Topalli: Ditë e shënuar për Kuvendin
Ajo që i është gëzuar më shumë konsensusit të “ratifikuar” dje në Konferencën e Kryetarëve ka qenë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Në një dalje të posaçme për mediat, fill pas mbledhjes dhe kafes së “pajtimit” të palëve politike, Topalli ka përshëndetur marrëveshjen e arritur si një mundësi për të zhbllokuar të gjitha reformat që janë vënë si kusht nga BE për integrimin europian. “Sot është një ditë e shënuar për Kuvendin e Shqipërisë. Me miratimin unanim të Konferencës së Kryetarëve, sot është vendosur të nisë puna për zhbllokimin e asaj situate që ka penguar për më shumë se dy vjet procesin e integrimit. Unë, të paktën sot dua të harroj debatet e dy viteve dhe të përgëzoj partitë politike parlamentare për vendimet që kanë marrë sot në Konferencën e Kryetarëve”, - tha Topalli. Ajo e ka konsideruar këtë marrëveshje si marrje përgjegjësie nga secila palë në lidhje me detyrimet që kanë në procesin integrues. “Unë shpresoj shumë që ligjet që kërkojnë 3/5-at do të shqyrtohen me seriozitet dhe do miratohen sipas kalendarit të miratuar nga Konferenca. Shpresoj dhe uroj që mirëkuptimi i arritur sot në Konferencë për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore do të vazhdojë të jetë në themel të punës së këtij komisioni. Aktet e sotme të Konferencës së Kryetarëve janë një sinjal shumë i fortë dhe shumë i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar, i cili ka qenë gjithë kohës në nxitje dhe në mbështetje të këtij procesi. Jam shumë e lumtur për kompromisin parlamentar të arritur”, - u shpreh Topalli.