E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i gjobave, Berisha: Vendim fatal, i jep gjithë pushtetin gjykatave

Kryeministri, Sali Berisha, tha dje gjatë një konference për shtyp se Shqipërisë i kanë vendosur disa kushte që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave.

“Unë dhashë të gjitha garancitë - siç dhe ju e dini, sepse jam njeri i fjalës së mbajtur - se ne do të firmosim çdo marrëveshje me secilin vend anëtar të BE për të bërë luftën më transparente ndaj krimit të organizuar dhe për të realizuar standardet më të larta të sigurisë. Ne do të zbatojmë procedurat më moderne për kontrollin e integruar të kufijve, pasi lëvizja e lirë është jetike për Shqipërinë. Jemi një komb që vetëm në 20 vjet ka mbi ¼ e tij të emigruar jashtë vendit”, - tha Berisha. “Me Presidentin Barroso sigurisht u diskutua dhe çështja e kandidimit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por, të jemi realistë, ky hap do të ndërmerret në bashkërendim të plotë me të gjithë faktorët.

Ne do të bëjmë detyrat tona të shtëpisë, por ky hap nuk duhet jetë i njëanshëm, do të jetë një vendim dhe një hap që do të negociohet. Kjo u vlerësua nga presidenti Barroso dhe nuk do të thotë mungesë ambicieje nga ana ime. Nuk ka ambicie më të madhe se këto dy projekte që ne kemi mbi tryezë, integrimin e plotë në NATO e BE. Por, natyrisht, duhet të ruhet sensi dhe të bëhet një analizë komplekse për ndërmarrjen e akteve dhe vendimeve në këtë drejtim”, - deklaroi kryeministri.

Zoti Berisha, në hapjen e negociatave për liberalizimin e vizave, zoti Fratini u shpreh se Shqipëria ka shumë shanse për ta nënshkruar këtë marrëveshje përpara dhjetorit të vitit 2009 që përkon dhe me përfundimin e mandatit të zotit Barroso. Gjatë takimit me zotin Barroso a është diskutuar ky fakt?

Me Presidentin Barroso unë nuk diskutova data, pasi, ashtu siç ju e dini, unë nuk jam njeri që fiksoj data dhe përqindje, por jam njeri që synoj të arrij data dhe përqindje. Kjo gjë ndryshon. Punoj me shpresë dhe besim se gjërat do të ndodhin para afatit, të cilin mendoj unë. Ndaj, si publikisht, edhe jopublikisht, unë jam i njëjti. Si njeri i fjalës së mbajtur, i premtimeve të mbajtura, përfaqësuesit ndërkombëtarë e dinë që të gjitha kërkesat do zbatohen. Ata do të sjellin një dokument me kërkesa, për të cilin më informuan se po e përpunojnë dhe shumë shpejt do t’ia dërgojnë qeverisë. Ky dokument rreshton kërkesat që duhet të plotësojnë vendet, të cilat dëshirojnë të kenë lëvizjen e lirë.

Unë e garantova presidentin Barroso se cilido të jetë çmimi i këtyre kërkesave, Shqipëria do t’i plotësojë. Shqiptarët presin me padurim të lëvizin të lirë si qytetarë evropianë, ndaj ky është një detyrim madhor i imi.

Prej dy javësh, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e imunitetit të zotit Mediu, duke e ngarkuar atë me përgjegjësi ligjore për tragjedinë e Gërdecit. Cili është komenti juaj për këtë?

Lidhur me çështjen e imunitetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, unë ju garantoj se i qëndrojmë plotësisht divizës së hapjes rrugë të hetimit nga prokuroria shqiptare për çdo çështje tjetër, përveçse atyre politike. Çështje politike jo, sepse kështu e ka gjithë bota e lirë; deklaratat politike të deputetëve nuk mund të hetohen. Dua t’ju informoj se kohët e fundit një delegacion i parlamentit tonë ishte në Shtetet e Bashkuara dhe nga takimet atje, atyre iu kërkuan në mënyrë të prerë, pikërisht kjo që po diskutojmë, kufizimi i imunitetit. Nuk kanë imunitet kongresmenët dhe senatorët amerikanë. Absolutisht jo. Nuk kanë absolutisht imunitet për asgjë tjetër, përveçse për fjalën që mbajnë në platformën e Senatit dhe Kongresit. Zoti Zogaj e përcolli këtë qëndrim, por shpresoj që edhe pjesa e opozitës t’ia ketë përcjellë grupit të vet. Sidoqoftë, standardi i kësaj mazhorance është: përgjigje çdo kërkese të prokurorisë, përveçse atyre që janë politike.

Pak ditë më parë, presidenti Topi ktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për legalizimet. A do ta kaloni këtë ligj, duke kërkuar konsensusin e partive tuaja aleate, duke pasur parasysh faktin që ligji tani duhet miratuar me 71 vota?

Natyrisht, si në çdo rast, do të ketë negociata intensive, para se dekreti të shkojë në Kuvend. Kjo është një praktikë e ndjekur në mënyrë të vazhdueshme. As ky dekret nuk mund të dalë jashtë kësaj praktike. Unë dua t’ju siguroj se do merret për bazë çdo gjë thelbësore, pra jo vetëm sugjerimet e presidentit, por edhe të atyre, me të cilët do të negociohet. Unë e konsideroj këtë një proces normal.

Zoti kryeministër, pak ditë më parë ju realizuat në Kuvend disa ndryshime në disa amendime të Kushtetutës. Përse nuk e përfshitë edhe nismën tuaj për kufizimin e imunitetit?

