E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali Folklorik i Këngës Qytetare përfundon ditët e tij në Elbasan

Një atmosferë të mrekullueshme ka sjellë për publikun edicioni i 10-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Qytetare. Elbasani këtë vit ishte qyteti organizator i këtij festivali i cili u zhvillua dy ditë në prag të Ditës së Verës. Më 11-12 mars Elbasanit

iu shtua dhe një tjetër festë muzikore me pjesëmarrjen e 18 grupeve folklorike nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga trojet e tjera shqiptare. Ky eveniment folklorik kombëtar ishte dhe një apel që duhet të ruhet sa më shumë tradita kombëtare folklorike. Që më vitet 1850 është fillesa e këngës qytetare, kur filluan të mblidheshin ndër festa e këndonin jo vetëm në qytet, por edhe në rrethina. Emërtimi i parë i këtyre këngëve ishte Këngë të vjetra. Më së miri këto këngë i përcolli Isuf Myzyri në fillim të shekullit 20-të dhe pas tij vëllezërit Zena, që vunë themelet e Këngës Popullore Qytetare në Elbasan dhe në Shqipërinë e Mesme si dhe Albert Tafani, Suzana Qatipi, Zeliha Sina, Flutura Hida, Mustafa Mehja e shumë të tjerë. Në qytetin e Elbasanit është edhe fillesa e festivaleve të këngës qytetare. Qëllimi i këtij festivali është shpalosja e vlerave të këtij zhanri të muzikës tonë popullore, ruajtja nga deformimet, si dhe evidencimi i artistëve të rinj dhe krijimeve të reja. Gjithashtu ketë vit Orkestra e Elbasanit mbush 105 vjet nga krijimi i saj. Planifikimi i një teme për rrugën e Orkestrës me zë të Elbasanit e ndër më të njohurat e vendit shtojë interesimin e auditorit për njerëzit e artit popullor. Tema iu besua z. Astrit Lopari, drejtor i shkollës artistike Onufri në Elbasan. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Këngës Popullore Qytetare, në Elbasan është festival i këngëve popullore qytetare mbarëshqiptare, që zhvillohet në muajin mars. Ky festival është një tribunë e këngës popullore qytetare, tek e cila ndërthuren harmonishëm elementet tradicional të trashëguar dhe elementet e rinj të orkestracionit, interpretimit, etj, të cilët i japin asaj freskinë dhe dinamizmin e kohëve që po jetojmë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›