E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti i shqiptarëve

Pensionimit të Alexander Freit e Marco Strellerit nga përfaqësuesja e Zvicrës pritet t’ia shohin hairin disa futbollistë shqiptarë. Sipas mediave zvicerane, në mesin e kandidatëve për ta zëvendësuar dyshen e Baselit janë edhe dy sulmuesit shqiptarë: Admir Mehmedi dhe Albert Bunjaku. Nga Moral Pozhegu moral.pozhegu@gazetaexpress.com më 07 prill 2011 në ora 13:05

Pensionimi i dy sulmuesve, Alexander Frei e Marco Streller nga përfaqësuesja e Zvicrës është lajm i mirëseardhur për disa sulmues shqiptarë që kanë nënshtetësi të shtetit helvetik.

Dy zviceranët që aktivizohen te kampioni zviceran, Basel, kanë bërë të ditur të martën se kanë vendosur të tërhiqen nga Kombëtarja për shkak të reagimeve negative të fansave ndaj tyre, për paraqitjet e fundit të dyshes.

Nga këto tërheqje pritet të përfitojnë disa futbollistë shqiptarë, të cilët tash e tutje mund të marrin ftesë nga selektori i përfaqësueses zvicerane, Ottmar Hitzfeld, i cili është i detyruar t’i gjejë zëvendësuesit për Frein dhe Strellerin.

Në anën tjetër, mediat zvicerane kanë filluar t’i përmendin emrat e futbollistëve të mundshëm që mund të jenë zëvendësues të kësaj dysheje. Në mesin e tyre janë edhe emri i sulmuesit të Nurnbergut, Albert Bunjakut dhe i sulmuesit të Zurichut, Admir Mehmedit.

“Njëri prej 9 opsioneve është edhe Admir Mehmedi, i cili është pjesë e rregullt e Zurichut. Edhe pse ka shënuar pak gola, duhet cekur se ai është vetëm 20 vjeç”, shkruan ueb faqja zvicerane 20min.ch.

Mehmedi aktualisht është pjesë e përfaqësueses zvicerane U21. 20 vjeçari në të kaluarën ka luajtur edhe me grupmoshat U16, U17, U19 dhe U20 të Zvicrës, derisa tani ka rastin që ta bëjë hapin e madh për inkuadrim në përfaqësuesen A të shtetit helvetik.

Nga tërheqja e Freit dhe Strellerit mund të përfitojë edhe Albert Bunjaku. Për dallim nga Mehmeti, futbollisti i Nurnbergut ka pasur rastin të luajë në përfaqësuesen helvetike, por ka qenë nën hije të kësaj dysheje, duke pasur minutazh shumë të vogël.

Por, tash e tutje gjërat mund të ndryshojnë, ngase Zvicra nuk ka sulmues të tjerë shumë cilësorë.

“Sulmuesi i Nurnbergut, Albert Bunjaku është një tjetër kandidat për të cilin mund të diskutohet. Ai është duke e rimarrë veten, pas një lëndimi që e kishte pësuar. Kur të shërohet, sigurisht ai do të jetë një opsion interesant. Vitin e kaluar ka shënuar një numër të madh të golave me Nurnbergun. Nëse luan sërish në këtë nivel, kjo është një shenjë e mirë. Mirëpo, një ftesë e tij ndaj Anglisë duket e hershme”, vazhdon shkrimin 20min.ch.

Sfida e radhës e Zvicrës në kualifikimet për Euro 2012 do të jetë ajo e 4 qershorit kundër Anglisë në Londër. Përpos Bunjakut, në skuadrën e selektorit Ottmar Hitzfeld luajnë edhe tre futbollistë shqiptarë: Valon Behrami, Blerim Xhemajli e Xherdan Shaqiri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›