E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debat në grupin e PS,deputetët në Kuvend për të votuar rezolutën e liberalizimit të vizave



Aristir Lumezi

Socialistët do të votojnë sot çdo variant të rezolutës që kërkon heqjen e vizave. Qëndrimin e grupit socialist do ta shprehë sot në seancë, Arta Dade. Mbledhja e djeshme e grupit parlamentar socialist i ndau ata në dy grupime, ku njëra palë ishte pro hyrjes në Kuvend dhe miratimit të saj. Ndërsa një tjetër rrymë, ishte kundër hyrjes dhe votimit të rezolutës së paraqitur nga PD, duke kërkuar kushtëzimin e saj me zgjidhjen e krizës politike që lidhet me hetimin e zgjedhjeve. Kryetari i grupit parlamentar, Ruçi që në nisje të mbledhjes, e cila dje u zhvillua në mungesë të kryetarit Rama, shprehu domosdoshmërinë e vajtjes në seancën e së enjtes, madje dhe miratimin e rezolutës që ka përgatitur PD-ja. Sipas tij, refuzimi i këtij miratimi do të kishte kosto për PS-në në të ardhmen, pasi do të lejonte maxhorancën ta akuzonte të Majtën si bllokuese të procesit të liberalizimit të vizave. Ky qëndrim i menjëhershëm i Ruçit dhe deri diku i papritur, ka bërë që në mbledhjen e djeshme, deputetët të ndaheshin në dy rryma. Dy ditë më parë, deputetët socialistë kishin bojkotuar komisionin e Jashtëm dhe atë të Integrimit, ku u diskutua rezoluta e Parlamentit shqiptar për liberalizimin e vizave. Socialistët e kishin kushtëzuar bojkotin e tyre me ecurinë e diskutimit të projektligjit të tyre për hetimin e zgjedhjeve në komisionin e Ligjeve. Deputeti socialist, Arben Malaj u shpreh se duhej shkuar në seancë për t’i bërë një skaner Qeverisë, ndërsa e konsideroi rezolutën dhe miratimin e saj një rast ku PS të tregojë përgjegjshmërinë e saj politike. Ai kërkoi që kjo rezolutë të çohej në Kuvend në seancën e 18 marsit, kur do të diskutohet dhe projektligji i PS-së për hetimin e zgjedhjeve. Ndërsa deputeti Sajmir Tahiri ishte kundër hyrjes në Kuvend dhe miratimit të saj, pasi sipas tij, “rezoluta është e paragjykuar, jo e sinqertë dhe e instrumentalizuar nga Partia Demokratike për qëllime politike, që ka lidhje me vetë PS-në dhe jo me çështjen e liberalizimit të vizave”. Deputeti Bashkim Fino kërkoi që deputetët e PS, të debatonin në Kuvend gjatë seancës së sotme, ndërsa u shpreh se PS nuk duhet të kishte bojkotuar komisionin e Integrimit, por të kishte debatuar aty rreth përmbajtjes së saj. Por nuk kanë munguar dhe qëndrimet radikale në PS, të cilat kanë kërkuar që miratimi i rezolutës për liberalizimin e vizave të kushtëzohej me miratimin e projektligjit për transparencën e zgjedhjeve. Fatmir Toçi e Dashamir Peza kërkuan që deputetët e PS-së të mos hyjnë në Kuvend dhe të qëndrojnë jashtë tij, deri në miratimin e draftit të PS-së për hapjen e kutive.

