Investimet e 4 muajve të parë realizohen vetëm 56 %
Shpenzimet për investime gjatë katër muajve të deritanishëm të kërij viti nuk e kaluan nivelin e 56 përqindëve. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se, ky nivel mjaft i madh mosrealizimesh i investimeve është pasojë e faktit që shumë prej punimeve që janë në proces nuk kanë mundur të përfundojnë në kohë, sipas kontratave. Gjithashtu, edhe procedurat e investimeve të reja, të cilat nisin për herë të parë këtë vit, ende nuk kanë përfunduar. Duke pasur parasysh se gjatë këtij viti është parashikuar një sasi investimesh shumë më e madhe se vitin e shkuar, është e qartë se realizimi i investimeve do të jetë një problem. Gjithashtu, kriza e çmimeve dhe vështirësimi i situatës ekonomike nuk e ndihmojnë realizimin e investimeve. Banka e Shqipërisë ka thënë se mosrealizimi i investimeve për vitin e kaluar, me rreth 180 milionë dollarë, pati efektin e tij në rritjen e çmimeve. Mosrealizimi i investimeve është shndërruar në një sëmundje të vjetër të administratës, në një kohë që ato janë gjëja më e rëndësishme e ekonomisë shqiptare. Një nivel investimesh prej katër muajsh më i vogël sesa 60 për qind e planit të buxhetit të shtetit është një shifër shumë e keqe, në një kohë që pushteti i blerjeve ka rënë dhe kjo është vënë re edhe në rënien e konsumit në këta tre muaj me rreth nëntë për qind krahasuar me vjet. Thuajse të gjitha veprat e mëdha publike, me përjashtim të rrugës Durrës–Kukës, nuk kanë realizuar punimet në afat dhe për këtë shkak ato nuk paraqesin situacionin e punëve të kryera në mënyrë që të çelen fonde të reja. Vitin e shkuar, por edhe në vitin 2006 qeveria u detyrua në fund të rishpërndajë paratë. Vitin e shkuar, mosrealizimet ishin të pazakonta, ishin 180 milionë dollarë ose rreth 20 për qind e totalit. Qeveria, më se një herë ka fajësuar për kë gjë kompanitë e ndërtimit, të cilat, sipas saj, do të duhet të punojnë me tre turne gjatë verës. Në fakt, punimet në shumë raste ecin ngadalë, megjithëse afatet e kontratave nuk e lejojnë dhe legjislacioni parashikon ndëshkime. Veç kësaj, qeveria është i vetmi institucion përgjegjës për realizimin e investimeve. Gjëja më e rëndësishme është se shumë para të buxhetit të shtetit nuk shpërndahen në mënyrën më të mirë dhe sipas një grafiku të mirë. Kjo bën që shtresa të caktuara të popullsisë të vuajnë rënien e fuqisë blerëse. Veç faktit që punët publike nuk bëhen në kohë, kjo gjë ka efekt edhe në fuqinë e popullatës për të blerë dhe në fuqinë e biznesit për t’u forcuar.