Xhafa në Napoli
I njohur për veprat e tij provokuese, Sislej Xhafa kësaj radhe prezantohet me një ekspozitë personale, që do të hapet më 21 prill, në muzeun e artit bashkëkohor Madre, në Napoli. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12 shtator.
Ekspozita është kuruar nga Mario Codognato, dhe ajo do të përfshijë rreth tridhjetë vepra të mëhershme, apo të reja të artistit. “Again and Again” (2000), “Future of old” (2001), “Clandestine Albanian Pavilion” (performancë e vitit 1997), “Still Untitled” (e vitit 2003), “Romeo e Zhuljeta” (2006), “Still untitled” (2003), etj, janë vetëm disa nga veprat që do të ekspozohen.
“Kërkimi artistik i Sislej Xhafës është një hetim mbi realitetet ekonomike, politike e sociale duke u bashkangjitur atyre edhe kompleksitetin e shoqërisë moderne. Në kërkimet e tij, për shembull, në fenomenet e turizmit dhe ilegalitetit, Xhafa përdor një gjuhë minimale, e njëkohësisht edhe ironike dhe kundërshtuese, duke u përballur me një gamë të gjerë mediumesh, që nga vizatimi e deri tek skulptura, që nga performanca e deri tek fotografia”, thuhet në fillimit të tekstit prezantues të galerisë Madre.