Debatet në grupin socialist

Gramoz Ruçi: Jemi në thelb kundër këtij teksti që ka përgatitur maxhoranca. Nëse do të pranojë maxhoranca ta ndryshojë, do të ishte zgjidhja më e mirë, por edhe nëse nuk pranon ndryshimet, ne do ta miratojmë edhe në këtë formë, sepse do ta dëmtonte politikisht dhe do të na etiketonin sikur PS është kundër heqjes së vizave.
Arben Malaj: Duhet të shkojmë në Kuvend, për të bërë analizën e plotë të dështimit të Qeverisë në përfitimin e vizave, duhet të diskutojnë sa më shumë kolegë që mund të bëjnë diskutime sa më të mira, dhe PS të marrë një vlerësim pozitiv publik për kontributin e saj për sfidat integruese të vendit. T’i kërkohet maxhorancës që votimi i rezolutës të bëhet në datë 18, për të shfrytëzuar çdo mundësi që jo thjesht të votohet një rezolutë, por të gjendet një zgjidhje oportune për të dalë nga kriza. Kjo sepse, në qoftë se nuk gjendet një zgjidhje për krizën politike, vendi nuk përfiton realisht.
Bashkim Fino: Detyra jonë edhe përpara shqiptarëve është të shkojmë në seancë, t’u themi se cilat janë dështimet e Qeverisë dhe çfarë ka bërë ajo për të ulur korrupsionin, për të zbatuar ligjet dhe vendimet e gjykatave. Nuk jemi kundër heqjes së vizave për shqiptarët. Unë propozoj që të bëjmë debat, të bëjmë vërejtjet tona mbi tekstin e rezolutës të hartuar nga PD. S’do ishte keq që deputetët tanë, ndër të cilët kemi dhe specialistë të fushës, të kishin shkuar në komisionin e Jashtëm dhe atë të Integrimit dhe të kishin debatuar aty rreth tekstit të rezolutës.
Damian Gjiknuri: Mosmiratimi i rezolutës mund të na dëmtojë në terma afatgjatë. Problemi i vizave nuk varet nga kjo rezolutë. Miratimi i këtij teksti, kështu siç është, paraqet probleme. Në këtë formë favorizohet Qeveria pa asnjë kontribut. Do kishte qenë mirë që në komisionin e Integrimit ose dhe nesër nëse vendoset të mblidhet komisioni i integrimit paradite, të bëhen përmirësimet e nevojshme të tekstit të rezolutës dhe me ekspertizën tonë.
Sajmir Tahiri: Nuk jam optimist, madje përkundrazi skeptik, nëse duhet të hyjmë apo jo në seancë. Personalisht, mendoj se s’duhet të hyjmë, sepse e dimë që kjo rezolutë është e paragjykuar, jo e sinqertë dhe e instrumentalizuar nga Partia Demokratike për qëllime politike që ka lidhje me vetë PS-në dhe jo me çështjen e liberalizimit të vizave. Sido që të vendosim sot, nëse do hyjmë apo jo në seancë, të miratojmë rezolutën e PD-së apo të paraqesim një rezolutë alternative, mendoj se përveç ndryshimeve të tjera, ne duhet të këmbëngulim në këtë rezolutë, shprehjen e domosdoshmërisë për transparencë dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Fjalët “transparencë” dhe “zgjedhje të lira” duhet të përfshihen në tekstin e rezolutës.
Et’hem Ruka: Ne duhet të bëjmë një rezolutë alternative, ku të shprehemi se kemi krizë politike në vend. Rezoluta e PD ka qëllime politike dhe do e cilësoja si karrem që kërkon të tërheqë PS në Parlament, pa miratuar ligjin për transparencën e zgjedhjeve.
Andis Harasani: Ne duhet të shkojmë në seancë. E kuptoj se kjo rezolutë ka qëllime politike dhe do të ishte mirë të miratohej në seancën e 18 Marsit, bashkë me projektligjin tonë për transparencën e zgjedhjeve, ku do të tregohej dhe vullneti i Qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën. Shoku Gramoz, propozoj që qëndrimin tonë në Parlament ta mbajë Ditmir Bushati, sepse ka dhe ekspertizën e nevojshme rreth çështjeve të integrimit.
Ditmir Bushati: Në këtë rezolutë nuk mund të flitet për suksese, sepse duhet të dimë pse jemi në këtë situatë. Rezoluta s’ka pse i drejtohet Komisionit Evropian të respektojë afatet për heqjen e vizave, por duhet t’i kërkojmë Qeverisë të bëjë detyrat e shtëpisë, që Bashkimi Evropian i ka lënë. E vlerësoj propozimin e Andisit për të folur në emër të grupit, por unë do të propozoja që në seancë të flasë sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, zonja Dade.
Agim Leka: Unë propozoj që në emër të grupit, të flasë kryetari i grupit, shoku Gramoz, prandaj dhe e zgjodhëm në krye të tij.
Gramoz Ruçi: E vendos unë se kush do flasë, “më keni vënë prift dhe më rruani mjekrën”.
Andis Harasani: Ti mjekër nuk ke dhe këtu je kryetar grupi dhe jo mbret që të vendosesh kush flet dhe kush jo, ne propozime po bëjmë. Të kemi zgjedhur kryetar grupi, jo mbret....
Fatmir Toçi: Unë mendoj se duhet t’i përmbahemi qëndrimit tonë radikal siç kemi qëndruar deri tani, duke e kushtëzuar votën tonë me transparencën e zgjedhjeve. Kërkoj të hartojmë një rezolutë tonën dhe të mos shkojmë fare në seancë, por të dërgojmë një nga përfaqësuesit tanë që ta bëjë publike, duke ia lënë maxhorancës ta miratojë.

BE: Vizat në këmbim të reformave

Bashkimi Evropian kërkon miratimin e reformave politike, në këmbim të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit. Deklaratën e bëri dje në Strasburg, gjatë një seance të Parlamentit Evropian shefja e diplomacisë së BE-së, Katherinë Ashton. “Bashkimi Evropian duhet të dëshmojë se është në gjendje të ndihmojë reformat në vendet fqinje, nga Bjellorusia në Marok, nëse dëshiron që të merret seriozisht si lojtar global. Heqja e regjimit të vizave dhe tregtia e lirë janë elementë të rëndësishëm në duart e politikës evropiane, për të çuar përpara reformat në Ballkan”, tha Ashton gjatë fjalimit të saj në Parlament. Sipas saj, edhe në Ballkan, Bashkimi Evropian duhet të këmbëngulë për reforma politike. Deklarata e zyrtares së lartë të Bashkimit Evropian vjen në një moment kur disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë përfituar heqjen e regjimit të vizave me hapësirën “Schengen”, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja presin ta përfitojnë atë, në mesin e këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›