Zbardhet aleanca e re, Berisha do qeverisë me MetënNga Tema Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 tashmë e kanë një fitues. Në fakt, janë dy të tillë. Kryeministri, Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kan
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Zbardhet aleanca e re, Berisha do qeverisë me MetënNga TemaZgjedhjet parlamentare të vitit 2009 tashmë e kanë një fitues. Në fakt, janë dy të tillë. Kryeministri, Sali Berisha dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kanë vendosur që të bashkëqeverisin për katër vitet e ardhshme.
Edhe pse nuk kanë bërë publikë termat e bashkëpunimit, duke thënë thjesht se do punojnë për integrimin, ajo çka është e rëndësishme është se Meta do ketë një kryeministër të djathtë mbi kokë, e ai do jetë Sali Berisha.
Nëse fenomeni i kalimit të deputetëve të majtë te familja politike e Sali Berishës tashmë është i njohur, rasti i Metës është një precedent. Kjo për shkak se kalimi i Lufter Xhuvelit të Partisë Agrare Ambientaliste në vitin 2005 ishte një vulë më shumë në fitoren e PD, e cila po tjetërsohej nga Fatos Nano, kurse rasti i Ilir Metës është i tjetër soji, për shkak se ai do të vendosë nga do të shkojë balanca e pushtetit.
Përgatitja e një marrëveshjeje
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ishte ndër të pezmatuarit e mëdhenj gjatë dy ditëve të para të numërimit të kutive. Ai personalisht rrezikohej të mos ishte në listën e deputetëve të parlamentit të ardhshëm, ndërsa kishte kapur vetëm tri mandate, dhe ato më shumë për shkak të emrave që kishte kandiduar. Sapo Meta siguroi mandatin e tij në Tiranë, nisi dhe të shfaqë mllefin e tij përkundrejt Ramës, njeriut që e akuzonte se kishte dëmtuar votat e LSI, që kur kishte gatuar Kodin Zgjedhor e deri ditën e numërimit të votave.
Sinjalet që i vinin kryetarit të LSI, ishin se votat e tyre po shpërfilleshin dhe kjo e ka acaruar në maksimum atë. Si lakmus u përdor Dritan Prifti, që deklaroi i pari se ai do të votonte për qeverinë e Sali Berishës, në rast se ai do të kishte vetëm 70 vota. Më pas Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, deklaroi se nuk do ketë aleancë me Ramën. Këtu gjërat nisën të ndryshojnë.
Meta u vu nën presionin e grupeve brenda partisë së tij, që e shihnin pjesërisht si fajtor për këtë rezultat të zgjedhjeve. Debatet u nxehën, për shkak se shumë njerëz që prej kohësh derdhin pará në arkat e LSI, kërkonin që të kompensoheshin për këtë.
Argumentet se me marrjen e shumë posteve mund të kënaqnin elektoratin e tyre fluturonin në ajër, ndërsa Meta ishte i dyzuar, për shkak se e di që nuk do mund kënaqë 100 mijë personat që e pasojnë e nuk mund të jetë pjesë e një qeverie që do kënaqë një pakicë e do shkatërrojë një shumicë dërrmuese.
Megjithatë, shumë e kanë këshilluar atë se qeverisja në emër të stabilitetit do të ishte një armë për të dëmtuar Ramën.
I dyzuar Meta u shfaq dje për të deklaruar fare shkurt se pranonte ofertën e Berishës. Ky i fundit ishte entuziast e lëshoi një lumë lavdërimesh për Metën. Ashtu siç bën gjithmonë. Madje tha se akuzat që ka bërë ndaj tij kanë qenë gallata elektorale.
Antiopozitarizmi
Për shumë demokratë me memorie të gjatë e të thellë politike, Meta është armiku i ashpër i tyre, personi që u vodhi zgjedhjet në vitin 2001, që u arrestoi liderin e tyre, Sali Berishën, e që luftoi ashpër që opozita e demokratëve të kishte një tjetër opozitë, atë të Genc Pollos. E megjithëse injektoi këtë frymë të frikshme në politikë, Meta i viteve të para të karrierës së tij politike është një “beniamin” i Berishës në kampin opozitar. Në periudhën kur qeveriste si president, Berisha e kishte shumë merak të luante lojërat e tij me opozitën, të zgjidhte e të përzgjidhte, të përkrahte e të dëmtonte.
