E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Përmbytjet, jo nga shkarkimet

Prurjet ne liqenin e Shkodres nga Alpet dhe Mali i Zi kane qene te larta. Ministria: Kaskada eshte miremenaxhuar, permbytjet per shkaqe natyrore

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta, u shpreh dje se përmbytjet që kanë përfshirë qytetin e Shkodrës dhe jo vetëm atë, kanë ardhur vetëm nga shkaqe natyrore. Ai garantoi se këto përmbytje nuk kanë ardhur si rezultat i shkarkimeve, pasi ato janë bërë sipas rregullores të përcaktuar që herët. Në një konferencë për gazetarët, ministri Meta tha se përmbytjet në këtë 10-ditësh nuk janë një fenomen thjesht shqiptar, por një fenomen rajonal, pasi i gjithë rajoni është përmbytur, është edhe një fenomen evropian. “Arsyeja kryesore ka të bëjë me intensitetin jashtëzakonisht të lartë të reshjeve, në veçanti në Alpet tona dhe ujëmbledhësin e liqenit të Shkodrës, i cili ka arritur lartësi të panjohura më parë, duke përmbytur dhe një pjesë të qytetit. Natyrisht që shkarkimet kanë qenë të detyrueshme për tu bërë, në përputhje të plotë dhe rigoroze me Rregulloren përkatëse, por nuk kanë qenë ato faktor kryesor për këtë situatë në të cilën ndodhet sot Shkodra dhe rrethinat e saj”, - ka deklaruar ministri Meta. Ai theksoi se duket shumë qartë që edhe pas uljes së dy ditëve të fundit të shkarkimeve, për shkak edhe të uljes së ndjeshme të prurjeve në kaskadën e Drinit, edhe pse rruga deri në Urën e Baçallëkut është liruar krejtësisht nga uji, përsëri niveli brenda qytetit mbetet pothuajse i njëjtë. “Kjo ndodh sepse prurjet në liqenin e Shkodrës kanë qenë të jashtëzakonshme, jo vetëm nga Alpet tona, por edhe nga Mali i Zi, i cili gjithashtu është përmbytur, dhe njëkohësisht janë riaktivizuar fuqishëm edhe burimet e liqenit, sepse dihet që ai është një liqen natyral. Mund t’ju them edhe njëherë tjetër se përpjekjet për të zbuluar sabotatorë janë shumë të gabuara, aq më tepër kur vijnë nga përfaqësues të opozitës, sepse ju e dini shumë mirë që përmbytje ka pasur edhe në qytete të tjera të vendit, ku nuk ka as liqen, ku nuk ka as lumenj, por natyrisht ky ka qenë një fenomen tërësisht natyror”, - ka nënvizuar ministri Meta. I pyetur nga gazetarët se a është e vërtetë që në Shkodër uji është i ndotur dhe ujërat e bardha janë përzier me ujërat e zeza, ministri Meta kërkoi nga media të mos bëhet pre dhe viktimë e një propagande tërësisht dashakeqëse, e cila synon të përhapë panik, pasi kudo ku banorët nuk kanë mundësi për të marrë nga uji i pijshëm me të cilin ata furnizohen vazhdimisht, për arsye të ndryshme, për arsye të sigurisë së ujit, ata furnizohen në mënyrë shumë të organizuar nga Shtabi i Emergjencës, nga Shtabi i Bashkisë dhe nga Shtabi i Komunave përkatëse, ashtu sikurse kudo ku Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Shëndetit Publik në Shkodër ka konfirmuar që uji është plotësisht i garantuar, janë bërë dhe bëhen të gjitha inspektimet, analizat dhe verifikimet. Ndërsa një pyetje tjetër lidhur me atë çka është shkruar në shtyp për një refuzim nga ana e Bashkimit Evropian të ndihmave për Shqipërinë, Meta e ka cilësuar këtë lajthitje mediatike. Meta tha: “Reagimi edhe nga NATO, edhe nga Bashkimi Evropian, absolutisht që ka qenë dhe mbetet shumë solidar, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka m’u konfirmua edhe para pak minutash në takimin që pata me ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Arvizu. Ju e dini që Italia, Greqia e Turqia janë vende anëtare të NATO-s, që këto vende janë vende të Bashkimit Evropian dhe janë të shumta vendet, të cilat kanë konfirmuar solidaritetin e tyre në mënyrë tepër konkrete, që nga nisja e helikopterëve që ne kërkuam si emergjencë për të rritur kapacitete furnizuese dhe të evakuimit të banorëve e deri tek ndihmat më konkrete për furnizimin me elementët më jetike për banorët apo me mjete të domosdoshme për të përballuar një situatë specifike”, - nënvizoi Meta.

