E Shtunë, 31 Tetor 2026

Precedentët që rrëzojnë Bashën

Prokuroria e Përgjithshme
ka gjetur tre precedentë
që Gjykata e Lartë të
gjykojë ish-ministrin e
Transporteve, Lulzim Bashën.
Duke luftuar me "armë" të barabarta,
prokurori i çështjes, Artur
Selmani, i ka paraqitur dy ditë më
parë kolegjit penal tre vendime të
po asaj gjykate, të ngjashme me
problematikën e procedurave të
dosjes "Durrës-Kukës". Në ato raste,
Gjykata e Lartë, megjithëse të
pandehurit dhe avokatët e tyre
nuk firmosën përfundimin e hetimeve,
vendoste që të hapte
shqyrtimin gjyqësor. Sipas prokurorit
Selmani, tre vendimet që
kishin të pandehur Riza Vokshin,
Eduart Allamanin dhe Danush
Hilën tregojnë jurispondencën e
kolegjit penal. Gazeta "Shqip" ka
siguruar vendimet në fjalë dhe ka
konstatuar se relatori i dosjes
"Durrës-Kukës", Spiro Spiro, ka
qenë në trupin gjykues të çështjeve
në fjalë. Kjo e "siguron" organin
e akuzës që një gjyqtar të mos
veprojë në dy standarde, njëherë
të fillojë shqyrtimin gjyqësor dhe
herën tjetër të pranojë kërkesën e
të pandehurve. Duke mos dashur
të paragjykojë vendimin e
Gjykatës Supreme, prokurorët e
çështjes kanë parashtruar të gjithë
hapat ligjorë që e "detyrojnë"
gjykatën të vendosë që çështja të
gjykohet dhe mos të pushohet për
shkak të procedurave. Megjithatë
është Gjykata Supreme në Shqipëri
që do të vendosë fatin e Lulzim
Bashës, ministrit aktual të Jashtëm,
i cili dy ditë më parë mori
pjesë personalisht në Gjykatën e
Lartë, ku ndoqi "live" debatin procedural
që kishte të bënte me
moskompetencën e Gjykatës së
Lartë për gjykimin e tij. Edhe gjatë
vendimit të ndërmjetëm, Basha ka
qëndruar në tension dhe i vetmi
mjet që e "ngushëllonte" ka qenë
aparati celular.
Vendimi 1
Vendimi i parë daton më 16 korrik
2003 dhe mban numrin 430.
Çështja kryesohej nga Kristaq
Ngjela, ndërsa si anëtar ishte
gjyqtari Spiro Spiro, aktualisht
kryetar i dosjes "Durrës-Kukës". Të
gjykuarit në këtë rast ishin Riza
Vokshi, Eqerem Dashi dhe Sefer
Vokshi. Një nga të pandehurit në
rekursin e tij kishte kërkuar
prishjen e një vendimi, pasi vendimet
janë marrë në shkelje që
kanë si pasojë pavlefshmërinë
absolute të vendimit të gjykatës
dhe në shkelje procedurale. "Vendimi
për marrjen si i pandehur,
përfundimi i hetimeve, kërkesa
për gjykim, janë akte procedurale
të pavlefshme, që sjellin pavlefshmërinë
e vetë vendimit të gjykatës,
sepse shtetasi Sefer Vokshi nuk e
ka cilësinë e të pandehurit", thuhej
në rekursin e avokatit të tij
mbrojtës. Kolegji penal çmoi si të
pabazuara në ligj pretendimet e
ngritura në rekursin e të gjykuarit
Sefer Vokshi për pavlefshmëri të
vendimit të njoftimit të akuzës,
vendimit për përfundimin e hetimeve
dhe njohjen e të pandehurit
me materialet e çështjes, kërkesës
për gjykim, si dhe për shkak të tyre
edhe të vendimeve gjyqësore, me
pretendimin se i gjykuari Vokshi
nuk është vënë në dijeni të vendi-
meve për zgjatjen e hetimeve
paraprake. "Rezulton nga materialet
e dosjes gjyqësore se organi
procedues, në përputhje me ligjin,
ka marrë tre vendimet e mësipërme
për zgjatjen e afatit të hetimeve.
Mbrojtësi i të gjykuarit
Sefer Vokshi ka refuzuar të nënshkruajë
dy vendimet e fundit të zgjatjes
së afatit", deklaron gjykata.
Megjithëse në çështjen në
gjykim nuk ekziston mungesë
njoftimi për zgjatjen e afatit të hetimeve,
Kolegji Penal çmon se
edhe në rast se ky njoftim do të
mungonte, nuk do të sillte pasoja
në ligjshmërinë e procedimit të
mëtejshëm penal, pasi një pasojë
e tillë jo vetëm që nuk është e
parashikuar në ligj, por dhe se nga
interpretimi i ligjit nuk mund të
arrish në një përfundim të tillë.
Vendimi 2
Rasti i dytë për prokurorinë që
e ka depozituar në Gjykatën e Lartë
është vendimi i datës 13 korrik
2005. I akuzuar ka qenë Danush
Hila. Ndërsa në trupin gjykues
përsëri ka qenë anëtar Spiro Spiro.
Mbrojtja e të pandehurit deklaronte
se janë shkelur dispozitat
procedurale që lidhen me afatin e
hetimeve. Pasi dëgjoi pretendimet
e palëve, trupi gjykues vendosi
që nuk përbën shkak ligjor
për cenimin e vendimeve gjyqësore
nga ky kolegj pretendimi i
mbrojtjes se organi i procedimit e
ka mbajtur çështjen në hetim për
6 muaj pa zgjatje afati, ndërkohë
që afati ligjor sipas nenit 323/1 të
K.Pr.Penale është tre muaj. "Është
e vërtetë që disa prej veprimeve
hetimore në këtë çështje janë kryer
pas mbarimit të afatit të hetimit,
siç janë vendimi i marrjes si të
pandehur, vendimi i dërgimit të
çështjes për gjykim dhe kërkesa
për gjykim. Këto veprime procedurale
në kuptim të kërkesave të
nenit 324/4 të K.Pr.Penale nuk
mund të trajtohen si veprimet e
tjera hetimore, sikurse është marrja
në dijeni për veprën penale,
sigurimi i burimit të provave, të
cilat nuk mund të përdoren nëse
janë kryer pas mbarimit të afatit,
pasi ato i përsërit vetë gjykata
gjatë shqyrtimit gjyqësor", thuhet
në vendimin e Kolegjit Penal.
Vendimi 3
Vendimi daton më 20 dhjetor
2006 dhe mban numrin 778. I pandehur
në këtë rast ka qenë Eduart
Allamani, i cili akuzohej për shpërdorim
detyre. Prokuroria deklaroi
në seancë se në këtë proces Gjykata
e Lartë ka shqyrtuar kërkesën e
prokurorisë, megjithëse çështja
kishte parregullsi procedurale,
duke i hapur kështu rrugën
shqyrtimit gjyqësor.
Vendimet e mësipërme konsiderohen
nga prokuroria si
"detyrim" për gjykatën që të
hapë shqyrtimin gjyqësor të
abuzimeve gjatë ndërtimit të
segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash,
pjesë e segmentit Durrës-
Kukës, ku të pandehur janë ishministri
i Transporteve Lulzim
Basha dhe vartësi i tij, Andi
Toma.

