E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia bllokon sheshin pa lajmëruar, kaos dhe trafik

Bllokohet rruga para Xhamise se Ethem Beut, devijim ne rrugen “Abdi Toptani”

Fundjava ka nisur me kaos dhe trafik në të gjitha rrugët e Tiranës. Bllokimi i paparalajmëruar i rrugës para Xhamisë së Ethem Beut nga ana e Bashkisë së Tiranës ka rikthyer sërish trafikun. Përgjatë gjithë paradites kryeqytetasit janë përballur me trafik. Bllokimi i rrugës dhe punimet në shesh kanë vështirësuar akoma më shumë situatën, duke u orientuar vetëm me ndërhyrjen e forcave të policisë.

Trafiku

Ndryshe nga herët e tjera, kur rikthimi i trafikut në Tiranë ka ardhur pas reshjeve të shiut, dje, krejt ndryshe, ka qenë papërgjegjshmëria e Bashkisë së Tiranës, e cila për të disatën herë ka luajtur me nervat e qytetarëve. Bllokimi i një pjese të rrugës së sheshit “Skënderbej” që ndodhet pranë xhamisë, arterie kryesore për lëvizjen e makinave dhe vazhdimi i punimeve në këtë shesh këtë herë ka bllokuar edhe arterien kryesore në qendër të Tiranës. Ndërkohë që mësohet se devijimi i trafikut është bërë për në rrugën “Abdi Toptani”, që njihet edhe si rruga e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Por pikërisht, ky devijim ka sjellë edhe një trafik në këtë aks rrugor si dhe në rrugën në afërsi të Ministrisë së Transporteve, pasi përveç automjeteve të vogla, në këtë aks rrugor të ngushtë do të duhet të qarkullojnë edhe autobusët e linjave të Kombinatit, Tiranës së Re apo edhe linjave të tjera, kështu që të gjitha këto kanë risjellë trafikun në kryeqytet e në qendër të tij.

Ndërkaq, për të normalizuar trafikun në kryqëzimet e rrugës “Abdi Toptani” është dashur ndihma e dy punonjësve të Policisë Rrugore, të cilët ishin në gatishmëri për të sjellë në normalitet lëvizjet e automjeteve. Ndërsa dy nga punonjësit e Policisë Bashkiake qëndronin në afërsi të bashkisë. Por se sa do të qëndrojë i bllokuar ky aks i shkurtër rrugor, i cili sjell edhe anomali në lëvizjen e automjeteve, kjo nuk ka një afat të caktuar. Ajo që tashmë është më e dukshme, është trafiku në qendër të Tiranës. Bllokimi i kësaj arterieje kryesore të kryeqytetit sjell automatikisht edhe trafik në rrugët e tjera, si në rrugën “Myslym Shyri”, Rrugën e Kavajës apo edhe në Rrugën e Elbasanit.

Bllokimi

Tirana për të disatën herë këtë vit është përballur me trafik dhe papërgjegjshmëri të bashkisë së kryebashkiakut Rama, i cili justifikohet me punimet ne sheshin “Skënderbej”. Herë pas here qytetarët që lëvizin me makinë, janë gjendur në mes të trafikut në mëngjes, në pikë të ditës dhe në mesditë vonë. Shkak, thuhet nga Bashkia Tiranë, janë punimet në shesh, por në të vërtetë, janë bllokimet e panjoftuara të bëra nga kjo e fundit. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›