E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmendet moti

Katër mijë familje janë larguar nga shtëpitë, shumë të tjerë janë duke e bërë këtë tashmë dhe qindra rrezikohen të kenë fatin e të parave, ndërsa ujërat nuk duket se kanë ndërmend të bien në Shkodër dhe rrethina, e lajmet alarmojnë për fatin e argjinaturës në Torovicë. Arsyet e “gjëmës” janë tani për tani të pashpjegueshme në detaje, ndërsa e vetmja gjë që mund të thuhet, është se sasia e reshjeve është mjaft e lartë për t’u përballuar nga ujëmbledhësi dhe sistemi kullues. Miliarda në mallra dhe infrastrukturë janë zhdukur tashmë nga vrulli i ujit, por bilancet janë shumë shpejt për t’u bërë, vetëm dihet që ato do të jenë shumë herë më të larta se të janarit, ku shifrat arritën në më shumë se 4 miliardë lekë. E ndërkohë qeveria, që dje u ka bërë thirrje aleatëve të NATO-s për ndihmë me helikopterë, po përpiqet të shpëtojë dhe mbajë larg rrezikut jetët njerëzore, është e pamundur të shmangen dëmet ekonomike të katastrofës...

Është një ndjenjë e çuditshme ankthi dhe frike ajo që përfton ndërsa sheh Drinin, Bunën e Liqenin, të pushtojnë centimetër pas centimetër Shkodrën. Lagjet në hyrje të qytetit i përngjajnë prej ditësh një arkipelagu ishujsh të vegjël të formuar prej shtëpish të përmbytura në ujë. Drini, Buna dhe Liqeni janë bashkuar në një dhe nga Rozafa kureshtarë dhe viktima të përmbytjeve mund të shohin se si uji pushton ngadalë gjithçka, prej Vaut të Dejës në Adriatik, prej Shkodrës në Lezhë, gjithë sa të rrok syri është mbuluar nga një masë njëngjyrëshe, prej nga majat e çative dhe katet e dyta duket sikur notojnë...

Sinoptika parashikon se reshjet do të vazhdojnë gjatë dhe megjithëse pritet një hapje kohe e pjesshme, shirat do të vazhdojnë në pjesën më të madhe të dhjetorit. Nga ana tjetër, gjendja në kaskadën e Drinit tashmë e detyron KESH-in që të shkarkojë nga portat e hidrocentraleve të gjithë sasinë e ujit që do të sjellin lumenjtë. “Për të ruajtur sigurinë e digave nuk mund të mbajmë më prurjet dhe çdo prurje natyrore do të shkarkohet. Fierza ndodhet në nivelin kritik 290.8 metra, ndërsa prurjet vazhdojnë të jenë të larta”, - u shpreh kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo. Kreu i KESH-it thotë se specialistët e korporatës po monitorojnë me kujdes edhe gjendjen e digave, edhe pse siguron se ato janë plotësisht të sigurta. Korporata pret që edhe dhjetori të jetë muaj me reshje masive, çka paralajmëron se përmbytja e pestë e Shkodrës gjatë këtij viti mund të jetë më e gjatë se ato të parat. Rrebeshi i rënë ditën e djeshme e ka përhapur njollën e përmbytjeve në thuajse të gjithë vendin, ku pesë qarqe kanë parë pasojat e mërisë së kohës, me përmbytje, bllokim rrugësh, përfshi edhe dy autostrada të vendit Tiranë-Durrës dhe Durrës-Kukës, si edhe evakuim të mijëra banorëve në zonat e prekura.

Shkodra në alarm

Qarku që vijon të ketë situatën më të vështirë për t’u përballuar, është ai i Shkodrës, ku situata dje është përkeqësuar, për shkak të reshjeve intensive, të cilat shkaktuan rritjen me 11 centimetra të Liqenit të Shkodrës. Zona e përmbytur tashmë ka prekur rreth 13000 ha tokë, janë të rrethuara nga uji 2470 shtëpi dhe 2100 banesa janë të përmbytura.

