E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtarët japin alarmin, falsifikohet kartëmonedha 2 mijë lekëshe

Një vit pas nxjerrjes në treg, arrihet të falsifikohet kartëmonedha më e re e Bankës së Shqipërisë. Si të mos bini pre e falsifikatorëve. Elementet e sigurisë së kartëmonedhës së vlefshme

Laureta Rryçi

Prej pak ditësh tregtarët e shumicës kanë dhënë alarmin se po qarkullon kartëmonedha 2 mijë lekëshe e falsifikuar. Pasi kanë kryer shitjet e përditshme, ata kanë vënë re se pjesa më e madhe e prerjeve 2 mijë lekëshe ishin false. Shqetësimi i tyre është bërë dhe më i madh kur të njëjtin fakt kanë konstatuar edhe tregtarë të tjerë që nuk operojnë vetëm në kryeqytet me biznesin e tyre, por edhe në qytete të tjera të vendit. Kartëmonedha është prerja më e re e Bankës së Shqipërisë, e cila, ende pa mbushur një vit nga dalja në qarkullim, duket se ka qenë lehtë për ta falsifikuar. Pre e falsifikatorëve mësohet se kanë rënë edhe tregtarë ambulantë, apo kambistët që punojnë në të zezë rreth Bankës. Sipas specialistëve, është shumë e vështirë për ta dalluar kartëmonedhën false për shkak se elementet e sigurisë kanë shumë ngjashmëri me atë falsen. Sipas tyre, duhet një kujdes i veçantë për të bërë të mundur njohjen e tyre.
Alarmi
Ndërsa Banka e Shqipërisë mendoi të hidhte në tregun shqiptar një tjetër alternativë për lekun shqiptar, fabrikat “falsifikuese” nisën punën për të realizuar identiken e kësaj prerjeje të re. Ekspertët shpjegojnë se kartëmonedhat në lekë janë në pesë prerje, me përmasa dhe ngjyra të ndryshme. Ndryshimi i këtyre elementeve e bën kartëmonedhën të falsifikueshme. Vizatimi i kartëmonedhave lekë është inspiruar nga figurat e shquara të periudhave historike shqiptare. Ndër elementet e sigurisë së lekut përmenden 12, duke filluar nga portreti, filli i sigurisë, mikrotekstet, holograma, filigrama, boja e dukshme e ndryshueshme, elementi i regjistrimit, elementet njohjes për të verbrit, shtypi i thellë, numri i serisë, imazhi i padukshëm dhe antifotokopja. Nga eksperimentet e bëra në qendrën shkencore është arritur në përfundimin se prerjet e falsifikuara që gjenden në Shqipëri janë të masave të ndryshme. Kështu, janë disa elemente që e bëjnë të dallueshme kartëmonedhën e falsifikuar dhe atë origjinale. Në bazë të të dhënave rezulton se leku fals që qarkullon në Shqipëri dallohet nga mospasqyrimi i imazhit të padukshëm "BSHSH" dhe pandryshueshmëria e bojës. Sipas ekspertit, në paratë false nuk ka shtyp të thellë, ndërsa në kartëmonedhën e falsifikuar shkrimet janë kryer në sipërfaqe. Po kështu është kryer gabim imitimi i elementeve të sigurisë së letrës dhe të shtypit fluoreshent, ndërsa në disa raste është evidentuar në lekët false se filigrama është pa detaje dhe filli i sigurisë jo i vazhdueshëm dhe pa shifrat e vlerës. Nga ekspertimet rezulton se ka mospërputhje të elementit të regjistrimit, si dhe deformime të shkronjave të mikrotekstit. Të gjitha këto mund të dallohen lehtësisht nga një ekspert, mirëpo për qytetarët duket se kjo procedurë është më e vështirë.
Si ta dallojmë
E para: duhet ta shikoni kartëmonedhën kundrejt diellit. Do të konstatoni një element sigurie që quhet filigramë. Filigrama në kartëmonedhat shqiptare është në formë portreti, tek eurot është në formën e urave, te dollari është po me pamje portreti që ka kartëmonedha, te paundi është po e njëjta gjë. Kjo është e para. E dyta: euroja, leku, dollari, paundi kanë edhe elementin e sigurisë të ndryshimit të ngjyrës që zakonisht është te shifra. Tjetër: kundër dritës kemi edhe atë që është tek eurot në pjesën ku ndodhet flamuri me yjet. Këto pjesë duhet të futen te njëra-tjetra. Të ngjashëm me këtë shembull te leku shqiptar kemi shqiponjën. Pastaj është mënyra me prekje. Te leku shqiptar, te njëmijëshja, poshtë portretit shkruan 1000. Te lekët e reja shqiptare ka shenja për të verbrit, që edhe ata t'i dallojnë me anë të prekjes. Kjo i ndihmon të gjithë njerëzit, të cilëve, nëse u rrëshqet dora, duhet ta heqin mënjanë, pasi është e dyshimtë. Edhe filli i sigurisë është një tjetër element i sigurisë.

