E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si Beogradi i “mbylli” rrugët Muslim Mulliqit

SHKRUAN: Aida Tuci 07-04-2011 13:36

Galeria Kombëtare e Arteve dje ia kishte hapur dyert jo vetëm politikës por edhe për studentët e Akademisë së Arteve të Tiranës dhe Kosovës. Ekspozita “Muslim Mulliqi - Vepra 1970-1990” ngjalli kuriozitet sidomos për studentët dhe publikun e dy anëve të Shqipërisë. Për Tiranën, kurioziteti ishte për të njohur veprën e një piktori pak të njohur në Shqipëri, ndërsa për publikun e Kosovës kurioziteti ishte për të riparë pas 18 vitesh 31 veprat e kyçura në Galerinë Kombëtare të Arteve, që në vitin 1993. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe familjarët e piktorit Muslim Mulliqi (i ndarë nga jeta në vitin 1998): bashkëshortja dhe i biri Visar Mulliqi. Në një intervistë për Mapo-n Visar Mulliqi rrëfen piktorin e madh, njeriun e thjeshtë dhe babanë fenomenal Muslim Mulliqi.

Që nga viti 1993 koleksioni privat prej 31 veprash i babait tuaj Muslim Mulliqi ka qenë i mbyllur në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ndërkohë që ju keni bërë disa herë apel që veprat e babait tuaj të kthehen në Kosovë dhe jo rrallë keni lëshuar dhe akuza ndaj GKA-së që nuk ia kthen veprat familjarëve. A mund të na thoni si qëndron e vërteta?

Në fakt, tani po mendoj se është më shumë një problem teknik, për arsye se kur veprat e tij kanë ardhur në Shqipëri në vitin 1993 nuk kanë mundur më të kthehen në Kosovë, për shkak të rrethanave të ndryshme të asaj kohe, por dhe meqë ne (familjarët) nuk disponojmë dokumentet e kalimit në doganë të këtij koleksioni nga Kosova në Shqipëri më ’93. Është punë teknike që, tashti që janë këtu në këtë ekspozitë edhe dy ministrat e Kosovës dhe Shqipërisë: Memli Krasniqi dhe Suzana Turku, besoj se ky problem do të zgjidhet. Do të ndiqen procedurat, por besoj se shumë shpejt do të na kthehet koleksioni ynë.

Ju thoni se në koleksionin tuaj privat janë 31 veprat e Mulliqit, ndërkohë që GKA-ja shprehet se dy prej veprave të koleksionit privat i janë dhuruar kësaj galerie nga vetë babai juaj Muslim Mulliqi në vitin 1993...

Po, në koleksionin tonë privat janë 31 vepra dhe kjo që thoni nuk ka shumë rëndësi, por problemi tani është vetëm të kthejmë çfarë janë tonat.

Në çfarë gjendje i gjetët pikturat? A janë ruajtur mirë këto 18 vjet nga Galeria Kombëtare?

Ishin në gjendje shumë të mirë. Ishin ruajtur shumë mirë. Kam qenë edhe unë në vitin 1993, kur është hap ekspozita e parë e Muslim Mulliqit në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe është shumë interesante me e pa edhe një herë pas gati 20 viteve veprën e babës tim.

Që nga ’93-i, vetëm tani i rishihni veprat e tij?

S’i kam parë asnjëherë që atëherë, se kanë qenë hermetikisht të mbyllura në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

A mund të na thoni si ishte të jetoje me artistin-prind Muslim Mulliqi?

Si prind ka qenë fenomenal, një njeri që pikësëpari e ka njoh artin shumë mirë, ka ditur të flasë atëherë kur duhet dhe ka ditur edhe me të udhëzu se nga duhet më shku me e bë vetë rrugën tane. Edhe unë si baba jam piktor dhe pedagog në Akademinë e Arteve.

A keni marrë diçka nga stili i tij në pikturë?

Unë jam ma pak modernist se baba. Normal, mësimet e para baba m’i ka dhënë, e kur kam qenë i vogël në atelienë e tij kam lujt me ngjyrat, por unë kam tjetër stil, kam kriju personalitetin tim në pikturë. Baba nuk ka dash shumë me u përzi me artin tim, se ka pas frikë se mos ndoshta ma shumë po më ngatërron, por më ka lënë të lirë me formu personalitetin tim si piktor.

Muslim Mulliqi e pati karrierën si piktor në Jugosllavi. A ka ndikuar kjo në njohjen e tij jashtë kufijve?

Për te ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, se atëherë të gjitha rrugët për jashtë kanë kalu përmes Beogradit dhe ata i kanë ba stopime të ndryshme, edhe pse baba me punë shumë të madhe dhe me veprat e tij ka ecë përpara e ata nuk kanë mujt me e ndalë.

A keni shitur ndonjë pikturë të tij ose më saktë sa vlen në treg një pikturë e Muslim Mulliqit?

Ne nuk kemi shit asnjë vepër të tij dhe nuk e di sa mund jetë vlera e veprës së tij në treg. Për momentin, nuk shesim asnjë.

Gjithë koleksioni privat i familjes janë këto 31 piktura që shohim të ekspozuara apo ka dhe më shumë?

Jo, kemi rreth 80 piktura në koleksion, pastaj kemi vizatime, guasha, por këto do të ekspozohen kur të bëhet muzeu-galeri i Muslim Mulliqit në Prishtinë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës. Atëherë do të bëhet i njohur për publikun krejt koleksioni i tij, që do të jetë i ekspozuar në mënyrë permanente në muzen-galeri.

A do të donit ta kapërcenit mjeshtërinë e babait në pikturë, meqë dhe ju keni ndjekur rrugën e tij dhe ndryshe nga ai mundësitë tuaja për t’u njohur jashtë kufijve janë edhe më të mëdha se i pati ai?

Po, do kisha dëshirë, por duhet shumë, shumë punë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›