Pranvera filloi me ardh, në skenën e TKOB
Ky koncert vjen në hollin koncertor nesër në orën 19.00. Ky koncert që do të shfaqet nesër në mbrëmje për publikun është në vijim të sezonit artistik të AKKVP, i cili po ngjit në skenë për publikun folklorin e pastër dhe tradicional kombëtar. Artistët e këtij ansambli jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera kanë prezantuar vlera të larta artistike. Ndërkohë që në vijim të aktivitetit të tij, vetëm disa kohë më parë AKKVP solli një koncert madhështor në skenë. Një repertor i zgjedhur, me këngë dhe valle popullore nga të gjitha trevat e shqiptare krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, para disa ditësh. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve Popullore solli për publikun një koncert, i cili ishte si një udhëtim në viset shqiptare. E ndërkohë që edhe Drejtuesja Artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore Lejla Agolli tregon se po i kësaj natyre do të jetë dhe koncerti në vijim. Në këtë koncert, ku do të mbizotërojë tradita kombëtare folklorike do të ngjiten në skenë emrat më të njohur të folklorit shqiptar. Po kështu do të ketë dhe një larmi vallesh, të cilat do të interpretohen nga valltarët e ansamblit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë komponentët artistikë dhe teknike të një trupe artistike.