Ndaj ata që shohin shumë larg, e vlerësojnë Metën si të dashurin e parë të Berishës në opozitë.
Jo më kot e gjithë fryma kundër Metës që pasoi periudhën parazgjedhore shkonte në këtë drejtim. Ai cilësohej si njeriu që i jep jetë Berishës, edhe pse ai gjithmonë pretendonte të kundërtën. Madje Meta deklaronte se ishte ai që po i bënte opozitën më të fortë Berishës, kur kërkonte pareshtur dorëheqjen e tij.
Tashmë, kur Meta është njeriu që ka vendosur në çfarë drejtimi do të shkojnë zgjedhjet, për shumëkënd ka lindur pyetja: A është e drejtë që vota të tjetërsohet kështu, kur dihet që e gjithë retorika e Metës ka qenë ajo antiberishiste, madje dhe manifesti i tij i fushatës? Shumë thonë se kjo është një mënyrë blerje vote indirekt, por më e rrezikshme.
Meta do të nisë kështu rrugëtim me një qeveri, të cilën një ditë para se ta shpallte aleate, e kishte akuzuar se kishte vjedhur zgjedhjet. E një qeveri që nuk mban zgjedhje të rregullta, është ilegjitime.
Meta nuk ka folur për asnjë moment dje se a kishte kushtëzuar nevojën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme me Berishën.
Pazaret
Vetëm pak pasi kryeministri, Sali Berisha, doli e kërkoi dorën e Ilir Metës për të bërë qeverinë, ky i fundit u shfaq në konferencë për shtyp, duke rritur kështu dyshimet se gjërat janë paravendosur dhe mbetej vetëm deklarimi i tyre. Meta u kujdes të thoshte se ndërkombëtarët e kanë udhëzuar të vepronte kështu, për të fituar më shumë besim në sytë e elektoratit. Ai nuk tha se kush ishte ai ndërkombëtar që vendos se çfarë duhet të bëhet me votat e shqiptarëve, por u shpreh se do kishte stabilitet në vend.
Palët nuk bënë të ditur për çfarë kanë negociuar, por mësohet se Meta mund të marrë postin e kryetarit të Kuvendit e tri ministri. Ende nuk janë përcaktuar përfundimisht se cilat do jenë ato, por Meta ka këmbëngulur të marrë ministri të rëndësishme, me shumë fonde, si ajo e Transportit, e Energjitikës e madje ka kërkuar dhe Turizmin.
Për të kënaqur këto lakmi, kryeministri i qeverisë së vogël do të shtojë ministri kurbani, sepse i duhet të ndajë dhe ambiciet e njerëzve të tij.
Lidhjet
Gjatë fushatës zgjedhore, kur dhe u publikuan tabulatet telefonike të Mihal Delijorgjit, ku binin në sy shumë telefonata të tij me djalin e kryeministrit, Sali Berisha, mediet nuk dhanë detaje të mëtejshme se kush ishte tjetër në atë listë telefonatash. Por me nxehjen e fushatës, kundërshtarët e Metës brenda së majtës thanë se në listë ishin me dhjetëra telefonata të bëra nga Delijorgji me Metën.
Por, edhe sikur të mos jetë kjo lidhja e aferave të kryeministrit dhe djalit të tij me drejtuesit e LSI, një gjë është e sigurt. Berisha do të qeverisë me simbolin e korrupsionit të qeverisë Nano, Lefter Kokën. Ai është përzgjedhur deputet i LSI në Durrës dhe sigurisht do jetë një njeri më shumë ndikim te qeveria e re.
Koka dhe grupi i tij ishte një nga arsyet se pse Berisha u votua nga populli në vitin 2005. Ata ishin simbole të korrupsionit të qeverisë socialiste e kryeministri, Sali Berisha, e quante atë udhëheqësin e Klanit të Zemunit.