E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtesa mbi kolektorë, ALUIZNI nuk i legalizon

Drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Andi Lila, deklaroi dje për “Standard”: “Kemi evidentuar plot 190 objekte pa leje mbi kolektorët që janë pa leje dhe precedentë për të krijuar situata përmbytjesh në raste shirash, ndaj tyre u vendos s’kualifikimi nga procesi i legalizimit”. Sipas z. Lila, “banesave në Kodrën e Vilës, të cilat që në fillim të 2010-s u përjashtuan nga procesi i legalizimeve, u janë shtuar edhe disa dhjetëra objekte të tjera që kanë dëmtuar veprat publike sikurse janë kanalet kulluese. Agjencia nuk është bërë asnjëherë pengesë për organet ligj zbatuese, pasi ato mund të ndërhyjnë e të prishin objektet që kanë bllokuar kanalet dhe kolektorët”. ALUIZNI Durrës ka në organikën e tij 30 inxhinierë, të cilët kanë përfunduar një studim të objekteve që kanë dëmtuar rrjetin kullues. Studimi, sipas z. Lila, i është dërguar jo vetëm Shtabit të Emergjencave, por edhe bashkisë dhe Inspektoratit Ndërtimor. Lila tha: “Studimi i inxhinierëve tanë u përqendrua në zonën e plazhit të Durrësit, në këtë zonë u konstatuan 74 objekte të ndërtuara pa leje, të cilat kryesisht janë mure, betone të derdhura mbi tombino që shërbejnë si bazamente si dhe disa godina që shërbejnë si lokale të llojeve të ndryshme”. ALUIZNI i Durrësit ka përjashtuar nga procesi i legalizimeve të gjitha ato objekte, të cilat kanë dëmtuar veprat kulluese. Konkretisht, në plazh janë 45 të tilla, në kodër janë 150 banesa të ndërtuara mbi kolektorë si dhe 75 të tjera që rrezikojnë të shemben për shkak të shkarjeve. Lila tha se “në përbërje të agjencisë bëjnë pjesë 30 inxhinierë, të cilët janë afruar për të dhënë kontributin e tyre jo vetëm për sa i përket studimit të objekteve që kanë dëmtuar veprat kulluese, por ata do të japin mendimet e tyre edhe për mënyrën se si dhe ku duhen ndërtuar, fjala bie, muret mbrojtëse në faqet e kodrave apo për të çliruar kanalet nga ndërtimet pa leje”. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›