Përplasjet në seancën për "Durrës-Kukës"

Dy ditë më parë, për më
shumë se 150 minuta
gjyqtarët, avokatët
dhe prokurorët kanë debatuar
për procedurat ligjore të
dosjes "Durrës-Kukës". Ashtu
siç pritej, avokatët kanë
shfrytëzuar më së mirë vendimet
e gjykatave të shkallës
së parë dhe të dytë, që i cilësuan
të paligjshme veprimet
e prokurorisë, pas skadimit të
afatit zyrtar të hetimit, që ishte
data 6 nëntor 2008. Dërgimi
i fletëthirrjes, komunikimi
i akuzës Lulzim Bashës, kërkesa
për gjykim dhe çdo akt
tjetër i shpallur pas datës 6
nëntor 2008, konsiderohen të
pavlefshme. "Janë të pavlefshme
veprimet e Prokurorisë
së Përgjithshme dhe i mbrojturi
prej meje nuk ka asnjë
akuzë. Thirrja e Bashës në
prokurori dhe gjykatë ka
ndodhur për të vetmin fakt se
klienti i tij është anëtar i
Këshillit të Ministrave, por sipas
procedurave ligjore, ai
është pa akuzë dhe mund të
vazhdojë detyrat që i ka përcaktuar
shteti. Prokurorisë i ka
dalë çështja nga duart dhe
akuza është futur në një rrugë
pa krye", tha avokati Zef Nika,
ndërsa solli edhe reagimin e
prokurorit Artur Selmani. "Arsyetimi
i mbrojtjes mbështetet
te vendimi i Gjykatës së
Apelit. Sipas Kodit të Procedurës
Penale, vendimi nuk
është individual. Duke u nisur
nga këto rrethana, mendojmë
se zgjatja e afateve të Bashës
është në fuqi. Por le të themi
se vendimi është i pavlefshëm.
Ka një parim në Kodin
e Procedurës Penale, sipas të
cilit aktet procedurale i nënshtrohen
vlerësimit nga trupi
gjykues. E kuptoj publicitetin
e kësaj çështjeje. Ai (Lulzim
Basha), e di mirë akuzën që
ka", tha prokurori, Selmani.
Pas tij, në podium është ngjitur
prokurori tjetër, Arben Kraja.
Ai parashtroi se të pandehurit
janë njohur me aktet hetimore
para mbarimit të
dosjes, pra në datën 5 dhjetor
2008, pasi prokuroria ka marrë
shkresën nga postieri që
kishte dorëzuar materialet voluminoze
në Ministrinë e Jashtme.
"Jam njoftuar në datën
5 dhjetor, rreth orët 19:00, nga
zyrtarë të Prokurorisë së
Përgjithshme, se dy punonjës
të Ministrisë së Jashtme kanë
hedhur dosjen në derën e
prokurorisë. Pas këtij veprimi,
ia kemi dërguar dosjen sërish
me postë, pasi i pandehuri refuzonte
në mënyrë kategorike
të paraqitej në prokurori", pohoi
prokurori. Por gjyqtari
Spiro Spiro tha: "Në datën 5
dhjetor 2008 janë kryer disa
veprime nga prokuroria, si
dërgimi i kërkesës për gjykim
në Gjykatën e Lartë, njoftimi i
të pandehurve me aktet hetimore,
si dhe veprimet e tjera.
Në këtë datë ka qenë ditë e
premte dhe është e pamundur
që të pandehurit të njihen
brenda disa orësh me shtatë
volumet".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›