E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patriotizmi shprehet n’Beograd

Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Jeton Neziraj, thotë se është guxim dhe patriotizëm të shkohet në Beograd dhe të luhet teatri kosovar - atje ku u projektuan të këqijat e viteve të fundit. Nga Express më 07 prill 2011 në ora 12:04

Një ditë pasi që mendimet e tyre lidhur me moshkruarjen e shfaqjes “Çifti Matin” në festivalin ‘Mucijevi Dani’, në Beograd, i shprehën drejtoresha e TKK’së, Burbuqe Berisha, dhe regjisori i shfaqjes, Bekim Lumi, gazeta EXPRESS ia shtroi po të njëjtat pyetje edhe drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Jeton Nezirajt.

Kjo, ngase, duke marrë për bazë postin që mban z. Neziraj, edhe përgjigjet e tij lidhur me çështjet që ndërlidhjen me të tashmen dhe të ardhmen e teatrit kosovar gjithsesi që janë relevante.

EXPRESS: Si e komentoni ju mendimin, sipas të cilit, shfaqja “Çifti Martin” nuk duhet performuar para publikut në Beograd?
Neziraj: Më duhet fillimisht të sqaroj edhe njëherë këtë çështje për lexuesin, sepse është spekuluar dhe po spekulohet për disa çështje që nuk janë të lidhura me natyrën e ftesës dhe as me idenë e vizitës. Ne në TKK jemi kontaktuar nga Teatri Atelje 212 shumë kohë më përpara. Ne që në fillim kemi qenë të informuar se në program do të shkruhen emrat zyrtarë të teatrove (ashtu siç ekzistojnë zyrtarisht), por në vend të shtetit të shkruhet vetëm qyteti. Për shembull, Teatri Kombëtar i Kosovës – Prishtinë. Dhe ky ka qenë kompromisi që ne e kemi pranuar. E ka pranuar edhe Burbuqja. Madje, në fillim ajo ka insistuar që në Beograd të shkojë shfaqja “Vdekja dhe vasha”. Ftesën e kemi pranuar, sepse kemi konsideruar se vetë emri zyrtar “Teatri Kombëtar i Kosovës” është shpjegues për shtetësinë tonë. Dhe aq më tepër që ky është, në fund të fundit, vetëm një teatër, ky nuk është “shteti i Kosovës” që, helbete, do të mund të kontestohej atje, a kudoqoftë tjetër. Ka “fronte” të tjera ku mbrohet, promovohet dhe ruhet shtetësia e Kosovës. Më tepër sesa me një “Republika e Kosovës” në fllajer të këtij festivali ose ueb faqe të tij, Republika e Kosovës do t`ishte bërë publike, mbrojtur e promovuar në skenën e Teatrit Atelje 212, në Beograd. Kështu e kuptoj unë. Megjithatë, për shkak të ndjeshmërisë, kjo çështje i është lënë Këshillit Drejtues të TKK’së. Burbuqja është ngutur ta “anulojë” këtë vizitë, pa përfillur procedurat ligjore dhe procedurat që janë të standardizuara në rregullore të TKK’së - që këto vendime merren në bashkëpunim me drejtorin artistik dhe Këshillin Drejtues. Ka dashur të ngutet, sepse ky ka qenë shansi i sajë për t’i mbushur bateritë e harxhuara patriotike. Ky ka qenë rasti për të ikur prej problemeve të brendshme, që lidhen me domenin e saj menaxhues, brenda TKK’së dhe për t`krijuar front debati për një çështje, e cila, tekefundit, ka qenë duke u diskutuar në nivele të tjera brenda TKK’së. E kanë thënë edhe të tjerë më përpara, po e them edhe unë tani: pseudopatriotizmi ka qenë dhe mbetet strehë e injorantëve. Me diskursin e tyre, këtyre pseudopatriotëve do t’u thosha: urdhëroni deri në Zveçan. Aty tregoni muskujt tuaj të ndryshkur patriotikë. Aty ruajeni, promovojeni dhe mbrojeni shtetësinë e Kosovës.

