E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera e përgjakur

Ishte pak a shumë ora tre, natën
ndërmjet së martës dhe së mërkurës
së datës 21 gusht 1968, kur
banorët e Pragës u zgjuan nga një
zhurmë e fortë. Mbi kokat e tyre ishte
organizuar një urë ajrore, më e rëndësishmja
që ishte bërë ndonjëherë në
qendër të Evropës që nga Lufta e Dytë
Botërore. Dridheshin vitrinat e sheshit
"Vençeslao", i madh si një fushë futbolli
ku dominonte Muzeu Kombëtar, i cili
më vonë do të gdhendej nga plumbat e
Ushtrisë së Kuqe. Ajo që dukej si një jehonë
shurdhuese po afrohej me shpejtësi
drejt qendrës së qytetit, kështjellës
"Hradkany" dhe rrugës ekstravagante
"Parisi", ndërmjet lumit dhe getos së
varrosur. Në ato orë, qyteti i çmuar i
Evropës Qendrore, akoma më romantik
dhe vagëllues nga shkujdesja e regjimit,
ishte si një llambadar kristali antik, plot
pluhur, i cili po lëkundej nga një forcë
misterioze, padyshim jo dashamirëse.
Të mësuar tashmë nga emocionet
e javëve të fundit, pjesa më e madhe
e banorëve nuk u shqetësuan shumë,
duke u munduar të flinin sërish. Dhe
ishte e qartë se kryeqyteti po përshkohej
nga një mori avionësh në kuotë të ulët,
por njerëzit menduan se bëhej fjalë për
manovra stërvitore. Në fakt ishte më
e lehtë të mendohej ashtu. Madje nuk
mungonin as arsyet për t‘u siguruar.
Shumë e përfolura Pranvera e Pragës,
procesi i rimëkëmbjes komuniste i nisur
më 5 janar me emërimin e reformatorit
Aleksandër Dubcek si kryetar i partisë,
në vendin e ortodoksit Antonin Novotny,
kishte arritur në ditën e 204 të saj.
Dukej sikur nuk kishte më kërcënime,
të paktën për momentin. Traktati i Bratislavës
më 3 gusht kishte qetësuar disi
gjendjen. Të mbledhur në kongres, si në
një gjyq në seancën e fundit, kryetarët
e pesë vendeve komuniste (Bashkimi
Sovjetik, Bullgaria, Gjermania Lindore,
Hungaria dhe Polonia) kishin marrë një
vendim që në pamje të parë dukej absolut.
Ata kishin dhënë pëlqimin për të toleruar
eksperimentin çekosllovak dhe të mos e
shtypnin siç kishte ndodhur dymbëdhjetë
vjet më parë me përçarjen hungareze. Por
me një kusht: që ajo t‘i nënshtrohej totalisht
paktit të Varshavës, ose ndryshe aleancës
ushtarake komuniste, e dominuar
nga sovjetikët. Por kushti po krijonte një
ekuacion që nuk kishte zgjidhje. Bratislava
kishte ndezur një iluzion të shkurtër.
Por, në të njëjtën orë, ndërsa qytetarët
e Pragës po flinin me mundim nga
zhurma e avionëve, Dubcek dhe miqtë
e tij po rrethoheshin nga parashutistët
sovjetikë në selinë e Komitetit Qendror.
Pas orës pesë, zhurmave shqetësuese iu
shtuan edhe disa të tjera më alarmante.
