Çelet programi i studimit master tek infermieria
Këshilli i Ministrave miraton vendimin për çeljen e ciklit të tretë të studimeve, për ata që kanë përfunduar degën e infermierisë. Aprovohet propozimi i Ministrisë së Arsimit për hapjen e programit të studimeve të ciklit të tretë “Master i nivelit të dytë”, në Fakultetin e Infermierisë, të Universitetit të Tiranës, kuotës së pranimit dhe tarifës së shkollimit në këtë program studimesh. Në mbështetje të ligjit “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave vendosi hapjen e programit të studimeve “Master i nivelit të dytë” (MND), në “Infermieri dhe subspecialitete”.
Sipas vendimit të qeverisë, në përfundim të këtij programi studimesh, lëshohet diploma “Master i nivelit të dytë (MND), në Infermieri dhe subspecialitete”.
Ky program studimi MND realizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është një vit. Programi i studimit MND fillon veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010-2011.
Kuota e pranimit në këtë program studimi MND, për vitin akademik 2010-2011, është 30 persona. Tarifa e shkollimit, për studentët e regjistruar në këtë program studimi MND, në vitin akademik 2010-2011, është 100 mijë lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi dhe likuidohet në këste, të caktuara nga fakulteti përkatës. Studentët shqiptarë, që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin paraardhës të studimeve, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Universitetin e Tiranës, pa efekte buxhetore shtesë. “Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendimin që mori dje qeveria.
#