EXPRESS: Çka humbet, apo çka fiton Teatri Kombëtar i Kosovës, por edhe skena kosovare përgjithësisht me vendime të kësaj natyre?
Neziraj: Kosovës nuk mund t’i vjen e keqja nga bashkëpunimet rajonale kulturore. Kosovës nuk mund t`i vjen e keqja nga vizitat kulturore të kësaj natyre. Teatri është aty për të riparuar dëmet që shkakton politika. Kështu është menduar ky tempull, kur është krijuar. Kjo nuk është një vizitë ku është dashur të ndahen në vija të trasha heronjtë dhe tradhtarët. Kjo do të duhej të ishte një vizitë normale e artistëve që komunikojnë shlirshëm me artistë, e njerëzve që komunikojnë shlirshëm me njerëz. Argumentet pro dhe kundër mund të jenë të shumta, e kuptueshme. Arsenali që përdorin ata që janë kundër kësaj vizite i takon të kaluarës, janë argumente të cilat pseudopatriotët i kanë në mëngë të këmishës dhe i përdorin siç përdoret faculeta për fshirje hundësh. Guxim është të shkohet në Beograd. Patriotizëm është të shkohet në Beograd dhe t`luhet teatri ynë, atje ku u projektuan të këqijat e tërë këtyre viteve të fundit. Kjo vizitë do të ndodhë, nëse jo tani, do të ndodhë mbas një, dy apo disa vitesh. Përndryshe, e ardhmja e dy vendeve tona pritet të jetë e zymtë. Ashtu siç ka qenë e zymtë dhe tragjike e shkuara. Nëse një teatër nga Beogradi mund të vijë dhe luajë në Prishtinë (siç ka ndodhë disa herë deri tani), përse teatri i Prishtinës nuk mund të luaka në Beograd. Kosova ka Qeverinë, ka ushtrinë, ka edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, të cilat janë aty ta ruajnë, mbrojnë dhe promovojnë shtetësinë e Kosovës. Përse duhet një teatri t’ii ngarkohet një rol që nuk i takon. Nuk i takon dhe as nuk i ka takuar kurrë. Teatri duhet të jetë i lirë. Teatri është i lirë vetëm në vendet e lira. Aty ku ka liri, aty ka teatër të lirë. Aty ku mungon liria, aty teatri vishet me detyra dhe i shërben pseudo-kauzave, ideologjive e promovimit të ideve që nuk lidhen me natyrën dhe shpirtin e tij.

EXPRESS: A mendoni se arti kosovar (pra, cilado formë e tij) do të avancojë, po që se ai nuk përballet/krahasohet, fillimisht me atë që krijohet në rajon, e pastaj edhe më gjerë?
Neziraj: Me Burbuqen aktuale dhe burbuqet e këtij formati, që mund të vijnë në të ardhmen, teatri i Kosovës do të degradojë deri në shkallën e “vajmedetit”. Zhvillim nuk mund të ketë, pos shllajfitje n’vend dhe prodhimtari mediokre teatrore. Ky s’mund dhe s’duhet të jetë vizioni i një teatri të çfarëdo formati, i pavarur apo publik. Teatri në Kosovë duhet të hapet ndaj bashkëpunimeve regjionale dhe bashkëpunimeve të tjera përtej regjionale. Teatri duhet të marrë impulse nga jashtë dhe të dërgojë impulse jashtë. Teatri, gjithkund në botë, ka nevojë të shkëmbejë ide dhe të freskohet. Ndryshe, ai bunkerizohet dhe fillon të përtyp e ripërtyp brenda vetvetes, si kafshët që përtypin natën barin e ngrënë ditën.
Ju e dini që para dy vitesh shfaqja e Teatrit Shqiptar të Shkupit ka prezantuar në Teatrin Jugosllav të Dramës, në Beograd, shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, bazuar në romanin e Ismail Kadaresë. A është e nevojshme tash këtu të them sesa e rëndësishme ka qenë kjo gjë? A duhet ta përmend këtu entuziazmin e Bekim Fehmiut, mbas këtij prezantimi shqip në Beograd? A duhet të shpjegojë këtu përmbajtjen e “Gjeneralit...”, të cilën të gjithë e dinë? A ka akoma ndonjë idiot që nuk e kupton që ky ka qenë veprim i duhur dhe i drejtë?!

EXPRESS: A do të pranonit që – hipotetikisht - të ftonit ndonjë shfaqje nga Serbia për një inskenim të saj në Prishtinë?
Neziraj: Shfaqje nga Beogradi në Prishtinë ka pasur tashmë. Kjo nuk i çudit më njerëzit. Por, e thashë, janë pak të habitur dhe të lemeritur nga udhëtimi i mundshëm i teatrit tonë atje. Ardhja e trupave teatrore nga Serbia shihet si diçka “me interes” (marrë parasysh obligimet kushtetuese), por në ndërkohë, udhëtimi i teatrit tonë atje shihet si “pa interes”!
Por, edhe kjo çudë do të kalojë dhe ky komunikim pas disa vitesh do të jetë pjesë e normalitetit. Rrugë të ndërmjetme nuk ka. Dhe jo vetëm me Serbinë, por komunikim dhe bashkëpunim duhet të ketë edhe me Maqedoninë, me Malin e Zi, me Turqinë (po, edhe me Turqinë)... As Bosnja e Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por do të ishte fatale të mos udhëtohej atje, nëse do të kishim ndonjë ftesë. Do të ishte një veprim infantil.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›