Unë mbetem në përpjekje dhe jam optimist se do ta realizojmë këtë nismë. Por të tilla janë reformat, ato kërkojnë durim, insistim, arsyetim dhe kompromis. Jam i bindur se opozita do të bindet për këtë çështje. Ne kemi ndërmarrë nismën për të mos e kaluar me 84 vota në Kuvend, sepse Komisioni i Venecias ka dhënë qartë dritën jeshile për kalimin në Kuvend të kësaj nisme me 84 vota. Por sërish unë mendoj se edhe këtë nismë do ta realizojmë me opozitën. Derisa të mos bindet opozita, ky do të jetë një veprim i njëanshëm. Çdo imunitet i mazhorancës nuk ekziston, përveçse për çështje politike. Gjithsesi, unë shpresoj se gradualisht do të kemi një konsensus me opozitën për këtë gjë.

Zoti kryeministër, Gjykata Kushtetuese nuk ra dakord dhe ktheu një ligj siç ishte ligji për gjobat. Në projektligjin e ri “Për procedurat tatimore” që do të hartohet, a do të hiqet ky nen?

Qeveria është kategorike në zbatimin e të gjitha vendimeve të gjykatave. I do apo jo, ekzekutivi është në zbatim të vendimeve të gjykatave. Ne i qëndrojmë çdo vendimi që do të japë gjykata. Nuk mendoj se ekzekutivi do të marrë një hap kundërthënës, por duhet të theksoj një gjë, meqë jemi te kjo çështje; ka një vendim fatal të gjykatës, i cili i jep të gjithë pushtetin gjykatës dhe në mënyrë absolute i gjithë pushteti nuk mund t`i jepet gjykatës, sepse në asnjë vend të botës nuk ka gjithëpushtet gjykata. Por, kjo çështje nuk zgjidhet me kundërshtim vendimesh, kjo çështje zgjidhet me reforma.

Nuk ka asnjë vend të botës, në të cilin gjykata të vendosë masë sigurie për kontrabandistin, të vendosë masë sigurie për hajdutin dhe të bllokojë ekzekutimin e vendimit ekzekutiv. Në të gjithë legjislacionin e botës nuk ekziston, se përndryshe pastaj nuk ka kuptim i gjithë pushteti i gjykatës.

Por, ky është një problem që zgjidhet me reforma dhe jo me moszbatim të vendimit. Vendimin do ta zbatojmë dhe reformën do ta vazhdojmë. Ne do të vazhdojmë reformën, sepse nuk mund të pranojmë këtë situatë. Nëse ti kapesh me kontrabandë dhe gjykata bllokon vendimin e ekzekutivit, kjo do të thotë se pastaj gjykata bën doganierin, bën taksambledhësin, bën ekzekutivin, bën policin, bën shoferin, pra i bën të gjitha. Ka një vendim në kundërthënie me Kolegjin e Gjykatës së Lartë ndaj tij, sepse është në kundërshtim me Kodin Administrativ. Por këto probleme vendi duhet t`i zgjidhë me reforma, nuk i zgjidh me përballje të pushteteve njëri me tjetrin.

Pse nuk ka nisur ende kompensimi i bizneseve të dëmtuara më 15 mars?

Kompensimi i biznesit do të bëhet plotësisht. Do të shihet çfarë ka qenë e siguruar në këto biznese, cilat janë dokumentet e tyre. Ne i qëndrojmë fjalë për fjalë asaj që kemi thënë. Natyrisht, ky proces ka kërkuar një procedurë pak më të komplikuar, sepse është dashur të mblidhen dokumente, pasi dikush prej tyre mund të thotë që ka bërë një sasi të caktuar investimesh, apo ka pasur gjendje një sasi të caktuar malli, por kërkohet që kjo të vërtetohet me dokumente. Kjo gjë duhet të faktohet me dokumente, sepse nuk mund të bëhet thjesht me vetëdeklarim. Por e theksoj se do të kompensohet çdo biznes që ka humbur në këtë zonë.

Zoti kryeministër, prej dy muajsh posti i zëvendëskryeministrit vazhdon të mbetet bosh, ndërkohë kemi dhe një deklaratë të republikanëve për përfshirje në qeveri. Por, kemi edhe një luftë brenda PDK për heqjen e ministrit Ndoka. Duke pasur parasysh këto ndryshime, a do të pasohet kjo me ndryshime brenda ekzekutivit dhe çfarë do të ndodhë më konkretisht?

Çështja e parë është e drejtë. Nuk janë tamam dy muaj, janë shumë më pak, por posti i zëvendëskryeministrit do të plotësohet. Partia Republikane është parti e koalicionit. Ajo ka marrë vendim të përfaqësohet në qeveri dhe do të përfaqësohet në qeveri. Për sa i përket pjesës tjetër, unë nuk mund të hyj në asnjë rast në punët e brendshme të asnjë partie politike. Unë jam kryeministër nuk kam të bëj me problemet e brendshme të partive aleate dhe joaleate. Kjo nuk më takon.

Zoti kryeministër, por Kongresi i PDK, i mbajtur në mesditë, e ka shkarkuar z. Ndoka nga posti i kryetarit të PDK. Cili është komenti juaj?

Të jem i sinqertë, këtë lajm e marr vesh nga ju. Nuk mund ta komentoj një lajm që e marr po këtu. Unë nuk përzihem në çështjet e brendshme të partive politike dhe kjo është dhe arsyeja që unë nuk kam dijeni për këtë.

Zoti kryeministër, a do ta miratoni kërkesën e zotit Ndoka për tërheqjen e dy zëvendësministrave të tij, z. Gurakuqi dhe z. Bushati?

Kryeministri funksionon mbi bazën e marrëveshjeve, mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazën e apeleve televizive. Imagjinoni, nëse unë do të funksionoja mbi bazën e apeleve televizive, do të kisha dhënë dorëheqjen mbi 50 herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›