E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera e vonuar në Sudan

Që prejse Sudani Jugor u nda nga pjesa tjetër e vendit, Sudani Verior mbeti pa të ardhura nga nafta. Së këndejmi, Qeveria e Veriut ka nisur implementimin e masave të fuqishme të kursimit. Një pjesë e popullatës u rebelua, ndërsa shteti reagoi goxha ashpër ndaj tyre. E tërë kjo situatë e re e krijuar sikur ka filluar të ngjajë paksa në një ‘Pranverë arabe’ - edhe pse të vonuar.

“Populli e dëshiron rënien e qeverisë”, brohoret një grup studentësh të rinj në Khartum, kryeqytetin e Sudanit Verior.

Dëgjohen të njëjtat këngë me ato të vitit të kaluar në Egjipt e Tunizi. Interneti është përplot me video-xhirime, nëpërmjet të cilave studentët dhe aktivistët i bëjnë thirrje popullit që të dalë në protesta.

Diku në mesin e muajit qershor, qeveria e vendit filloi implementimin e masave të rrepta të kursimit. Mes tjerash, u pezulluan edhe subvencionet në karburante e sheqer. Çmimet shpërthyen vrullshëm, një veprim ky që në rrugë të parët i nxori studentët sudanezë. Natyrisht, atje i pritën kërbaçët policorë dhe gazi lotsjellës, tregon aktivistja sudaneze, Zahra Haydar (40).

“Ky është reagimi më brutal i pushtetit që prejse presidenti Omar Al-Bashir erdhi në pushtet, në vitin 1989. Situata ekonomike në vend vetëm sa po përkeqësohet. Çmimet e bukës dhe ilaçeve po rriten vazhdimisht. Mendoj se shumë shpejt në demonstrata do të marrin pjesë gjithnjë e më shumë njerëz”, thekson ajo për radion Deutsche Welle.

Al-Bashir në situatë pa dalje

Shumica e monitoruesve si shkaqe kryesore të protestave i sheh problemet ekonomike dhe ato sociale, e jo sistemin autoritar të presidentit Omar Al-Bashir. Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka kohë që ka ngritur një aktpadi ndaj Al-Bashir, për shkak të krimeve të luftës së kryera në Darfur. E, tani ai ndodhet edhe përballë një presionit tjetër brenda vendit të tij, pohon Peter Schumann, ish-drejtor i misionit të OKB’së në Sudan.

“Mendoj se Bashir tani ndodhet në fazën e humbjes së fuqisë së tij dhe të përkrahjes së popullatës. Pra, ai ndodhet brenda një situate pa dalje. Sudani Jugor është pavarësuar tash e një vit, e ai ende nuk ka ndonjë zgjidhje për zbrazëtinë e madhe në buxhet që u shkaktua nga ky pavarësim. Nuk gjeti burime të tjera të financimit, e as nuk siguroi ndihmë nga shtetet fqinje. Ndërkohë, ai u gjend nën presion të problemeve të brendshme”, sqaron Schumann.

Zgjidhja e problemeve financiare në Sudan as që duket diku në horizont. Sudani Jugor po refuzon që naftën e tij ta transportojë përmes naftësjellësit në Veri, sepse Khartumi zyrtar po kërkon pagesa të mëdha për këtë shërbim. Po qe se nuk do të ketë të ardhura, Al-Bashir së shpejti nuk do të mund ta paguajë as ushtrinë. Edhe pse, momentalisht nuk ekziston ndonjë rrezik i madh nga grusht-shteti në vend, nënvizon Florian Dane, nga fondacioni gjerman Fridrich Ebert në Khartum. Madje, sipas tij, as vetë demonstratat nuk do të kenë ndonjë sukses të madh.

Përvojat e viteve 1964 dhe 1985

“Krejt kjo gjë është larg protestave masive, sepse më së shpeshti në protesta mblidhen vetëm disa qindra njerëz’, thekson Dane.

“Duket se forcave të sigurimit po iu shkon përdore që ato t’i mbajnë nën kontroll, falë një koordinimi dhe efikasiteti goxha brutal. Gjatë disa ditëve të fundit në burg janë futur shumë aktivistë sudanezë dhe anëtarë të opozitës së vendit. Pikërisht për këtë shkak unë nuk pres që në Khartum të shohim së shpejti pamjet të cilat, për shembull, i pamë në Kairo”, sqaron ai.

Por, të trimëruar nga përvojat e së kaluarës, demonstruesit, megjithatë, nuk dëshirojnë të heqin dorë. Edhe në vitin 1964 dhe më 1985 ishin studentët ata që i nisën protestat. Dhe, kur atyre iu bashkuan masat e popullit, u rrëzuan regjimet e asokohshme ushtarake të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›