“Deri më tani janë evakuuar 3940 familje. Vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët për në Muriqan, Velipojë, Shirokë dhe Zogaj. Vijojnë operacionet e evakuimit në komunat Ana e Malit, Bushat, Bërdicë, Dajç dhe në Bashkinë Shkodër. Në dispozicion të shtabit të emergjencave civile në Shkodër janë vënë disa objekte për strehimin e personave të evakuuar”, - bëri të ditur Shtabi i Përgjithshëm i Emergjencave Civile.

Sipas autoriteteve shtetërore, rreth 1000 efektiva të Policisë së Shtetit dhe afro 500 efektiva të Forcave të Armatosura janë duke kryer veprimet operacionale në terren me rreth 80 mjete të Ministrisë së Brendshme dhe 120 mjete të Ministrisë së Mbrojtjes. Veprimet operacionale po kryhen edhe me ndihmën e një flotiljeje të posaçme me helikopterë dhe varka të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Për fat të mirë, deri dje situata shëndetësore në territorin e komunave të përmbytura mbetej nën kontrollin e strukturave të Shëndetit Publik dhe është koordinuar puna me strukturat e policisë për të bërë transportimin e ekipeve mjekësore.

Përmbytje edhe në Durrës e Elbasan

Por harta e përmbytjes është zgjeruar dje edhe në qarqet e Lezhës, Durrësit dhe Elbasanit, ku uji ka shkaktuar përmbytje të qyteteve dhe rrëshqitje dheu. Për shkak të reshjeve intensive dhe daljes nga shtrati të lumit Zezë ka patur përmbytje të disa lagjeve në qytetin e Fushë-Krujës, sikurse edhe prezencë uji, por në nivele të ulëta ka pasur edhe në disa lagje të Bashkisë Durrës.

Në zonën e Librazhdit ka pasur bllokim të rrugës për shkak të rrëshqitjes së dherave. Konkretisht ishte bllokuar aksi rrugor Librazhd – Qafë-Thanë, në afërsi të fshatit Dragostunjë. Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se nisën punët për zhbllokimin e rrugës.

Bllokim edhe në autostrada

Bllokim ka pasur edhe në autostradat kryesore të vendit, ku për shkak të reshjeve të shiut u bllokua autostrada e kombit, Durrës-Kukës, si edhe arteria kryesore që lidh Tiranën me Durrësin. “Në autostradën Durrës-Kukës, rreth 800 m mbi urën e Matit, pranë fshatit Skuraj, është dëmtuar traseja e rrugës për shkak të gërryerjes nga ujërat e përroit dhe qarkullimi kryhet me shumë vështirësi”, - njoftoi dje Shtabi i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme Ndërkaq, ka prani të ujit në autostradën Tiranë-Durrës, pranë fshatit Marikaj dhe ka pasur prej mëngjesit të djeshëm e deri në orët e vona të natës vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Edhe transporti hekurudhor u paralizua, pasi për shkak të rrëshqitjeve të dherave është dëmtuar traseja hekurudhore në fshatin Muçaj, Vorë, që lidh kryeqytetin me Durrësin. Menjëherë nisi riparimi i trasesë, por deri në darkë nuk u kryen udhëtime.

Vijojnë shkarkimet

Reshjet e shumta përkeqësuan edhe situatën në hidrocentrale, niveli i të cilave u rrit ndjeshëm. Përveç hidrocentraleve të mëdha të kaskadës së Drinit, që prej disa ditësh janë të hapura dhe punojnë me kapacitet të plotë, edhe hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit kanë hapur të katërta portat e shkarkimit, duke bërë që të shkarkohen rreth 200 m3/sekondë, duke çuar ujin drejt rrugës Durrës-Kukës. Kjo ka dëmtuar edhe rrugën Milot-Burrel-Durrës, ku u bllokuan rreth 30 furgonë me pasagjerë. Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, z. Engjëll Zeqo, tha dje se hidrocentralet e kaskadës së Drinit vijojnë shkarkimet dhe se diçka e tillë do të vijojë për aq sa të jetë e nevojshme. “Kemi ulje të shkarkimeve rreth 150 metër kub në Vau Dejës, si pasojë e rënieve të prurjeve anësore që kemi në Koman. Me rënien e prurjeve reduktojmë shkarkimet. Po monitorohet jo më minutë pas minute, por sekondë pas sekonde. Monitorojmë në çdo sekondë nëse ka ulje të prurjeve, ulim shkarkimet. Prurjet natyrale i shkarkojmë pasi kemi ardhur në pikat ku nuk mund t’i mbajmë më tej, sipas rregullores”, - tha Engjëll Zeqo.