Grupi Çalik, ndihmë banorëve të Shkodrës, të prekur nga përmbytjet

Çalik Holding përmes tri kompanive që operojnë në Shqipëri, Albtelecom, BKT dhe Eagle Mobile, mbështet banorët e zonave të përmbytura në rrethin e Shkodrës. Në mbështetje të banorëve të zonave të prekura nga përmbytjet Albtelecom do të dhurojë rreth 25 mijë euro ndihmë në llogarinë që është hapur nga Bashkia e Shkodrës në ndihmë të banorëve të përmbytur. Kompania tjetër e Grupit Çalik, Banka Kombëtare Tregtare, do të dhurojë 25 mijë euro të tjera (në total 50 mijë euro nga Çalik Grup) për banorë e prekur nga fatkeqësia. Eagle Mobile, kompania celulare e Grupit Çalik ka nisur një fushatë sensibilizimi me SMS, për mbledhjen e fondeve dhe kontributeve të qytetarëve shqiptarë në ndihmë të banorëve të rrethit të Shkodrës. Si pjesë të ndihmës, kompania Eagle Mobile ka vënë në dispozicion edhe një grup numrash falas për ekipin e shpëtimit të cilët kanë mbërritur nga Turqia dhe po operojnë aktualisht në zonat e dëmtuara në ndihmë të banorëve. Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom, z. Sevket Acar (Shevket Axhar) vizitoi ditën e martë zonat e përmbytura në rrethin e Shkodrës për të ndjekur nga afër situatën e krijuar. Ai zhvilloi një takim dhe më kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka. Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm i Albtelecomit shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e kompanisë që drejton si dhe të Grupit Çalik për banorët e prekur nga përmbytjet. Ndërkaq, një ekip prej rreth 22 personash të ekipeve të gjetjes dhe shpëtimit dhe 3 helikopterë dhe prej ditësh kanë mbërritur nga Turqia në mbështetje të ekipeve shqiptarë të ndihmës dhe aktualisht po operojnë në zonën e Shkodrës.

AMC ndihmon banorët e zonave të përmbytura

 AMC, menjëherë pas përmbytjeve në zonat veriore të Shqipërisë, do të kontribuojë me shumën 50 000 euro për të ndihmuar banorët e zonave. Shuma do të kalojë në llogarinë bankare “Emergjenca – Bashkia Shkodër”, të hapur nga Bashkia e Shkodrës për të mbështetur familjet në zonat e përmbytura. Përveç kontributit financiar, AMC ka marrë edhe një numër masash për të vënë resurset e veta në dispozicion të autoriteteve dhe banorëve të zonave të prekura. Në shumë vende ku uji është bërë pengesë për komunikimin, AMC ka ofruar ndihmë online në mënyrë që autoritetet vendore të kenë mundësi të përdorin celularët dhe të vazhdojnë punën e tyre të rëndësishme. Dje AMC filloi fushatën me SMS për të mbledhur fonde për këto familje në nevojë. Të gjithë abonentët AMC që dëshirojnë të japin kontribut, mund të dërgojnë SMS me tekst “Po” në numrin 56056. Çdo SMS kushton 50 lekë (pa TVSH). Shuma e mbledhur do të shkojë për banorët në zonat e përmbytura të Shkodrës. Gjatë gjithë kësaj kohe stafi teknik i AMC ka monitoruar nga afër infrastrukturën e rrjetit në terren dhe ka marrë masa që kanalet e telekomunikimit të jenë plotësisht funksionalë. Reagimi i AMC në këtë situatë është pjesë e nismave të përgjegjësisë së korporatës të AMC, për të ndihmuar grupet e njerëzve në nevojë dhe për të dhënë shembullin e një kompanie me përgjegjësi sociale.

Raiffeisen Bank, çek 100 mijë euro për familjet e përmbytura në gjithë vendin

Raiffeisen Bank në Shqipëri i ka dorëzuar dje një çek ministrit të Financave me një vlerë 100,000 euro si kontribut për familjet e dëmtuara nga përmbytjet në të gjithë vendin.

Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, falënderoi Bordin e Raiffeisen Bank për gjestin e tyre bujar. “Shpreh falënderim dhe mirënjohje në emër të qeverisë shqiptare për stafin e Raiffeisen Bank për këtë kontribut të çmuar dhe tepër bujar që shkon për familjet e dëmtuara nga përmbytjet”. Z. Bode falënderoi me këtë rast dhe të gjithë donatorët që kanë dhënë ndihmat e tyre materiale për familjet e dëmtuara. Drejtori Ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Shqipëri, z. Christian Canacaris, tha se bordi i bankës e mori vendimin menjëherë pasi filluan përmbytjet dhe situata u përkeqësua mjaft sidomos në pjesën e veriut. “Më jep një krenari të veçantë sot të përfaqësoj Raiffeisen Bank në Shqipëri, ndërsa ne bëjmë pjesën tonë modeste për të ndihmuar njerëzit e dëmtuar nga këto kushte moti të paprecedent. Ne ndihemi tmerrësisht keq kur shikojmë jashtë në të ftohtin e dimrit familje të tëra dhe besojmë që qeveria do të bëjë më të mirën në shpërndarjen e ndihmave të dhëna për këtë ngjarje. Të gjithë këta njerëz që po vuajnë tani janë punonjësit tanë, familjet e tyre, klientët tanë, ata janë komuniteti me të cilin punojmë dhe pjesë e të cilit është Raiffeisen Bank”, - tha z. Canacaris. Ai njoftoi se stafi i Raiffeisen Bank po kontribuon vullnetarisht në llogaritë e hapura për këtë qëllim nga qeveria pranë Raiffeisen Bank. Ministri Bode dhe drejtori i Raiffeisen Bank bënë një thirrje publike për të bërë një kontribut. “Siç thuhet në kohë të tilla të vështira, çdo kontribut është kontribut i mirë, kështu që të shpresojmë që biznese të tjera do t’i bashkohen nismës së Raisseisen Bank”. Çeku prej 100 mijë euro është arkëtuar në llogarinë me emër “Kontribut Vullnetar për të Përmbyturit”, që është çelur si llogari në të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›