E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë ndodh kur rikthehemi për të jetuar në shtëpinë e prindërve

Keni mbaruar studimet jashtë shtetit, ose jeni rikthyer nga një eksperiencë pune nga jashtë vendit, apo keni humbur punën dhe ju duhet një strehë e ngrohtë, të cilën mund t’jua ofrojë vetëm familja? Por gjërat bëhen shumë të vështira pasi keni fituar pavarësinë. Por ja si t’i mbijetoni kërkesës së tepruar të llogarisë karshi jush

Nuk ka rëndësi mosha, koha, apo mënyra: të gjithë jemi fëmijë sa herë që ndodhemi përballë prindërve. Një proces i pavetëdijshëm, që na kthen të gjithëve pas, në fëmijërinë tonë. është një transformim që në shumë raste e kuptojmë se si ndodh, e në shumë të tjera e kemi të vështirë. Përballë prindërve tanë, në çdo moshë, ne jemi dhe do të mbetemi fëmijë. Me kalimin e viteve, edhe pse ndiejmë se rritemi në mënyrë të vazhdueshme, asnjëherë nuk i humbasim brenda vetes “prindërit tanë”. Një ndjenjë kjo që xhiron si shiriti i regjistruar i një filmi, në të cilin kanë mbetur të memorizuara të gjitha fjalët, këshillat, e porositë që nëna e babai na kanë thënë në fëmijëri. I gjithë përkujdesi i prindërve, dashuria e tyre, ngrohtësia, mbështetja dhe shtysa që na kanë dhënë, ndër të tjera kanë ndërtuar e forcuar në karakterin tonë një përvojë të vyer, e cila është rritur së bashku me karakterin tonë, që tashmë kthehet në një ndihmë për disa rregulla e procese thelbësore të jetës. Cilado qoftë mënyra e manifestimit të saj, kthimi mbrapa është një shenjë delikate e identitetit, e cila nuk ka ditur të rritet e forcohet.

Nuk ka rëndësi nëse keni përfunduar studimet dhe nuk keni gjetur ende një punë, apo jeni në punë dhe nuk keni një pagë të kënaqshme për të mbajtur veten, nuk ju pëlqen të gatuani, sepse ushqimi vetëm në shtëpi nuk ju shijon, nuk keni vullnet të pastroni, sepse jeni zënë me të dashurin. E rëndësishme është që jeni kthyer në shtëpi te nëna dhe babai. Këto janë këshilla që ju hyjnë në punë, ju ndihmojnë të mbijetoni në bashkëjetesën familjare. Gjërat janë të lehta kur një njeri fiton pavarësinë, por kur prindërit tuaj ju shohin që riktheheni në shtëpi, instiktivisht përpiqen të kontrollojnë jetën tuaj. Për të shijuar lirinë, secili prej nesh duhet të ketë brenda vetes aftësinë për t’u rritur, për të përballuar dhimbjet dhe zhgënjimet që kjo gjë na sjell. është shumë e rëndësishme të jemi të përgatitur për çdo të papritur që mund të na sjellë jeta dhe të mos jetojmë me bindjen se do të gjejmë gjithnjë mbështetjen dhe ngushëllimin e prindërve, duke këmbëngulur se detyra e tyre është të kënaqin nevojat tona, sa herë që na nevojitet. Një fakt shumë i rëndësishëm është se kurrë nuk duhet të na mundin ndjesitë e fajit kundrejt tyre. Për këtë arsye nuk duhet të kemi asnjëherë frikë të bëjmë zgjedhjet tona në mënyrë të pavarur, të marrim vendime që ne i quajmë të drejta.

Vendosja e rregullave

Gjërat janë më të vështira kur riktheheni në shtëpi pas një eksperience në një qytet tjetër, apo pas përfundimit të një historie dashurie, ose universitetit jashtë shtetit. Para se të shpaketoni valixhet, flisni hapur me prindërit tuaj. Mund t’i rregulloni gjërat duke vendosur t’i ndihmoni prindërit në punët e shtëpisë, ose t’u bëni të ditur që në fillim se nuk keni ndërmend ta respektoni rregulloren e tyre, pasi ju jeni të rritur dhe nuk mund t’ju drejtojnë ata. Nëse shkoni në pab të shtunën në darkë, thojuni që të mos ju presin të hani mëngjes me ta të dielën. Shpjegojuni se nuk e keni ngatërruar shtëpinë me një hotel, por jeni tepër të lodhur dhe keni nevojë të pushoni. Ndihmojini duke bashkëpunuar në drejtimin e shtëpisë, duke dhënë një kontribut sado të vogël ekonomik. Mbani të pastër dhe të rregullt dhomën tuaj, sepse nuk jeni më adoleshentë, gatuani sa herë që të keni mundësi, bëni pazarin dhe hekurosni sa herë të jetë e nevojshme.

Kultivoni jetën sociale

Problemi më i madh kur vendosni të ktheheni për të jetuar në shtëpinë e prindërve është ai i menaxhimit të kohës dhe takimeve të rëndësishme, sidomos ato me gjininë tjetër. Por bëjuni të ditur prindërve se nuk jeni më një vajzë e vogël. Ata duhet ta kuptojnë se ju jeni shumë aktive nga ana seksuale, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve nuk mund ta pranojnë idenë që ju bëni seks në të njëjtën çati me ta. Kështu, nëse është e mundur, përpiquni të limitoni takimet në shtëpinë tuaj dhe shkoni në shtëpinë e partnerit. Do të ishte mirë të gjenit një të dashur i cili jeton i ndarë nga prindërit. Nëse kjo gjë nuk është e mundur, atëherë blijuni prindërve bileta për teatër, kinema ose u ofroni një darkë jashtë shtëpisë. Të paktën ndonjëherë do ta keni shtëpinë të lirë. Nëse as kjo zgjidhje nuk funksionon atëherë ju vijnë në ndihmë motelet.

Mos u përpiqni të fitoni kohë

është më mirë të mos qëndroni përgjithmonë në shtëpinë e prindërve. Rikthimi në shtëpi duhet të jetë provizor, jo definitiv. Kjo do të ishte një nga zgjidhjet e mundshme, gjë që do t’ju lejonte të kishit një punë, të plotësonit nevojat tuaja, të gjenit një vend të gjithin për vete, ku mund të qëndroni vetëm. Nëse punoni dhe jetoni ende në shtëpinë e prindërve, tundimi më i madh është ai që t’i shpenzoni paratë tuaja për të ngrënë darka jashtë shtëpisë, për udhëtime, rroba të shtrenjta dhe aksesorë të ndryshëm. Kjo është diçka shumë e gabuar. Nuk do t’ju rastisë më një situatë kaq e favorshme për të hequr mënjanë disa para, kështu që sforcohuni pak më shumë për t’ia arritur qëllimit. Pasi të keni hequr mënjanë disa para, do të flini të qetë në dhomën tuaj pa e vrarë mendjen se çfarë do t’ju sjellë e nesërmja, sepse i keni marrë masat për të.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›