Rrebeshi mbyt dhe bllokon rrugë në gjithë vendin

Situata e reshjeve ka sjellë bllokime të rrugëve në të gjithë vendin, duke bllokuar apo vështirësuar trafikun, me zonë më të pakalueshme Shkodrën.

Në hyrje të qytetit Shkodër, para Urës së Bunës dhe në Harkun e Bërdicës rruga dje ka qenë e pakalueshme pasi ka pasur përmbytje të rrugës me rreth 1m ujë mbi rruge. Tek Ura e Bunës uji ka kaluar mbi urë duke krijuar përmbytje të rrugës dhe duke e bërë të pakalueshme rrugën. Rruga për në Muriqan është e bllokuar, po kështu edhe rruga për në Shirokë ishte e përmbytur. Ndërsa në segmentin rrugor Harku i Bërdicës – Velipojë kuota e ujërave në Urën e Gjolulit është rreth 50-60 cm, qarkullojnë vetëm mjetet e mëdha, mjetet e vogla qarkullojnë nga rrugë dytësore.

“Në segmentin rrugor Koplik - Dedaj - Bogë si rezultat i bllokimit te zona e Përroit të Thatë qarkullimi i mjeteve kryhet nëpërmjet një rruge dytësore provizore, sasia e ujit është 60 cm. Hyrja për në Shkodër bëhet nga Mjeda. Gjithashtu, edhe aksi rrugor Shkodër-Velipojë është i pakalueshëm pasi është rritur niveli i ujit mbi rrugë në orët e pasdites. Shkodër-Hani i Hotit, ne vendin e quajtur Vukpalaj, rreth 5 km, deri te dogana rruga është e pakalueshme, pasi uji mbi rrugë është rreth 1 m”, - bëri të ditur Ministria e Brendshme.              

Kukës dhe Dibër

Ndërkaq, në segmentin rrugor Sopot - Ura e Bujanit, në Urën e Bujanit, rrethi Tropojë në qarkun e Kukësit, kalimi bëhej me vështirësi pasi ishte rritur niveli i lumit të Valbonës. “Po e njëjta situatë është edhe në urën e Fierzës. Nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve. Në segmentin rrugor Bajram Curri - Fierzë km 11, lumi ka marrë murin mbajtës të rrugës (shembur), rruga me një kalim.

Në Shishtavec lumi ka marrë një pjesë të rrugës duke bërë njëkalimëshe rrugën”, - njoftoi dje Ministria e Brendshme.

Ndërsa në Dibër në Urën e Cerenecit, qarkullohej vetëm me një kalim. “Në segmentin Peshkopi - Muhurr - Qafë-Draj rreth 5 km larg Muhurit, është shembur Ura e Shehut, dhe rruga është e bllokuar duke bllokuar 4 komunat e Reçit, Zall-dardhës, Arrëzit dhe Lurës. Dalja e rrugës Peshkopi - Ura e Skurajt (ku bashkohet rruga e Peshkopisë me autostradën) rruga është e bllokuar pasi ka dalë uji mbi rruge rreth 1 km dhe sasia e ujit mbi rruge është rreth 1.5 m e lartë. Janë bllokuar disa mjete në rrugë. Nga Burreli në Milot në 30-40 vende ka shkarje dhe rruga është me 1 kalim. Është bllokuar rruga nga përmbytjet e shkaktuara për shkak të hapjes së portave të hidrocentraleve të Ulzës”, - njoftoi ministria.