Specialistët rendisin kartëmonedhat më të falsifikuara

Sipas specialistëve, në vend të parë renditet leku. Prerjet më të falsifikuara janë njëmijëshja (1000), pesëmijëshja (5000) dhe dymijëshja (2000) emisioni i fundit. Ndërsa tek emisioni i parafundit është pesëmijëshja me atë vajzën me lule, e cila është në qarkullim masivisht, si e vitit 1991, si e vitit 1996. Ajo është falsifikuar me të dyja metodat, edhe me fotokopje, edhe me "off set". Në ato vite ajo është përdorur për tregtinë e karburantit, prandaj u vinte era vajgur. Kurse më pas u la kjo metodë.
Pas lekut, vjen euroja. Pra kartëmonedhat që janë më shumë në përdorim dhe qarkullim, ato kanë numër më të madh të falsifikimit. Si prerje të euros së falsifikuar ka që nga 50-shja, 100-shja, 200-shja. Ndërsa në Itali janëë kapur edhe qindarkat. Pas lekut dhe euros vjen dollari. Te dollari 50-shja dhe 100-shja janë kartëmonedhat më të falsifikuara. Më pas vjen paundi e franga, të cilat janë më pak të përdorshme dhe rrjedhimisht më pak të falsifikuara.

Elementet e sigurisë te leku

1. Portreti

2. Filli i sigurisë

3. Mikroteksti

4. Holograma

5. Filigrana

6. Boja e dukshme e ndryshueshme

7. Elementi i regjistrimit

8. Elementet njohëse për të verbrit

9. Shtypi i thellë

10. Numri i serisë

11. Imazhi i padukshëm

12. Motivet antifotokopje

Berati, qyteti i parë ku po goditen falsifikatorët e kartëmonedhës

Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë pasi janë kapur në flagrancë duke qarkulluar monedha false të prerjes 2 mijë lekëshe. Policia ka sekuestruar 30 monedha false në Berat, ndërsa po punohet për gjetjen e burimit të tyre. Rreth 30 monedha false të prerjes 2 mijë lekëshe qarkullonin në lokalet e qytetit të Beratit deri në momentin kur policia e këtij qyteti zbuloi autorët duke i vendosur ata në pranga. Policia e këtij qyteti ka arrestuar dje, në një nga lokalet e Beratit, 20- vjeçarin Muhamed Murani, banues në Laprakë të Tiranës, ndërsa është ndaluar një ditë më parë 17-vjeçari me inicialet E. D., banues në Kavajë. 17-vjeçari u ndalua në flagrancë ndërsa qarkullonte monedha false të prerjes 2 mijë lekëshe. Sipas policisë, deri tani rezulton të jenë qarkulluar rreth 30 copë monedha false 2000 lekëshe në disa lokale të qytetit të Beratit. Policia ka sekuestruar 25 copë kartëmonedha false, ndërsa çështja për minorenin E. D., i kaloi Gjykatës së Vlorës. 20-vjeçari Muhamed Murani do të ndiqet nga Gjykata e Beratit për akuzën “falsifikim monedhash”. Policia deklaron gjithashtu se po punohet për gjetjen e burimit, nga janë marrë monedha të tilla.

5 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›