E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat e ndeshjes që mund të shkarkojë Kuzhen

SHKRUAN: Jeton Selimi 08-09-2011 12:17

Pas ndeshjes me Francën, pasi objektivat e kuqezinjve ishin dërrmuar plotësisht dhe në lojë kishte mbetur vetëm vendi i katërt, u shfaq një frymë tjetër, e pa vënë re më parë që kur trajner i kombëtares ishte kroati Kuzhe. Të gjitha mediat (thuajse të gjitha) që deri dje lavdëronin punën e mirë të tij, duke ndarë edhe përgjegjësitë mes kroatit, lojtarëve dhe federatës, kësaj radhe e kishin ndryshuar ritmin. Çdo deklaratë dukej si një paralajmërim dhe në krye të të gjithëve qëndronte padyshim paralajmërimi i “shefit”: “Kjo, është ndoshta sfida më e vështirë e Shqipërisë në grup, pasi është një ndeshje që duhet fituar me patjetër. Pavarësisht dëmtimeve, nuk ka alternativë tjetër, duhet fitorja. Mendoj se ky grup duhet t’i përfundojë këtë fazë eliminatore, dhe pasi të mbyllet fushata një pjesë e skuadrës duhet të largohet, ndoshta edhe në masën 30-40 për qind. Kuzhe? Opinioni im deri tani është pozitiv, por gjithsesi është akoma shpejt. Janë akoma tri ndeshje zyrtare, si dhe të paktën, një miqësore. Janë shumë për të menduar nëse do të rinovohet apo jo,” do të shprehej presidenti Duka para ndeshjes me Luksemburgun.

Formacioni

Thuhet se Kuzhe ka dashur të zgjojë sedrën e veteranëve dhe i ka hedhur ata që nga fillimi për të marrë maksimumin prej tyre. Por ndërkohë thuhet se po këta lojtarë kanë qenë pjesë e lëvizjes anti-Kuzhe. Natyrisht, që të hamendësosh për lënie të ndeshjes mund të jetë e tepërt, por neglizhimi mund të ketë qenë pjesë e frymës anti-Kuzhe. Vetë loja e kuqezinjve të martën në mbrëmje ishte mëse negative.

Mediat

Ndryshe nga herët e tjera, thuajse të gjitha mediat në vend ishin vënë kundër Kuzhes. Në kronikat e tyre vërehej qartë fryma kundër kroatit duke zhvlerësuar punën e tij në krye të kombëtares. Pjesë u bënë edhe panele të ndryshëm nëpër televizione ku thuajse të tërë kritikuan atë që Kuzhe ka bërë me formacionin kuqezi duke u ankuar për lojën jo produktive apo edhe besimin e tepruar që u ka dhënë veteranëve.

Bogu dhe Agolli

Nëse dikush e ka parë me vëmendje reagimin e Agollit dhe të Bogdanit pas kartonave të kuq ndaj Luksemburgut, mund të vërejë një dëshpërim formal të të parit dhe zemërim të tërbuar të të dytit. Bogdani ishte i vetmi që luftoi në çdo top dhe që kërkoi me çdo kusht fitoren. Duke lënë fushën, sulmuesi i Çezenës ka zënë me shkelma çfarë i ka dalë para, duke mos kursyer as kamerat e objektivët e aparateve fotografikë.

Situata e kontratës

Që prej ardhjes së tij në krye të kombëtares, Kuzhe po përjeton situatën më të keqe. Aktualisht ai ka edhe tre muaj kontratë, por duket se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Nuk dihet se kush e ka fjalën e parë mbi rinovimin, por duket fare qartë se FSHF kërkon ta shkarkojë kroatin, ndërsa ky i fundit nuk e jep dorëheqjen për të përfituar sa më shumë ekonomikisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›