E Diel, 1 Nëntor 2026

Sefgjini izolohet në shtëpi, Berisha nuk e shkarkon

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, i cili akuzohet për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, ka vendosur ditën e djeshme që të respektojë masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhënë nga gjykata, kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar se do të respektojë vendimin e gjykatës. Sipas Berishës, vendimi i dhënë para disa ditësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda nuk flet për pezullimin e Sefgjinit nga detyra aktuale dhe për këtë arsye nuk ka asnjë motiv që ai të shkarkohet nga tatimet, megjithëse në kushtet aktuale Sefgjini nuk mund ta ushtrojë detyrën e tij.

Reagimi

Për herë të parë që nga dhënia e masës së sigurisë “Arrest me burg” për drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, ditën e djeshme, pas disa shmangieve, kryeministri, Sali Berisha, ka pranuar të shprehet në lidhje me shkarkimin ose jo të Sefgjinit. Sipas Berishës, nuk ka asnjë motiv që Sefgjini të shkarkohet nga detyra. Kjo, duke parë edhe vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila, pavarësisht kërkesës së prokurorisë për pezullimin e tij nga detyra, e ka rrëzuar këtë kërkesë, duke vendosur vetëm masën e sigurisë “Arrest shtëpie” ndaj Sefgjinit. “Vendimi i gjykatës nuk është pezullim detyre. Kërkesa ka qenë për pezullim detyre. Ndërkohë, çështja është në shqyrtim.” Këto kanë qenë fjalët e kryeministrit Berisha në lidhje me shkarkimin ose jo të Sefgjinit. Sipas tij, duhet pritur vendimi i gjykatës dhe vazhdimi i procesit gjyqësor ndaj drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve për t’u shprehur edhe për pezullimin ose jo të tij nga detyra.

“Le të presim vendimin, le të vazhdojë procesi. Ritheksoj se ai është zhdëmtuar qindarkë për qindarkë për kohën që është mbajtur në arrest, sepse është konsideruar se nuk ka pasur prova të mjaftueshme”, - tha në fjalën e tij Berisha. Ndërkohë, sipas kryeministrit, Sefgjini ka qenë në arrest shtëpie apo në burg për shumë muaj dhe deri më tani nuk është vërtetuar asnjë akuzë ndaj tij.

Izolimi

Katër ditës pas dhënies së masës së sigurisë “Arrest shtëpie” për drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, mësohet se ky i fundit ka vendosur që ta respektojë masën e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Kështu, sipas burimeve të policisë, Sefgjini ka qëndruar gjatë gjithë ditës së djeshme në ambientet e banesës së tij dhe nuk është larguar për asnjë moment nga ajo. Ndërkohë, banesa e tij patrullohet nga unformat blu të policisë, të cilat kontrollojnë rreth e rrotull banesën e tij, për të parë lëvizjet e Sefgjinit apo thyerjen e masës së sigurisë nga ai. Ky i fundit akuzohet bashkë me tre ish-drejtuesit e punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe, se kanë rrëmbyer e më pas torturuar biznesmenin Remzi Hoxha.

Përveç Sefgjinit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “Arrest shtëpie” edhe për Avni Koldashin dhe Budjon Meçen, gjë që nuk mund të respektohet nga ky i fundit, duke qenë se ndodhet në ambientet e spitalit. Vendndodhja e të pandehurit tjetër, Ilir Kumbaro, nuk dihet ende, megjithëse dyshohet se ai ndodhet në Angli. Për të është shpallur edhe një urdhërndalimi ndërkombëtar nga ana e organit të akuzës. Ndërkaq, mësohet se në ditët në vijim, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, do të apelojë vendimin e dhënë nga gjykata, e cila e ka izoluar atë në banesën e tij. Katër të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Rrëmbimit të personit” dhe “Torturës me pasoja të rënda”.

“Të katër të pandehurit akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vajin të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha”, - thuhet në dosjen që prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›