E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranverë e muzikës botërore në Prishtinë

Në prill Kosova pret Manu Chao’n dhe Busta Rhymes, e në maj The Whitest Boy Alive. Sezoni muzikor në shtetin e ri po fillon me yje të muzikës botërore Nga Jon Bulli, PK Music news më 07 prill 2011 në ora 09:29

Gjithçka filloi me 50 Centin. Në dimrin e vitit 2007, Kosova e përjetoi kënaqësinë e koncertit të parë të një ylli botëror - atë të reperit të njohur amerikan. Edhe pse një shtet me shumë të rinj që aspirojnë dhe flasin si bashkëmoshatarët e tyre evropianë, Kosova ka pasur fatin e keq të jetë e izoluar me vite të tëra, fillimisht për shkak të luftës, e pastaj edhe për shkak të pengesave me viza që kanë kosovarët.

Por kjo nuk e ndaloi një grup entuziastësh që të veprojnë sipas asaj thënies së vjetër: “nëse fansat nuk mund të shkojnë te yjet, le t’i sjellim yjet tek fansat”.

Të mbështetur nga kompania inovative IPKO, ata organizuan një koncert me yllin e hip-hopit, që bëri bujë edhe në MTV e në BBC. Asokohe, 50 Cent pat deklaruar se ka pasur një ndër mbrëmjet më të mira në turne.

Rina Meta, një gazetare që ka përcjellë skenën e muzikës dhe kulturës në Kosovën e pasluftës, na thotë se në dy vitet e fundit ka ndodhur një kërcim kualitativ ne llojin e muzikës që ofrohet në Kosovë.

“Edhe më herët kemi pasur entuziastë, projekte shumë progresive dhe koncerte e festivale, por pas pavarësisë po tentohet që të mendohet më lartë se kaq”, thotë Meta. Gazetarja që ka përcjellë shumë koncerte, ka edhe një sqarim për eksplodimin e skenës muzikore.

“Disa nga organizatorët e këtyre ngjarjeve, si Dokufest, dhe koncertet e muzikës, tashmë kanë fituar eksperiencë të duhur dhe po arrijnë të marrin mjete nga sponsorët. Ndoshta edhe kjo e ka rritur kualitetin e bendeve që vizitojnë Kosovën”.

Urban FM dhe MegaHerz Club ishin dy brendet e para të muzikës, që së bashku sollën shumë DJ dhe krijuan skenën nga e cila kanë dalë shumë DJ dhe producentë të ndryshëm kosovarë. Ishin këto vitet e pasluftës së vitit 1999, kur u ndiz skena nga kosovarët që ktheheshin nga jeta në Londër, New York dhe Berlin.

Periudha e ngjarjeve më masive filloi në vitet e fundit. Shumë shpejt pas pavarësisë Urban FM organizoi Freedom Fest, i cili deri më tani ka sjellë yje alternative, si Gus Gus, Stereo MC’s dhe Method Man. Një kolektiv tjetër quhet SURF. Këta artistë dhe aktivistë janë mbledhur rreth idesë së organizimit të ngjarjeve të mira kulturore, duke mundësuar një shkëmbim kualitativ. Kanë organizuar disa ekspozita të artit kontemporan dhe koncerte me ikona të muzikës evropiane, si Morcheeba dhe Nouvelle Vague. Këto dy bende performuan në Prishtinë në vitin 2010, duke i sjellë risi publikut të uritur artdashës.

Tani, më 10 prill, po përgatisin edhe një koncert tjetër me një bend të papritshëm por të përshtatshëm për frymën ballkanase: atë të yllit Manu Chao. Manu është bërë ikonë e qarqeve rinore në mbarë botën, me muzikën eklektike që flet edhe për revolucion edhe për marijuanë edhe për jetën klandestine. Tani, pritet që ritmet e muzikës së Manu Chaos ta drithërojnë edhe Kosovën, në një koncert për të cilin vetë francezi i njohur ka thënë se “do ta lubrifikojë skenën me vallëzim dhe tinguj të trentë”.

SURF nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq, ngase në maj pritet një koncert i bendit të ri dhe shumë të popullarizuar në vitin 2010, që quhet Whitest Boy Alive. Edhe promotorët e tjerë mundohen që ta kapin hapin – qyteti tashmë po pret edhe një performancë të pëshpëritur të Shakira’s, diku gjatë verës së vitit 2011, në një turne të organizuar nga presidenti i vendit.

Skena kosovare kështu mbetet një amalgam interesant i promotorëve aktivistë, dhe ende pa përkrahjen e duhur të marketingut, por rinia kosovare duket se po e mirëpret valën e koncerteve kualitative.
Biletat për Manu Chao tashmë janë duke u shitur, krejtësisht.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›