Bashkia hap dyert, u kthehet tiranasve

Lulzim Basha mban premtimin, hap dyert e bashkisë për qytetarët. Përgjatë shumë orëve të pasdites, Kryebashkiaku ka pritur qytetarët në zyrën e tij, duke i garantuar për përkushtimin maksimal të administratës së tij, gjatë katër viteve të ardhshme
Qindra qytetarë i janë drejtuar dje dyerve të bashkisë së Tiranës, për të takuar kryetarin e ri të Bashkisë, Lulzim Basha. Kryetari i Bashkisë ka mirëpritur çdo qytetar që dje pasdite ka hyrë në zyrën e tij, duke ripërsëritur premtimin se do të jetë i gatshëm t’i presë për çdo problem dhe shqetësim që ata do të kenë.
Prej më shumë se dy orë, Basha ndau me qytetarët momente gëzimi, të përshkuara nga urime për detyrën e re si dhe shpresë e ambicie për Tiranën e së nesërmes, e cila i përket katër viteve të ardhshme nën administratën “Basha”.
Kryebashkiaku Basha i ftoi qytetarët në zyrën e tij, duke përshëndetur dhe dëgjuar në të njëjtën kohë zërin e tyre.
Në prani dhe të nënkryetarëve të bashkisë Jorida Tabaku dhe Edmond Panariti, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zhvilluar takime intensive me qytetarët të cilët ishin të shumtë në radhë, për të bashkëbiseduar me kryetarin e ri të bashkisë, lidhur me perspektivën e ardhshme të Tiranës. Lulzim Basha ka marrë urime nga qindra qytetarë për detyrën e re, duke shprehur besim të plotë tek ai për një administrim eficent të bashkisë së Tiranës. “Bashkia u përket të gjithëve dhe ne do të punojmë për interesat e qytetarëve, pavarësisht përkatësive të tyre politike”, është shprehur kryebashkiaku Basha.
Basha i ka garantuar ata se bashkia do jetë zëri i qytetarëve dhe për këtë këta të fundit do jenë vendimmarrësit e politikave të institucionit.
Ai ka theksuar sërisht se institucioni që do drejtojë për katër vitet e ardhshme do jetë jashtë orbitës së konfliktit politik.
“Bashkia nuk do të jetë më vend i betejave politike. Të vetmet beteja të Bashkisë do të jenë interesat dhe shqetësimet e qytetarëve të Tiranës”,është shprehur Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, në takime të posaçme me qytetarë të Tiranës.
Pas premtimit në fushatën elektorale, Basha bën realitet ditën e tretë të punës, atë që paraardhësi i tij s’e bëri kurrë për 11 vjet; thjesht të dëgjonte qoftë edhe shqetësimin më të vogël të qytetarit, taksapaguesit në institucionin që ai administroi për një dekadë. Lulzim Basha ka një plan strategjik për Tiranën dhe pikërisht në sajë të programit të tij ambicioz, garantoi qytetarët e Tiranës, votuesit e kryeqytetit se do t’i mbështesë ata në implementimin e politikave të bashkisë së Tiranës, të cilat në qendër do kenë qytetarin. Dhe ky s’është më një premtim elektoral, por një politikë strategjike e kryetarit të bashkisë për t’i shërbyer qytetit dhe qytetarëve. Katër vitet e ardhshme padyshim që do të jenë vitet e sfidave për kryeqytetin, për t’i shëmbëllyer progresit ekonomik, social dhe shoqëror të Shqipërisë.
Kryebashkiaku Lulzim Basha çdo ditë të premte do të ketë takime me qytetarët. Do të jetë kjo ditë e posaçme për të gjithë ata që do të duan që kryetari i Bashkisë të dëgjojë zërin e tyre, hallin, problemin dhe çdo shqetësim që vlen të trajtohet me seriozitet nga administrata e bashkisë. Dyert do të jenë të hapura për të gjithë!