Kule: Autonomi institucionale dhe financiare për universitetet publike
Drejtuesit e rinj të Konferencës së Rektorëve të Shqipërisë të sapozgjedhur, Dhori Kule kryetar dhe Adrian Civici nënkryetar, kanë paraqitur dje publikisht linjat kryesore të platformës së tyre në krye të këtij institucioni gjatë këtij mandati.
Autonomia institucionale dhe ajo financiare e universiteteve publike ka qenë në qendër të vëmendjes së dy të sapozgjedhurve në krye të Konferencës së Rektorëve. Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës, dhe Adrian Civici rektor i një universiteti privat, kanë deklaruar dje angazhimin e tyre për të
“mbështetur domosdoshmërinë e fuqizimit të autonomisë institucionale dhe financiare të universiteteve publike dhe zhvillimit cilësor të universiteteve private”. Po kështu ata kanë deklaruar se mbështesin politikën e masivizimit në arsimin e lartë të shoqëruar me plotësimin e standardeve cilësore të IAL, në plotësim të detyrimeve që burojnë nga Deklarata e Bolonjës.
Në emër të institucionit që drejtojnë, ata kanë shprehur mbështetjen dhe janë treguar të gatshëm të kontribuojnë në procesin e rritjes së standardeve cilësore në arsimin parauniversitar si parakusht për standarde cilësore të IAL-ve.
“KRUSH do të ndikojë në stimulimin dhe rakordimin e mobiliteteve të studentëve dhe stafeve akademike, sipas legjislacionit në fuqi”, u shprehën Kule e Civici në qëndrimin e tyre të djeshëm. Në platformën e tyre drejtuese, pjesë përbërëse është edhe bashkëpunimi me institucione homologe europiane e më gjerë, ku një vend të veçantë premtohet se do të ketë bashkëpunimi me universitetet shqipfolëse të rajonit.
“KRUSH do të zhvillojë aktivitete të përbashkëta të anëtarëve të vet në fushën mësimore e kërkimore në funksion të përfitimit nga këmbimi i eksperiencave të anëtarëve të vet. KRUSH do të koordinojë veprimtarinë për të rritur rolin e botës akademike në bashkëpunim me institucione të ndryshme të vendit”, theksuan rektorët Kule e Civici.
Më 20 mars, në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës u zhvillua mbledhja e Konferencës së Rektorëve të Shqipërisë për të zgjedhur drejtuesit e këtij institucioni. Në mbledhje morën pjesë 31 drejtues të IAL, nga të cilët 9 të universiteteve publike dhe 22 të universiteteve private. Për postin e kryetarit konkurruan prof.dr.Dhori Kule i UT-së dhe prof.dr.Jorgaq Kaçani i UPT, ndërsa për postin e zv/kryetarit: prof.Adrian Civici dhe prof.Marenglen Spiro. Konferenca e Rektorëve si organ kolegjial i pavarur i drejtuesve të IAL publike dhe private, duke respektuar autonominë e IAL-ve të veçantë, ka rol të rëndësishëm koordinimi dhe zhvillimi në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
#