbajtur sytë dhe gojën mbyllur para shkeljeve flagrante e veprave të rënda. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për policë, por edhe për hetues që shpikin prova false për t’u ngritur kurth tregtarëve, të cilët nuk pranojnë t’u paguajnë keqbërësve në dorë shumën e caktuar mujore. Kësisoj, shuma të mëdha parash, si gjithmonë përfundojnë në duart e kriminelëve dhe të burokratëve të lartë të majmur që qëndrojnë në piramidën e pushtetit. E ndërkaq, inati rritet e merr forcë. Edicioni rus i “Esquire” publikon në çdo numër të vet një ditar të posaçëm të krimeve të kryera nga policia, që hartohet nga denoncimet e lexuesve, të cilët janë përballur me vështirësi dhe padrejtësi. Në një betejë të tillë është futur edhe edicioni rus i të përjavshmes së famshme “Neësëeek” dhe e përjavshmja tjetër ruse, “Ogonjog” për të mos folur për “Novaja Gazeta”, gazeta e të ndjerës gazetare të vrarë, Politovskaja, në të cilën botohen dosje të vjetra të krimeve ku tashmë vërtetohen edhe lidhjet mes botës së krimit dhe sistemit juridik në Rusi. Qeveria e Putinit është gjithmonë shumë e ashpër ndaj çdolloj rebelimi, tenton të shtypë çdo protestë, ndërkohë që Presidenti i vendit, Medvedev, që deri diku mban veshur mantelin e njeriut më të moderuar, vetëm sa shprehet herë pas here ndaj rasteve të korrupsionit dhe shkeljeve flagrante të ligjit, por pa ndërmarrë ndërkohë asnjë hap konkret. Në Rusi është shumë e vështirë që të nxjerrësh njerëzit në shesh për të kundërshtuar regjimin. Grupet opozitare prej vitesh përpiqen që të ndërgjegjësojnë popullin për t’u ngritur kundër pushtetit të jashtëzakonshëm që kanë në vend një grusht oligarkësh super të pasur, për t’u ngritur kundër ligjit elektoral tepër të kufizuar dhe jo demokratik, për t’u ngritur kundër rënies drastike të ekonomisë dhe standardit të jetesës. Por më në fund duket se kupa është mbushur dhe njerëzit nuk mbajnë më dhe acarohen e rebelohen qoftë edhe nga shenjat më të vogla të padrejtësive me të cilat hasen përditë. Ata kanë nisur jo vetëm të inatosen, por këtë inat e nxjerrin duke e denoncuar këtë realitet aty ku munden, në gazeta, në protesta. është realiteti i një vendi ku segmente të caktuara të pushtetit janë të pajisura me një autonomi të frikshme dhe me një imunitet të hekurt që i mundëson të bëjnë ç’të duan pa u hyrë ferra në këmbë për të vetmin objektiv që i kanë vënë vetes: pasurimin ekstrem personal. Në Rusi vazhdon të gjallojë teoria e pagave të ulëta, pra mundësive të mëdha që kanë të gjithë për të bërë korrupsion, pra për t’u rregulluar gjithsesi me punë të dyta nën dorë. Në fakt, një polic në Rusi paguhet 450 euro në muaj, një shumë tepër e vogël kjo edhe për të jetuar në periferinë e qyteteve shumë të shtrenjta. Kjo i detyron që të bëjnë çdo gjë tjetër për të mbajtur frymën gjallë. Me veshjen e policëve ata vazhdojnë që pas pune, ose edhe gjatë orarit të punës të bëjnë rojet e natës nëpër dyqane e biznese të ndryshme, sepse ndërkohë janë të armatosur dhe dinë si ta bëjnë punën. E kështu kanë mundësinë e përfitimit të një page të dytë. Pikërisht policia ruse është vënë në shënjestër të protestave dhe të akuzave të medias. Kjo nga grupe qytetarësh që janë organizuar dhe kërkojnë të drejtat e tyre. Janë pikërisht këta qytetarë të revoltuar që kanë dalë në protesta në shumë qytete të vendit. Tashmë sa po vjen e po kristalizohet gjithnjë e më shumë fakti që ndryshe nga më parë, gjërat mund të publikohen dhe sekretet e emrat ka shumë të ngjarë që të dalin në pah nëpër media dhe internet duke denoncuar të gjitha krimet që mbeten të padënuara, të gjitha shkeljet për të cilat askush nuk merr përsipër përgjegjësi. Madje, bëhet fjalë për krime të padënuara të një periudhe shumë më të hershme, që daton që në kohën e pushtetit të Stalinit. Ndërkaq, Putin dhe Medvedev, si dy kokat e shqiponjës që përgatiten të ndryshojnë rolet dhe të mbajnë në duart e tyre për shumë kohë pushtetin, përpiqen që të qetësojnë situatën duke bërë ndonjë premtim tek-tuk dhe duke lënë pak hapësirë për protestuesit, për çlirimin e shfryrjeve të tyre, por aq sa të mos dëmtojnë rendin aktual. Megjithatë, ka një ndryshim, të paktën sa për sy e faqe mes të dyve. Ndërsa Putin zgjedh gjithmonë heshtjen para çdolloj krimi dhe padrejtësie dhe shfaqet fuqiplotë nëpër parada madhështore dhe ndarje çmimesh, Medvedev të paktën tregon se ndihet i indinjuar dhe kërkon reforma dhe jo rrallë ka pasur përplasje edhe me Ministrinë e Brendshme. Falë këtyre përplasjeve, një javë më parë, ministria kërkoi përmirësimin e edukatës dhe kulturës së agjentëve të policisë, duke i çuar ata në koncerte, ekspozita apo duke i detyruar që të lexojnë letërsi dhe të gjitha këto me shpenzimet e qeverisë. Nëpër blogje të ndryshme është bërë humor me këtë lloj politike të re që nuk pritet të ndryshojë situatën, sepse problemi qëndron tjetërkund. Ndërsa Presidenti nga ana e tij ka ngarkuar një komision të posaçëm për ndryshimin e shumë ligjeve të policisë duke filluar që nga ndryshimet në mënyrën e paraqitjes e më pas edhe të funksionimit. Por gjithsesi, policia është veçse njëri nga problemet e Rusisë, një nga problemet që ka arritur të ndërgjegjësojë e të revoltojë më në fund shumë rusë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›