PRIRJET E RETROSPEKTIVËS
“Tendenca për ta kaluar masën, pasi mësohet pasoja, përbën aftësinë e njeriut për të parashikuar sesi diçka është në të vërtetë. Kjo njihet edhe si fenomeni Unë-e-dija-që-në-fillim”. Ky është përcaktimi i famshëm i psikologut amerikan Karl Tiegen (1996). Ndryshe kjo këtillohet edhe si “prirje e retrospektivës”, aq e rëndomtë është bërë në jetën e përditshme. Analistët dhe opinion-ndërtuesit, politikanët dhe komentatorët e tyre (jo zëdhënësit!) janë ata që mbështeten më tepër në këtë dukuri. Kërkohet në këtë mes një mënyrë fine përgatitore, përpara se të llomotitësh broçkulla (edhe kur këto janë fjalë të thurura me kontekst metaforik), duhet të njohësh mirë fenomenin, të përgatitesh me kujdes dhe sidomos të marrësh pjesë aktive në veprimtarinë e përditshme. Kushdo që vlerëson ngjarjen, veprimtarinë dhe sjelljen niset nga njohja e së vërtetës, ashtu si ka ndodhur dhe jo nga interpretimi që i bëhet, jo nga qëndrimi i publikut apo nga opinioni i vlerësimit. Një analist, në televizion, thotë se “unë e ndiej, e di, që së shpejti do të kemi zgjedhje të parakohshme”. Vlerësimi i tij argumentohet nga fakti se ndodhi një bojkot gjashtëmujor i Parlamentit, sepse pati protesta të popullit në rrugë, sepse kreu i një partie flet vetëm për dukuri të tilla, por nga ana tjetër (si pa dashje) hyn në mendim edhe dëshira e këtij analisti.
Ndodhi që opozita shqiptare aktuale hyri në Parlament dhe, pas ndodhisë, një opinion-ndërtues nënvizoi se ai këtë fakt e kishte parashikuar, e kishte-ditur-që-në-fillim! Kjo prirje e retrospektivës (e quajtur edhe fenomeni Unë-e-dija-që-në-fillim) është e pakuptimtë dhe ju tani mendoni si për diçka të vërtetë. E saktë, gati çdo rezultat i fshehur i një ngjarjeje, sjelljeje e veprimtarie, mund të quhet i kuptueshëm, pasi ju e keni njohur atë. Por në këtë mes ndihmon së tepërmi edhe fakti se si e paraqitni problemin, në çfarë këndi e shihni e ç’dritë i jepni. Madje kjo është mjaft e rëndësishme dhe shpreh në të vërtetë kapacitetin e opinion-ndërtuesit.
Për çfarëdo ngjarje, sjellje e veprimtarie do të gjeni shprehjen refuzuese: Qërohu, m’u hiq qafe! Ose e kundërta. çfarëdo që të ndodhë, do të dalë dikush që do ta ketë parashikuar këtë që në fillim...
Po si mund të vlerësojmë problemet aktuale dhe të kundërtat e tyre? Të nisemi vetëm nga ç’na thonë ata që prodhojnë politikë të sertë e të butë mbrëmjeve në TV, apo që gdhendin fjalë heroike nëpër gazeta? Si të veprojmë? Kjo, sigurisht, që nuk është dilemë, as edhe hall. Mirëpo kur gjithnjë pikon në një vend, pas disa kohe ke një vrimë, i tillë është edhe stresi politik i ndërtuar me ngadalë e me të njëjtën melodi “të rënies së fyellit në një vrimë!” Kur dikush, më finok se të tjerët, paraqet shprehjen e sëkëlldisur se “Frika është më e fortë se dashuria”, shumica e pohojnë atë. Po ashtu mund të miratohet pas kësaj thënieje edhe shprehja: “Ai që është i rrëzuar nuk mund të ndihmojë atë që është poshtë”. Por ç’ndodh? Iks politikan menjëherë thotë: “Jo, ai që ka rënë mund ta ndihmojë atë që ndodhet poshtë”. Në këtë rast menjëherë del në skenë një personalitet si Fatos Lubonja, pa qenë as social-psikolog dhe as etnopsikolog, por që zotëron intuitën e njeriut të zgjuar dhe bërtet gjer në kupë të qiellit: “Njeriu i zgjuar krijon fjalë të urta dhe budallenjtë i përsëritin ato. Kjo është e vërteta dhe pikë!” Ndërkaq, të nesërmen dalin në dhjetë televizione e faqe gazetash të tjera dhjetë social-psikologë, etnopsikologë, studiues, analistë, komentatorë, opinion-ndërtues dhe tellallë politikanësh do të bërtasin të kundërtën e asaj që ka proklamuar Lubonja: “Po, zotërinj, budallenjtë bëjnë fjalë të urta dhe i zgjuari i përsërit ato”. Hajt merre vesh! çfarë përqendrimi idesh dhe ç’koment i thartë!
Fenomeni “e-dija-që-në-fillim” jo vetëm që i bën të kuptueshme interpretimet politike e sociale, por bën që këto shpesh të kenë pasoja edhe shkatërrimtare. Ato çojnë në arrogancë, në mbivlerësim të fuqisë intelektuale. Dhe pastaj të gjithë, të qetë në dukje presin diçka madhështore...
#