Në hotel "Esplanade", në cep të sheshit
"Vençeslao", një gazetar i huaj të cilin nuk
e kishte zënë ende gjumi nga zhurma e
një matrapiku, mendoi se ndoshta kishte
punime në rrugë dhe zhurmat vinin prej
makinerive. Por në atë orë nuk mund të
kishte punime publike. Zhurmat ritmike
që ngjanin me ato të një matrapiku, ishin
të një mitralozi të rëndë që po gjuante nga
larg. Kur gazetari i përgjumur doli në rrugë
pa që sheshi kishte shumë njerëz, si në një
ditë feste. Ata ishin mbledhur nëpër rrugët
e kryeqytetit. Flamurët çekë valëviteshin
kudo, në ballkone, dritare, makina etj. Po
afronte një rrëmujë e dëshpëruar. Të rinjtë,
djem e vajza, por edhe të moshuarit,
burra e gra, të paarmatosur, kishin dëshirë
që t‘i kundërviheshin pushtuesit. Pjesa më
e madhe e popullit e kishte kuptuar disi
më vonë se nuk bëhej fjalë për një manovër
ushtarake dhe menjëherë ishin çuar
nga krevatet për të rendur në mbrojtje
të vendit. Pushtimi ishte një makth që
e kishte shoqëruar vendin prej muajsh.
Atë natë nuk kishte më vend për aludime:
pushtimi kishte filluar. Dhe menjëherë,
turma të mëdha njerëzish u mobilizuan
për t‘i bërë ballë armikut që në orët e para
të mëngjesit.
Historia dhe kultura i kanë mësuar
këtij vendi të vogël se cilat janë format
e rezistencës të organizuara nga arsyeja:
ironia, sarkazma, dialogu dhe polemika.
Sheshi "Shën Vençeslao" u bë vendtakimi i
të gjithë protestuesve. Në ato orë sheshi u
bë zemra e Pragës. Altoparlantë dhe zëra
të revoltuar dëgjoheshin kudo, ndërsa
dritaret po hapeshin dalëngadalë të gjitha,
duke paralajmëruar se të gjithë tashmë
ishin zgjuar. Avionët shiheshin qartë sipër
kokave të tyre, ndërsa turmat sa vinin e
shtoheshin më shumë. Por, pavarësisht
kësaj, Ushtria e Kuqe po e pushtonte qytetin
me shpejtësinë "që një oktapod hap
tentakulat e tij". Rusët gjendeshin kudo.
Tanket T55 dhe ata më modernët T62
lëviznin nëpër rrugët e qytetit me kapakët
kontakt të drejtpërdrejtë me protestuesit,
të cilët ishin egzaltuar jashtëzakonisht,
duke mos i kursyer të sharat dhe pështymat.
Por për çudi, pushtuesit nuk reagonin
edhe kur të rinjtë çekë vareshin sipër
tankeve, duke valëvitur flamurë, sikur të
kishin marrë një trofe të fituar pa luftuar
aspak. Ushtria e Kuqe kishte urdhrin që
të shmangte sa më shumë përdorimin e
armëve. Por disa komandantë e humbën
kontrollin, ose ndoshta morën urdhra
për të reaguar keq. Tre autoblinda hapën
zjarr në drejtim të Muzeut Kombëtar
në sheshin "Shën Vençeslao". Ishte një
taktikë vetëm me qëllim që të trembnin
turmat me njerëz, por pasi sheshi u
boshatis, shenjat e gjakut nuk ishin të
pakta. Turma u shpërnda në rrugët aty
afër, e ndjekur nga pluhuri dhe copat e
mermerit që shkëputeshin nga muret
e muzeut. Qetësia zgjati pak. Nuk do të
kalonte shumë kohë dhe sheshi u popullua
përsëri. Ishte e qartë që po krijohej
një situatë që do të vazhdonte disa ditë.
Të rinj e të moshuar, gra e burra, kishin
rrethuar tanket e armikut ku tashmë
shiheshin edhe fytyrat e ushtarëve, të
cilët kishin dalë në shesh. Çekët e flisnin
rusishten. E kishin mësuar në shkollë.
Ajo ishte gjuha e huaj e detyruar. Gjuha
e perandorisë. Gjuha e çliruesve të vitit
1945, të cilët u bënë pushtues në ‘68-n.
Por pas njëzet vjetësh, duke mësuar
gjuhën perandorake, tashmë duhej të
polemizoje me ta si armik, t‘i fyeje, t‘i zmbrapsje.