Lezhë-Tiranë-Elbasan dhe Vlorë

Por probleme me rrugët ka pasur edhe në qarqet e tjera. Kështu në Lezhë, në aksin Ura e Skurajve në drejtim të Burrelit, për shkak të përmbytjes së rrugës pasi janë hapur portat e hidrocentraleve të Ulzës qarkullimi ishte i vështirë. Autostrada Tiranë-Durrës qëndroi për orë të tëra e bllokuar, ndërsa në Elbasan, Librazhdi mbeti i shkëputur nga qendra e qarkut për rreth 40 minuta, pasi në km e 80 të rrugës ka pasur bllokim nga shembje të shkaktuara nga reshjet e menjëhershme, megjithëse rruga u hap më vonë për automjetet.

Edhe qarku i Vlorës u prek nga tekat e motit, teksa rruga që lidh Vlorën me Sarandën, pati trafik të rënduar, si pasojë e bllokimit të një kahu në disa zona të rrugës. Kështu, qarkullimi dje kryhej vetëm me një kalim në zonat Jonufra 1, Dukat-Fshat dhe Dalje-Piqeras. “Në këto pika është vendosur sinjalistika përkatëse. Në akset e tjera nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve”, - tha Ministria e Brendshme.

Qeveria shpall gjendje emergjence edhe në Lezhë e Durrës

Reshjet e ditës së djeshme kanë zgjeruar hartën e zonave të përmbytura, pasi qeveria ka përfshirë në emergjenca edhe Durrësin e Lezhën. “Shpalljen e gjendjes së emergjencës civile (fatkeqësisë natyrore), si pasojë e përkeqësimit të kushteve natyrore të motit e të reshjeve në zonat e përmbytura, në qarqet e Durrësit e të Lezhës”, - njoftoi qeveria në një vendim të djeshëm. Ajo gjithashtu njoftoi ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, i cili të kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe që do të kujdeset edhe për situatën në këto qytete. “Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile të bashkërendojë punën me ministritë e linjës, me institucionet e prefektëve të qarqeve Durrës e Lezhë, dhe me njësitë e qeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e emergjencës civile, për hartimin dhe zbatimin e planit të evakuimit të banorëve të zonave të prekura, për krijimin e kushteve të këtyre banorëve për jetesë, si dhe për marrjen e masave mbrojtëse e rehabilituese në infrastrukturën dhe mjedisin e prekur nga situata e krijuar”, - thuhet në njoftim.

Zef Hila në Dajç

Kemi ditë të tëra të izoluar. Nuk dimë se ç’do të bëjmë. Uji është ngjitur deri në katin e dytë të shtëpisë. Një pjesë e familjes është evakuuar, kurse unë do të rri këtu se kam mall e gjedhë. Na kanë ardhur në ndihmë ushtria, ka qenë këtu edhe ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Shpresojmë që situata të rregullohet. Ne që jemi këtu, po na bien ushqime dhe tesha për t’u ndërruar. Kështu nuk ka ndodhur as në janarin e shkuar.

Marie Ndoci - Shkodër

Dyqani im u përmbyt i tëri. Këtu në Xhabije kush kishte dyqan ka falimentuar. Krejt malli na shkoi dëm. Na ka hyrë uji deri në tavan, nuk dimë çka do të bëjmë. Këta të qeverisë na kanë thënë se do t’ju kompensojmë, por nuk dihet sa është e vërtetë. Mirë që kena shpëtuar me kry. Fëmijët janë larguar prej këtej kurse unë dhe burri po bajm sikur ruajm shtëpinë, por s’ka mbet gjë më.

Arben Kraja, tregtar - Shkodër

Është bërë nami. Krejt malli që kisha në dyqan dhe në magazinë, ka shkuar dëm. Uji ka shku dy metra. Asgjë s’ka shpëtuar. Edhe tregtarëve të tjerë çdo gjë u ka shkuar dëm. Kështu s’ka ndodhur kurrë, na ka hy uji aq shumë, saqë nuk dimë, kemi frikë të besojmë se do të ikë më.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›