Precedenti "Basha", nëntë padi në Gjykatën e Tiranës
Gjykata e Tiranës është "pushtuar" nga ankesat e qytetarëve të shumtë që kundërshtojnë hetimet e prokurorisë. Duke marrë shkas nga rasti "Basha", kur Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm vetëm me procedura, dhjetëra "kriminelë" janë drejtuar në dyert e gjykatës, me shpresën se do të mund të kapin "mat" përfaqësuesit e organit të akuzës. Brenda harkut kohor të gjashtë ditëve, në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar të paktën nëntë padi. Ata kryesohen nga shtetasi Damir Fazliç, që është pasuar nga shumë të tjerë. Të gjithë njëzëri kundërshtojnë hetimet paraprake, më konkretisht afatet e përfundimit të hetimeve. Bazuar në nenin 325 të Kodit të Procedurës Penale, me titull ankimimi për zgjatjen e afatit të hetimeve, shumë persona kanë kundërshtuar organin e prokurorisë. Neni 325 flet se i pandehuri dhe i dëmtuari kanë të drejtë, brenda dhjetë ditëve nga njoftimi, të bëjnë ankimim në gjykatën e rrethit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve. "Ankesa shqyrtohet nga gjykata brenda dhjetë ditëve, duke u dëgjuar i pandehuri, mbrojtësi, i dëmtuari dhe prokurori. Kur gjykata pranon ankesën, hetimet nuk mund të vazhdojnë, ose vazhdojnë vetëm për një afat të caktuar nga ajo. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankimim, i cili nuk pezullon hetimin" thuhet në këtë nen, i njohur në opinion publik vetëm nga rasti "Basha", ku Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm vetëm me procedura. Por në rastin Fazliç, prokuroria thotë se e ka të arsyetuar shtyrjen e hetimeve, pasi disa shtete ende nuk kanë sjellë letër-porositë. Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar ankesa për zgjatjen e afateve hetimore, ku bie në sy emri i Adem Rrengës, ish-përgjegjës i Sektorit të Kontrollit në degën e Tatim Paguesve VIP, ish-avokati Artan Gjuzi dhe bashkëpunëtori i tij, Ardi Agolli, të akuzuar për pajisje me viza false të shtetasve Julian Hila dhe Gerald Bajrakrati, akuzuar për çështje droge. Nga të dhënat e gjithë vitit 2008, rezulton se Gjykata e Tiranës për zgjatje afatesh ka dhënë vetëm një vendim dhe kjo është çështja Rrëshen-Kalimash, ndërkohë që katër kërkesa të tjera ose janë zvarritur, ose janë pushuar nga ana e gjykatësve.