Kishte nga ata që grisnin teserën
e partisë përpara rreshterëve rusë dhe ia
përplaste në fytyrë. Vajzat i bërtisnin në
fytyrë: "Kthehuni te ‘Natashat‘ tuaja, me
ne nuk do të bëni kurrë gjë. Edhe nëse na
kërcënoni me tanket tuaj". Sovjetikët po
çoroditeshin. Nuk e dinin se në ç‘vend
kishin përfunduar. Në fakt, baballarët e
tyre, në vitin 1945, ishin pritur ndryshe,
krenarë, të denjë, duke u nderuar nga të
gjithë vendasit, pasi kishin zmbrapsur
trupat naziste. Një çerek shekulli më
vonë, vajzat çeke i thërrisnin sërish me
të njëjtin emër nipërit ose fëmijët e çliruesve.
Për to, ata ishin të gjithë "Ivan",
pa asnjë dallim. I quanin të gjithë me
të njëjtin emër, si të ishin fabrikuar në
seri, njësoj dhe të bindur. Jo individë,
por elementë pa identitet të një mase
të vetme njerëzore.
Pranvera e Pragës ishte një përpjekje
për të rimëkëmbur individët, të
cilët ishin shtypur nga një kolektivizëm
i panevojshëm dhe poshtërues. Ata
"Ivanët", shpesh të pavetëdijshëm, e
largonin me tanket e tyre atë tentativë,
shpresë,iluzion. Historianët thonë se
fundi i botës komuniste filloi në gushtin
e vitit 1968 në Pragë, disa të tjerë, në
Budapest, në 1956. Dhe kemi një fakt që
ushtarët rusë gjatë pushtimit të Çekosllovakisë
zëvendësoheshin vazhdimisht
për të mos t‘u ndikuar politikisht. Dhe
idetë e Pranverës së Pragës do të lulëzonin
njëzetë vite më vonë në Moskë,
duke ndikuar në vetëshkatërrimin e
Bashkimit Sovjetik.
Armët që drejtuan të rinjtë çekë në
sheshin "Shën Vençeslao", sarkazma,
ironia, dialogu dhe polemika, nuk shërbyen
shumë gjatë asaj periudhe. Por ato
i dhanë një fryt të mirë "Ivanëve", duke
favorizuar rrëzimin e perandorisë sovjetike.
Le të bëjmë një analizë të shkurtër:
nëse Pranvera e Pragës u dënua dhe u
"varros" në vitin 1986 nga Bashkimi Sovjetik,
ajo u dënua dhe u "varros" përsëri
në 1993 nga Parlamenti i vendit, i cili
ishte zgjedhur me vota të lira. Bashkimi
Sovjetik përdori tanket, ndërsa demokracia
çeke, një ligj. Në këtë të fundit,
pra në ligjin që u miratua në vitin 1993,
përcaktohej pa asnjë dallim periudha
që nga viti 1948 deri në nëntorin e 1989,
ku vlen të përmendësh vitet në të cilat
vendi u qeveris nga Partia Komuniste, si
një fazë gjatë së cilës shoqëria u dhunua
nga një organizatë kriminale. Në paraqitjen
e këtij ligji, një pjesëtar i qeverisë së
atëhershme cilësoi që edhe nismëtarët e
Pranverës, që zgjati 204 ditë, nuk mund
t‘i shpëtonin këtij gjykimi. Ata u cilësuan
si gardianët e qendrave të përqendrimit:
gardianë të mirë, krahasuar me të parët
e tyre, por gjithsesi gardianë mbeteshin.
Por sot, në Pragën demokratike, gjykimi
për Pranverën e vitit 1986 po ndryshon.
Madje ka ndryshuar pasi po vlerësohet
me një vëmendje të veçantë.
Për ta mbyllur, vlen të përmendim
mendimin e Milan Kunderës, sipas
të cilit, në brigjet e Senës ndodhi një
eksplozion lirizmi revolucionar, ndërsa
në brigjet e Moldavës shpërtheu një
skepticizëm postrevolucionar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›